Kosova
Elona Gjergo-Tanka, triumfuese, çmimin e parë ndërkombëtar për “Lugatkën”
Elona Gjergo-Tanka në një intervistë për Albinfo.ch, flet për jetën në diasporë, sukseset e saj në zhanrin letrar dhe çmimet e fituara.
Një numër i konsiderueshëm i mërgimtarëve të rinj në botë po depërtojnë në shumë fusha të ndryshme, duke korrur suksese.
Ndër shumë vajza dhe gra shqiptare që po tregohen të suksesshme në fusha të ndryshme në botë, është sigurisht edhe Elona Gjergo-Tanka, e lindur dhe rritur në qytetin e Korçës, por me krijimtari të pasur në fushën letrare në Greqi, shkruan albinfo.ch.
Ajo po përfaqëson shqiptarët në mënyrën më të mirë me botën e saj të pasur letrare, duke u ofruar lexuesve romane e poezi të ndryshme dhe kuptimplote.
Rezultatet e suksesshme të Elona Gjergo-Tankas në fushën letrare nuk ishin aksidentale. Ato janë thjesht fryt i punës së vazhdueshme, sistematike e konsistente të një shkrimtareje dhe poete të përkushtuar, siç është vepra e saj e fundit “Lugatka”.
Ajo së fundmi ka fituar çmimin e parë në kategorinë e Filmit Eksperimental, në “New York True Venture Film Festival” me veprën e saj “Lugatka”, në zhanrin modern Cinepoetry, e përzgjedhur nga juria profesionale, për t’i hapur dyert e saj të udhëtimit në mbarë Evropën dhe më gjerë.
Elona në intervistë për Albinfo.ch tregon se vepra “Lugatka” pasqyron rolin e femrës, botën e saj, nevojën, dëshirën, shqetësimet, arritjet dhe jo pak herë, gjunjëzimin e saj. “Në sytë e mi, është ajo silueta që nuk i nënshtrohet asnjë “burgu“, shprehet Elona.
Më poshtë e gjeni intervistën e plotë me Elona Gjergo-Tanka:
Albinfo.ch: Elona, fillimisht na trego pak rreth vendlindjes tuaj, ku keni lindur në Shqipëri, hapat e parë të shkollimit ku i keni marrë, jeta juaj?
Linda në Korçë, një të shtune shtatori, me hënë të plotë, rrugicave të kalldremta, prej të cilave u krijuan, kënduan dhe u dedikuan serenata, në Korçë.
Dëshira për të mësuar dhe studiuar gjuhë të huaja, me çuan te bankat e Gjimnazit të Gjuhëve të huaja “Faik Konica” në Korçë dhe pastaj studimet e larta për Letërsinë Angleze.
Kohën kur emigrova, isha ende studente, por njëkohësisht kisha ndjerë mrekullinë e të qenurit nënë, në periudhën kur me bashkëshortin vendosëm se duam të jetojmë në Athinë.
Albinfo.ch: Sa ishte e vështirë të ambientoheni në Greqi dhe çfarë hapa keni ndjekur atje?
Gjatë këtyre njëzet vjetëve të fundit, kemi degjuar histori nga më të ndryshmet të mbijetesës të një emigranti. Për mua dhe familjen time, kishte mjaftuar dëshira për të jetuar në qytetin e zotave të Olimpit dhe perkushtimi familjar u bë prioritet. Si njohëse e gjuhës greke, jetesa dhe ambientimi nuk përbënë problem për mua. Ishte vetëm malli dhe ëndrrat e lëna pasiqë ndonjëherë më linin një tis trishtimi.
Albinfo.ch: Rrugëtimi juaj në fushën letrare sa ishte e vështirë dhe në çfarë “sakrifica” kaluat?
Vitet e para në Athinë më rrëmbyen totalisht në atë për të cilën kisha vendosur të bëja më të mirën e mundshme, rolin e nënës. Dhe nuk vonoi shumë, familja jonë u kompletua me dy vajza (si ëndërr me duken ato vite) dhe vetëm kur ato mund të kujdeseshin sado pak për vetën, fillova “të vjedh“ pak kohë për vetën. Dhe keshtu iu riktheva shkrimit, për ta finalizuar me romanin tim të parë dhe modest “Kur i lëmë engjëjt të vdesin “. Ishte tentativa ime e parë në prozë, pasi deri atëherë preferoja të shkruaja vetëm poezi.
Albinfo.ch: Cilat kanë qenë disa nga të arriturat tuaja si poete, çmimet etj?
Ka qenë zgjedhja ime , edhe pse une shpesh jam vlerësuar me çmime të ndryshme, që të mos kem ende një botim poetik. Përsa i përket prozës, krijimtaria ime përbëhet prej pesë romanesh.
– Kur i lëmë engjëjt të vdesin (që është vlerësuar me çmimin “Sotir Andoni”.
– Skizofrenia (vlerësuar me cmimin “Faik Konica“).
– Gjashtë Gishta e Gjysmë (kandidat për çmimin “Ismail Kadare “).
– Bisha prej qelqi
-Spectrum.
Albinfo.ch: Si paraqitet roli i femrës në veprat tuaja?
Femra, luan një rol të rëndësishëm në botëkuptimin tim dhe si e tillë, është personazhi kryesor në shkrimet e mia. Më intereson mjaft studimi dhe përshkrimi i botës së saj, nevojës, dëshirës, shqetësimeve, arritjeve dhe jo pak herë, gjunjëzimit të saj.
Në sytë e mi, është ajo silueta që nuk i nënshtrohet asnjë “burgu“.
Albinfo.ch: Na trego pak për titullin e verpës “Lugatka”, çfarë ngërthen në vete ky film dhe cili është mesazhi?
“Lugatka” është pikërisht ajo femra që përshkrova pak më parë dhe gjithë mesazhet që ajo përcjell, e sjell në kombinimin më të veçantë të cinepoetry nga producenti Fatos Mustafaj, regjisori Altin Sulaj dhe skenaristja e aktorja kryesore e filmit, Xhoana Sulaj. Ishte një nga bashkepunimet e mia më mbresëlënëse me Altinin dhe Xhoanen, Xhilda Telin, Elsa Hajdari, Margaret Radovani, Klei Muca, Adelina Mollameri dhe Fatbardha Sulaj. Një dream team që me përkushtimin dhe aftësitë e tyre, ia doli mbanë të na sillte “Lugatken”, një film me metrazh të gjatë dhe një gërshetim mes muzikës, aktrimit dhe poezisë.
Albinfo.ch: Në vitin 2021 filmi do të bëjë një turë në Evropë, në cilat shtete saktësisht do të jetë dhe a është edhe Zvicra pjesë?
Fatkeqësisht jemi duke përjetuar çudinë negative më të famshme në botë, Covid-in. Ashtu si çdo fushë tjetër edhe arti po kalon krizën dhe karantinën e vet. Në kushte të tjerat, “Lugatka” do kishte filluar shëtitjen e saj në Evropë dhe jo vetëm. U desh të anulohen disa shfaqje, por shkojmë me deshirën e mirë dhe shpresën e të kthyerit sa më shpejë në normalitet, ndërkohë na jepet një shans i mirë për të krijuar. Zvicra është një nga destinacionet e “Lugatkes“ në Evropë, nën përkundesjen e Aina Hotit dhe gjej rastin këtu ta falenderoj për përkushtimin ndaj promovimit të artit shqiptar në përgjithësi dhe femrave krijuese, në veçanti. Hollësitë do ia lëmë kohës, sepse gjithmonë ka vend për surpriza. Deri atëherë, uroj që të kemi sa më tepër vepra arti, të çfarëdo lloj zhanri.
Ta kemi shpirtin plot dhe të krijojmë.
/Albinfo.ch
Të ngjashme
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
“Netët e filmit shqiptar” në 80-vjetorin e çlirimit të Shqipërisë, në Cyrih Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Zvicër: "Nëntori Shqiptar" pjesë e festimeve të 80-vjetorit të çlirimit,...
-
Diamant Salihu është nominuar sërish për Çmimin e Madh të Gazetarisë
-
“Alpha & Partner Vermögensmanagement GmbH” ju këshillon si të menaxhoni pasurinë
-
Kurti të dielën do të takojë mërgatën në Gjermani
-
Arrestohet 28-vjeçari shqiptar në Itali
Jeta në Zvicër
-
Bazel: Kujdes kur porositni qebapë Nëse porositni një qebap në Bazel – mund të mos merrni saktësisht atë që keni kërkuar...
-
Sa lirisht mund të lëvizin qytetarët e BE-së në dhe brenda Zvicrës?
-
Si do të funksionojë ndalimi zviceran për mbulimin e fytyrës kur të hyjë në fuqi?
-
A mund të refuzojnë kompanitë në Zvicër një shërbim për shtetasit e huaj?
-
Edelweiss Air zbulon fluturimet e reja në orarin e saj të verës 2025