Lajme

Evakuohet Pallati Federal për shkak të një makine të dyshimtë

Një robot për neutralizim bombash është futur në përdorim. Ai po ekzaminon një makinë të zezë të parkuar në Bundesplatz

Për shkak të “sjelljes së dyshimtë të një personi”, sheshi Bundesplatz, (para Pallatit Federal) në Bernë është rrethuar në një zonë të madhe. Pallati Federal u evakuua, transmeton albinfo.ch. Policia i bën thirrje popullatës për anashkalimin e zonës.

Siç tregon një gazetar i RTS (rtv në gjuhën frënge) në Twitter, një robot për neutralizim bombash është futur në përdorim. Ai po ekzaminon një makinë të zezë të parkuar në Bundesplatz, shkruajnë mediat zvicerame që po e ndjekin ngjarjen minutë pas minute.

Makina ka regjistrim të Valisit dhe është autorizuar në Montey.

Gazetari raporton më tej se Guy Parmelin, Viola Amherd dhe shefi i ushtrisë Thomas Süssli u detyruan të largoheshin nga Pallati Federal, transmeton albinfo.ch. Ai me këtë rast citon burime parlamentare.

Një gazetar i “Berner Zeitung” raporton se pas orës 17 ka pasur një njoftim se dritaret e qendrës mediatike në Pallatin Federal nuk lejohent të hapen më.

Tramvajet dhe autobusët janë vendosur në mënyrë të dukshme në Bärenplatz. Zyra e mediave në Kapo Bern konfirmon se kjo ishte bërë me qëllim: “Ka të bëjë me mbrojtjen e popullsisë, veçanërisht për mbrojtjen nga ciflat eventuale të bombës”.

Fotografitë e publikuara nga shefi i SRF Bundeshaus, Philipp Burkhardt tregojnë se dy dyert e makinës së dyshuar tashmë janë hapur. Por, zona do të qëndrojë e mbyllur edhe për dy orë të tjera.

Policia konfirmon se një qen është sjellë në zonë, sipas reporterit të 20 Minuten që është në vendngjarje, përcjell albinfo.ch. Për çfarë nevojitet ai nuk mund të thuhet në këtë moment.