Muzikë

Elbenita Kajtazi mrekullon publikun në skenat e mëdha të operës

Elbenita Kajtazi, sopranoja e njohur shqiptare flet për albinfo.at, lidhur me rrugëtimin e saj muzikor, nga Mitrovica drejt Gjermanisë, për të vazhduar të mrekullojë me zërin e saj skenat e teatrove të operave në shumë vende të botës

Ajo sot është një nga emrat më të njohur në Gjermani. Elbenita Kajtazi, e lindur dhe e rritur në Kosovë, ka pothuajse nëntë vjet që jeton në Gjermani. Karriera e saj disavjeçare si këngëtare e muzikës operistike, ka bërë që të ngjitet në skenat më të mëdha të operës në botë. Në vitin 2018 ajo kishte fituar Çmimin e Publikut, si dhe kishte zënë vendin e tretë në Kupën e Operës në Glyndebourne. Në qershor të vitit 2021, Elbenita u bë këngëtarja e parë nga Kosova që mori pjesë në garën e operës dhe të këngës “BBC Cardiff Singer of the World”.

 

Jeta e Elbenitës në Kosovë dhe migrimi në Gjermani

Elbenita Kajtazi është lindur në Skënderaj, kurse ka jetuar në Mitrovicë. Ajo ka përfunduar Shkollën e Mesme të Muzikës në “Tefta Tashko”, dhe më pas ka vazhduar studimet Bachelor në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës. Gjatë jetesës në Kosovë, ajo kishte qenë pjesë e Filarmonisë së Kosovës si soliste, si dhe pjesëmarrëse në shumë festivale të muzikës klasike. Po ashtu, ajo ka punuar edhe si arsimtare e muzikës në disa shkolla fillore në Mitrovicë.

Në vitet 2013/2014 Elbenita vendosi të shpërngulet në Gjermani, vend ky që asaj ia hapi dyert drejt një të ardhme të ndritshme, atë që ajo e kishte ëndërruar gjithmonë.

Gjatë një bisede për albinfo.at, ajo ka treguar arsyet pse zgjodhi pikërisht Gjermaninë për të zhvilluar karrierës e saj si artiste opere.

“Gjermaninë e kam zgjedhur për shkak të kulturës së madhe që ka ky vend, për shkak të përkrahjes së madhe që i jep artit. E kam pasur ëndërr me këndu në teatrot e Gjermanisë se janë jashtëzakonisht profesionale, dhe është mrekulli me qenë në mesin e tyre. Si e vogël kam ëndërru me jetu në Gjermani, sepse shumë familjarë atëkohë jetonin këtu dhe e kam parë si destinacionin e ardhshëm për mua dhe fatmirësisht ia kam dalë të realizoj synimin tim. Qëllimet e mia kanë qenë dhe janë njëkohësisht edhe ëndrrat e mia, avansimi në muzikën operistike, të mësoj sa më shumë role të mrekullueshme, të studioj gjuhët e huaja, dhe të këndoj në skenat më të mëdha operistike në botë, në ato skena ku kanë përformuar idhujt e mi. Ndjehem jashtëzakonisht e lumtur që tani jetoj dhe veproj në një vend ku arti dhe kultura vlerësohen lartë  dhe përkrahen nga shteti në mënyrë të parezervë”, ka thënë ajo.

Përpos mungesës së familjes, Elbenita ka thënë se nuk e ka pasur të vështirë ambientimin në shtetin gjerman, ku puna është gjithçka. Ndërsa, ajo u është mirënjohëse atyre që e përkrahën në teatrin “Deutsche Oper Berlin”, aty ku Elbenita po ngjitej drejt shkallëve të suksesit.

Pas 2 vjet e gjysmë specializim aty, Elbenita qëndron në Salzburg të Austrisë për 3 muaj, pasi ishte pjesë e festivalit të madh “Salzburger Festspiele”. Kurse, më pas bëhet pjesë e teatrit “Aalto-Musiktheater”, në Essen të Gjermanisë dhe më vonë bëhet pjesë e Ansamblit Shtetëror të Operës në Hamburg, ku vazhdon të jetë e angazhuaredhe më tutje.

“E jashtëzakonshme t´i performosh karakteret e mrekullueshme të botës operistike”

Elbenita e ka theksuar edhe në intervista të mëparshme që ajo i performon me shumë emocion veprat e Mozartit. Megjithatë, për të është ende emocion i papërshkrueshëm dalja në skenë.

“Një prej arsyeve përse kam zgjedhur të bëhëm këngëtare e muzikës operistike është, sepse admiroj faktin që kam mundësinë të këndoj role nga më të ndryshmet, e kam mundësinë të vishem me petkun e karaktereve të ndryshme për rreth dy-tre orë dhe të shijoj e përjetoj emocione të llojllojshme, si: dhimbjen, dashurinë, lumturinë. Kam mundësinë të luaj ndonjëherë edhe rolin e Gretës, rol ky që ma kujton fëmijërinë dhe e përjetoj me shumë zemër. Është ndjenjë e jashtëzakonshme me role kaq të bukura të kompozuara për mrekulli nga kompozitorët më të mirë nëpër epoka të ndryshme”, ka thënë ajo.

Kur flet për performancat e saj, Elbenita shprehet me shumë emocion për karakteret që luan në skenë. Për të, çmimet në gara të ndryshme nuk e përmbushin atë si artiste. Në fakt, minutat sa ajo është në rol dhe duartrokitjet e publikut, janë ato që Elbënitës ia gëzojnë zemrën.

„Çmimet në garat e ndryshme janë shumë të rëndësishme për një artist në fillimet e tij. Të gjitha performancat e mia, për mua janë të veçanta shumë, sepse saherë që ngjitem në skenë jam shumë e lumtur dhe përjetoj emocione që janë të jashtëzakonshme dhe që ma mbushin zemrën me dashuri, sidomos duartrokitjet e publikut në fund. Performimin e rolit të Violetës dhe Mimisë i vlerësoj shumë dhe me shumë kënaqësi i interpretoj, gjithashtu edhe të Manonit“, është shprehur ajo.

 

Mitrovicën e ka në zemër

Sado e angazhuar me punë dhe me plot udhëtime, Elbenita e viziton Kosovën 2-3 herë në vit. Periudhën e pushimit, ajo e pret me padurim.

„Raportet e mia me Kosovën janë të mrekullueshme. Nuk më rastis shpesh të shkoj për qëllime pune, por për ta vizituar familjen. Kemi shtëpinë dhe kam kënaqësinë me qenë brenda ngrohtësisë familjare. Mezi pres të pi kafen e mëngjesit bashkë me nënën time buzë lumit „Ibër“. Mitrovicën e kam në zemër, e vizitoj 2-3 herë në vit“, thotë ajo.

Kurse, për të ardhmen, ajo ka shtuar se do të jetë e angazhuar që t´i përmbushë me sukses kontratat që i ka nënshkruar tashmë. Angazhimet e saj do të vazhdojnë të përmbushen me performancat e saj të mrekullueshme në skenat e ndryshme të operës si në: Gjermani, Itali, Francë, Austri, etj.

 

B O X

“Planet e mia përfshijnë një përkushtim të madh për të vazhduar ta përjetoj një emocion të mrekullueshëm në skenë”.

P.S: Artikullli fillimisht është botuar në numrin e fundit të revistës albinfo.at