Lajme

Erdogan thotë se do të largojë miliona refugjatë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan u zotua të riatdhesojë mijëra sirianë, ndërsa po rritet pakënaqësia e publikut ndaj refugjatëve

Prania e tyre është ndoshta një pikë e dobët politike për Erdogan, por plani i tij për riatdhesimin e refugjatëve ka filluar të kritikohet.

Vlerësohet se në Turqi gjenden katër milionë refugjatë sirianë të larguar nga konflikti i gjatë në vendin e tyre.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan thotë se qeveria e tij do të kthejë në Siri në baza vullnetare një milion refugjatë, duke iu premtuar ndërtimin e njëqind mijë shtëpive, që ai thotë se do t’u ofrojnë atyre shansin për një jetë të re.
Sipas këtij plani, sirianët do të ktheheshin në një zonë që kontrollohet nga ushtria turke dhe rebelët sirianë, larg kontrollit të forcave qeveritare të Damaskut.

Por grupet e refugjatëve paralajmërojnë se siguria është e pakët në të gjithë Sirinë.

“Ka ndalime arbitrare, ka zhdukje me forcë dhe vrasje. Ka një mungesë sigurie në përgjithësi. Njerëzit largohen nga shtëpitë e tyre pa ditur nëse do të kthehen ndonjëherë. Kjo është diçka që ndodh në të gjithë Sirinë, pavarësisht se cila palë e ka nën kontroll lzonën”, thotë Haya Atassi, nga Shoqata për Dinjitetin e Qytetarëve.

Erdogan gjendet nën trysni për të filluar riatdhesimin e miliona refugjatëve, pasi anketimet sugjerojnë se është rritur pakënaqësia e publikut turk ndaj tyre.

“61% janë dakort ose shumë dakort me faktin se duhet një qëndrim më i ashpër për refugjatët sirianë, për shkak të lajmeve negative që kemi parë që lidhin refugjatët sirianë me kriminalitetin. Duke qenë se jemi në një rënie ekonomike, mendoj se çështja e refugjatëve bëhet më e nxehtë dhe emocionet dalin jashtë kontrollit”, thotë Can Selçuki, nga Organizata Kërkimore Ekonomike e Stambollit.