Ukraina

Familjet pritëse zvicerane, “të lodhura” nga refugjatët ukrainas

"Konstatojmë njëfarë habie për dallimet kulturore mes zviceranëve dhe ukrainasve". Supozohej se refugjatët ukrainas kishin një kulturë të ngjashme..."

Gatishmëria e popullsisë zvicerane për të ndihmuar refugjatët nga Ukraina është e madhe: rreth 80,000 shtretër në rreth 30,000 familje pritëse janë në dispozicion. Megjithatë, gjithnjë e më pak refugjatë po arrijnë tani në Zvicër. Por, tre muajt që refugjatët e kishin të garantuar qëndrimin me një familje pritëse kaluan shpejt, transmeton albinfo.ch. Tani shtrohet pyetja – çfarë më pas?

Refugjatët e parë pas agresionit rus mbi Ukrainën që ndodhi në fund të shkurtit, mbërritën në Zvicër në fillim të marsit. Shumë prej tyre u pranuan lehtësisht nga familjet pritëse. Por ndërkohë, Schweizer Flüchtlingshilfe (SFH) po vëzhgon shenjat e para të lodhjes në shumë familje pritëse, thotë drejtoresha Miriam Behrens: “Nuk është edhe krejt e thjeshtë” të kesh dikë në apartament gjatë gjithë kohës, shkruan srf.ch.

“Ne konstatojmë se ka njëfarë habie që paska dallime kulturore mes zviceranëve dhe ukrainasve”. Me sa duket, supozohej se refugjatët ukrainas kishin një kulturë të ngjashme. “Por ka dallime”, thotë Behrens. “Dhe kur kësaj i shtohet se ka edhe fëmijë, kjo mund të çojë në fërkime”.

Pas gatishmërisë për të ndihmuar, a po vjen zhgënjimi?

Ekziston gjithashtu pasiguri në kantone në lidhje me jetëgjatësinë e qëndrimit të familjeve pritëse. Gaby Szöllösy, Sekretarja e Përgjithshme e Konferencës së Drejtorëve Social Kantonalë (SODK), tha në një konferencë federale për media në fillim të qershorit: “Situata mund të ndryshojë papritur gjatë pushimeve verore. Prandaj, disa kantone kanë pyetur sistematikisht familjet pritëse nëse do të dëshironin të zgjeronin angazhimin e tyre – në mënyrë që të mund të vlerësojnë se çfarë mund të presin për të ardhmen”.

Për rastin kur refugjatët nuk do të jenë më të mirëpritur nga familjet pritëse, është e qartë për Sekretariatin e Shtetit për Migracionin (SEM), thotë David Keller, kreu i ekipit të krizës SEM: “Nuk do të ketë më ripranim nga qeveria federale dhe as shpërndarje të re.” Kantonet veç e veç duhet ta zgjidhin problemin kur refugjatët do të lëshojnë banesat private.

Kantonet kanë ende kapacitete të lira
Sipas konferencës së drejtorëve socialë, kantonet kanë 9,000 shtretër të lirë në akomodim kolektiv. Deri më tani nuk ka shifra të plota se sa familje pritëse dëshirojnë të “dorëzohen” gjatë verës dhe sa refugjatë kanë nevojë për strehim të ri.

(Fotot: Screenshot srf)


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI