Tematike

Evropa – pjesë e problemit apo e zgjidhjes?

Goldon: “Përpjekjet e BE-së për evropianizim të Kosovës janë minuar me mosnjohjen e Kosovës shtet pikërisht nga pesë vendet e BE-së

Kah po shkojnë Kosova dhe Serbia. Cilat janë sfidat dhe perspektivat e këtyre dy vendeve që cilësohen si pjesë të një regjioni konfliktesh dhe cili është roli i Evropës në këtë kontekst. Këto pyetje dhe dilema janë shtruar për debat në tryezën e rrumbullakët të mbajtur më 26 prill në Institutin për Evropën Lindore dhe të Mesme të Universitetit të Freiburgut.

Një panel ku bënin pjesë studiues zviceranë, shqiptarë, serbë e të tjerë, ka provuar të japë përgjigjet përkatëse nga këndvështrime të ndryshme.

Tryeza është drejtuar nga eksperti i Ballkanit, korrespondent i „NZZ am Sonntag“ në Beograd, Andreas Ernst. Panelistë kanë qenë Ilir Deda, analist politik dhe kryetar i institutit Kipred, Vladimir Todorovic drejtor i “Qendrës së Re politike” nga Beogradi, dr. Claire Gordon, nga London School of Economics, Kurt Kunz nga DEZA dhe prof. Dr. Arben Hajrullahu, politolog nga Universiteti i Prishtinës.

Andreas Ernst në paraqitjen e tij hyrëse „Çështjet kryesore dhe statusi aktual“ ka theksuar se edhe 13 vjet pas përfundimit të luftës dhe katër vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosovës i nevojitet akoma vëmendja dhe ndihma e bashkësisë ndërkombëtare.

Në një parashtrim të gjerë, Kurt Kunz nga DEZA ka prezantuar sfondin e gjendjes së përgjithshme në Kosovë, me fokus të veçantë në ekonomi dhe zhvillim. Në këtë drejtim ai ka folur në hollësi mbi mbështetjen që Zvicra, kryesisht përmes DEZA-s ka dhënë dhe po e jep për zhvillimin e Kosovës në shumë fusha. Kunz ka veçuar mes tjerash edhe mbështetjen për projektin medial të albinfos.

Studiuesja nga Londra, dr.Clare Goldon në punimin e saj me titull “BE-ja si faktor kyq në Konflikt – menaxhimi dhe qasja evropianizuese ndaj Kosovës dhe Serbisë“ është marrë me sfidat që i dalin përpara BE-së për menaxhimin e gjithë situatës së ndërlikuar në Kosovë në raport me Serbinë.

Sipas Goldon, evropianizimit, që është synim i proklamuar i politikave si të Prishtinës ashtu dhe të Beogradit, i dalin shumë pengesa përpara. Prapambetja në zhvillimin e përgjithshëm dhe në veçanti në atë ekonomik është ndër pengesat kryesore.

Kosova mbetet shteti më i varfër në Evropë me një GDP prej 1726 euro për kokë banori, ka thënë ajo.

“Përpjekjet e BE-së për evropianizim të Kosovës janë minuar me mosnjohjen e Kosovës shtet pikërisht nga pesë vendet e BE-së”, ka nënvizuar Goldon.

Ndërkaq Ilir Deda, duke iu qasur pretendimeve për rolin kyq në Kosovë që panelistët tjerë ia përshkruan BE-së, tha se “diçka që i mungon këtij përshkrimi është faktori SHBA. Unë jam mbështetës i madh i evropianizimit por nuk duhet lënë anash rëndësinë përcaktuese të SHBA-së në politikat për dhe rreth Kosovës”, ka theksuar ai.

Më tutje Deda ka folur edhe për domosdonë e shtrirjes së sundimit të ligjit në Kosovë, që, sipas tij, në një hapësirë kaq të vogël e me një përqendrim kaq të madh të forcave ndërkombëtare, nuk do të duhej të paraqitte problem.

Vladimir Todorovic nga “Qendra e Re politike” e Beogradit, e ka nisur fjalën e tij me thënien e njohur të Churchilit se “Ballkani prodhon më shumë histori se sa mund të konsumojë”.

Më tutje studiuesi nga Beogradi ka komentuar marrëveshjet e fundit në mes të Serbisë dhe Kosovës, të cilat, sipas tij, si Beogradi ashtu dhe Prishtina, i interpretojnë sipas dëshirës së tyre.

Prof.dr. Arben Hajrullahu nga Universiteti i Prishtinës, fjalën e tij e ka filluar me një krahasim: “Për herë të parë në vitiun 1968 në demonstratat e atëhershme të zhvilluara në Kosovë, qe shpallur publikisht parolla “Kosova Republikë”.

Edhe sot, pas kaq vitesh, po të vish nga jashtë në Kosovë do të përballesh me parollën e njëjtë “Kosova Republikë”. Kjo e fundit vjen si reagim ndaj zhvillimeve të fundit që kanë sjellë fusnotën në përshkrimin e statusit të Kosovës”.

Hajrullahu më tutje ka tërhequr vërejtjen se “rinia, e përmendur si resurs i çmuar i Kosovës mund të shndërrohet në problem të saj në kushtet e mungesës së perspektivës për jetë në Kosovë.

Në përmbyllje, është zhvilluar një debat mjaft i gjallë ku janë trajtuar çështje nga aktualiteti i krizës kosoavare që po vazhdon.