Portrete të firmave

“Esquina”, vendi ku ushqehen sportistët më të njohur shqiptarë

A e keni ditur se mishi që preferon më së shumti Xherdan Shaqiri piqet në kuzhinën e gastronomit të njohur shqiptar, Nehat Sabedini

Pothuajse nuk ka futbollist shqiptar që nuk është mysafir i rregullt i dy kuzhinierëve shqiptarë, Nehatit nga Kosova dhe Kreshnikut nga Shqipëria. Ata kanë drejtuar restorante të njohura në Zvicër e Itali dhe janë të specializuar në gatimin e mishit. Përderisa Nehati për 18 vjet ka qenë shef i restorantit të njohur „Papa Joe’s“ në Basel, Kreshniku ka drejtuar kuzhina të njohura të restoranteve në Venedik.

Albinfo.ch ka shkruar shumë shpesh rrëfime suksesi të restoranteve e gastronomëve shqiptarë në Zvicër, por një si ky, nuk e ka pasur deri më tani. Në këtë prezantim ju prezantojmë jo vetëm restorantin me ushqime e specialitete jashtëzakonisht të shijshme të mishit, por sjellim edhe gastronomin që ka krijuar një lidhje të ngushtë me klientët e tij VIP për dekada me radhë. Ne nuk njohim ndonjë gastronom tjetër shqiptar që pret kaq shumë sportistë shqiptarë, sidomos futbollistë.

Dhe, këtu nuk bëhet fjalë për emra të panjohur, por për yjet më të njohura të futbollit tonë, të cilët janë shokë e klientë të rregullt të restorantit Esquina në Lörrach, një qytet i vogël i Gjermanisë afër Baselit të Zvicrës.

Shaqirit i mungojnë edhe specialitetet e mishit që i përgatit Nehati

Ka disa vite që lexojmë se si Shaqirit i mungojnë specialitetet e nënës së tij që kur është larguar nga Baseli, por asnjëherë nuk kemi lexuar se atij në fakt i mungojnë edhe më shumë specialitetet e mishit që përgatit Nehati dhe kuzhnierit me përvojë nëpër kuzhina të njohura italiane, Kreshniku. Ndërsa ajo që është më pikantja në tërë këtë histori të apetiti të Xherdanit, “nuk ndodh thuajse asnjëherë që ai të kthehet në Basel pa na vizituar e pa ngrënë në Esquina”, zbulon pronari Nehat Sabedini.

Ndryshe, Nehati është gastronomi më i pëlqyer i shumë futbollistëve e sportistëve tjerë e artistëve shqiptarë. Krahas Xherdan Shaqirit, Taulant e Granit Xhakes e lojtarëve të tjerë shqiptarë që luajnë në liga europiane, si Abrashi, Ajeti, janë edhe Zhegrova, Aliti e te tjerë që rregullisht frekuentojnë restorantin Esquina.

Madje nëse i hidhni një sy Facebookut të gastronomit Nehat Sabedini, aty shihet se në restorantin e tij kanë ngrënë edhe lojtarë të njohur joshqiptar, si talenti i Baselit, Breel Embolo, që luan aktualisht në Borussia Mönchengladbach. Boksieri i njohur Arnold Gjergjaj, ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe legjenda e futbollit të Kosovës, i ndjeri Fadil Vokrri, i cili më shumë se kushdo tjetër e ka vizituar rregullisht gastronomin Sabedini. Për më tepër ai ka qenë njëri nga miqtë e afërt të tij që e ka mbështetur në kohërat më të vështira të futbollit kosovar, “atëherë kur Federata jonë i kishte të gjitha dyert e mbyllura”, tregon Nehati.

Ka sjellë këtu përvojën 25-vjeçare nga Zvicra

Esquina Lörrach është një restorant me kuzhinë meksikane dhe italiane. Në këtë lloj kuzhine ka punuar Nehati plot 18 vjet, në restorantin e njohur të Bazelit, „Papa Joe’s2” dhe sjell një përvojë pune mbi 25-vjeçare në gastronomi.

„Kam punuar në restorante e hotele të ndryshme në Zvicër prej se kam ardhur këtu para 27 vjetëve. Këtu kam mbaruar shkollën e gastronomisë për kuzhinë dhe përplot 18 vjet kam qenë shef i restorantit  “Papa Joe’s” në Bazel“, tregon Nehati, i cili me prejardhje është nga Vitia.

Dhe, arsyeja pse ai ka lënë Bazelin e „Papa Joe’s“ për të hapur restorantin Esquina në Lörrach, është se restorantet e Bazelit, duke qenë në zonën kufitare me Gjermaninë, e kanë shumë të vështirë t`i konkurrojnë restorantet gjermane që i kanë çmimet dukshëm më të lira.

„Më erdhi shansi i mirë për ta marrë një restorant si ky këtu në Lörrach Gjermani, afër Baselit dhe e mora. Në Bazel momentalisht është vështirë me gastronomi. Vetëm të premten dhe të shtunën lëviz diçka. Numri i klientëve që dalin gjatë javës për të ngrënë është në rënie. Kurse kjo këtu është afër Bazelit dhe unë njoh shumë njerëz, prandaj ata vijnë edhe këtu“, tregon Nehati, i cili e drejton restorantin bashkë me partnerin e tij, Kreshnik Mulosmanin.

Kreshniku ka qenë shef kuzhine në itali, në restorante të njohura në Venedik. Partneri i Nehatit thotë se ata mendojnë të rrisin restorantin. „Aktualisht nuk kemi vend të mjaftueshëm për t`i pranuar të gjithë mysafirët, prandaj po planifikojmë zgjerim të restorantit. Në kuzhinën tonë, mishi është specialitet që shërbehet në kombinim me kuzhinën meksikane dhe italiane“, tregon kuzhinieri, Kreshniku, i lindur dhe i rritur në Itali.

Shaqiri e ka merak mishin

„Lojtarët si Xherdani, Zhegrova, Xhaka, Abrashi e Ajeti na vizitojnë shumë shpesh, vijnë rregullisht. Xherdani e ka merak mishin, atë e preferon më së shumti të kombinuar me perime. Krejt lojtarët e preferojnë mishin. Atyre u nevojiten vitaminat e mishit. Taulanti dhe Graniti e pëlqejnë po ashtu mishin dhe vijnë shpesh këtu“, tregon drejtuesi i restorant Esquina, Nehat Sabedini.

“Vokrri, në Zvicër mbante telefonin tim”

Fadilin, kështu i referohet ai Vokrrit, e kam pasur shok të mirë. Ai rregullisht ka ardhur tek unë në „Papa Joe’s“ edhe kur ka qenë më së vështiri me Federatën e Futbollit të Kosovës, kur s’kanë pasur para, ne i kemi ndihmuar. Madje edhe kampin e parë e kemi organizuar ne atëherë me Xherdanin, Migjen Bashën, Kristian Nushin e shumë lojtarë të tjerë. Aty ka filluar themelimi i Federatës së Futbollit të Kosovës. Fadili kur vinte nga Franca në Zvicër, mbante telefonin tim dhe me të kryente telefonatat.

Esquina Lörrach