Integrimi

Fanaj: “Si parlamentare, dua të jem zëri i të margjinalizuarve në shoqëri”

Ylfete Fanaj është nominuar nga partia e saj si kandidate për deputete në Parlamentin Federal të Zvicrës në zgjedhjet që mbahen në tetor të këtij viti. Zgjedhja në parlament, do të vinte si një hap i natyrshëm për një person me bagazhin politik të Ylfetes

Nga viti 2011 është deputete në Parlamentin e Kantonit të Lucernit, ndërsa në vitin 2007 ishte zgjedhur për herë të parë këshilltare në Asamblenë e qytetit të Lucernit. Me këtë përvojë në politikë, Ylfete Fanaj është një emër me peshë në politikën e kantonit të saj e më gjerë.

Gjatë katër viteve të fundit, Ylfetja ka qenë edhe kryetare e Grupit Parlamentar të SP-së në Parlamentin e Kantonit të Lucernit. Ndërsa pak ditë më parë, ky parlament e ka zgjedhur atë për nënkryetare. Pasi që vitin që vjen, kreu i Parlamentit i takon partisë së saj, ajo në vitin 2020 do të jetë në krye të këtij Parlamenti. Me këtë avancim Fanaj bëhet “Qyetetarja e parë” e Kantonit të Lucernit. Kështu identifikohet këtu personi që merr postin e kryetarit/res së Parlamentit, duke pasur parasysh parimin e përfaqësimit politik.

Me zgjedhjen kryetare e grupit parlamentar dhe pastaj nënkryetare e Parlamentit, Ylfete Fanaj ka arritur më shumë se cilido politikan me rrënjë shqiptare në politikën zvicerane.

Duke folur për albinfo.ch rreth postit të nënkryetares së Parlamentit, ajo thotë: “Si kryetare grupi, kam avancuar axhendat e SP-së, ndërsa tash, si nënkryetare, udhëheq një politikë reprezentative, të paanshme. Këtu është dallimi”. Tani ajo në Parlament nuk ulet në vendin e saj tek Grupi Parlamentar, por afër kryetarit dhe sekretarit të Kantonit, përpara ministrave të qeverisë. Nga ky vend, ajo ka gjithë Parlamentin në mbikëqyrje siç, e pamë  edhe me rastin e vizitës që i bëmë në Parlament, më 24 qershor, në ditën e parë të punës së saj në këtë post.

Përkundër shtimit të vëllimit të punës, posti i nënkryetares së Parlamentit është më shumë post nderi. Me fjalë tjera, Ylfetja edhe më tutje duhet të vazhdojë punën e saj si punëtore sociale, krahas angazhimit politik.

Por ambiciet politike të Fanajt nuk përfundojnë në politikën kantonale. Ajo është nominuar nga partia e saj si kandidate për deputete në Parlamentin Federal të Zvicrës në zgjedhjet që mbahen në tetor të këtij viti. Zgjedhja në parlament, do të vinte si një hap i natyrshëm për një person me bagazhin politik të Ylfetes.

“SP e Kantonit të Luzernit më ka nominuar për zgjedhjet nacionale. Siç dihet, zgjedhjet e fundit për Parlamentin Kantonal kanë sjellë një rritje të madhe të të majtës në këtë kanton. Në këtë rritje ka pjesën e saj SP-ja. Prandaj kjo rritje mund të përkthehet në shtimin e një vendi për SP-në në parlament, ku deri tash ka qenë vetëm një”, thotë Fanaj.

Të rikujtojmë: Ylfete Fanaj në zgjedhjet e fundit kantonale, ka fituar vota më shumë se të gjithë kandidatët, nga të gjitha partitë, në qytetin e Lucernit. Kështu, me përkrahjen e fituar, ajo tashmë është konsoliduar si një zë i shquar i një Luzerni kosmopolit e të qytetëruar, kanë shkruar mediet zvicerane.

Duke folur për fushatën e saj zgjedhore, Ylfete Fanaj në bisedë me albinfo.ch thotë se ka planifikuar edhe takime të veçanta me shqiptarët dhe me komunitetet tjera të huaja. “Por këto aktivitete do të zhvillohen ndaras nga fushata me bazën partiake”, sqaron ajo. Fanaj nuk preferon aktivitete masive, kur është fjala për t`iu drejtuar komunitetit shqiptar. Ajo është e sigurt se bazën për fitore në zgjedhjet kantonale e ka nga votuesit zviceranë.

“Numrin e mjaftueshëm për fitore e kam pasur prej tyre, ndërsa numrin e votave që më ka bërë të parën në qytetin e Lucernit, mendoj se e kam nga shqiptarët dhe të huajt tjerë”, thotë ajo. Prandaj, sipas saj, migrantët mund ta bëjnë dallimin, i cili është mëse i rëndësishëm në zgjedhjet nacionale, por jo shumicën e votave.

Rreth prioriteteve që do të ketë si deputete në Parlamentin Nacional, Fanaj thotë: “Për mua gjithmonë rëndësinë më të madhe e ka tema e barazisë, ku bën pjesë barazia gjinore, barazia për njerëzit e hendikepuar, etj. Tema tjetër është ajo për shanset e barabarta në arsim, ndërsa tema e tretë do të ishte përfaqësimi i grupimeve dhe të drejtat e njeriut. Këtu hyjnë: migrantët, nënat vetushqyese, shfrytëzuesit e ndihmave sociale etj. Unë synoj të jem zëri i grupeve të margjinalizuara në shoqëri”, thotë Ylfete Fanaj, e nominuar për deputete në Parlamentin e Zvicrës, në zgjehdjet që mbahen në tetor të këtij viti.

Kush është Ylfete Fanaj

E lindur në Prizren në vitin 1982, Ylfete Fanaj në Zvicër ka ardhur në moshën 9-vjeçare. Këtu ajo ka ndjekur gjithë shkollimin fillor e të mesëm dhe ka mbaruar shkencat sociale. Fanaj ka qenë femra e parë shqiptare në Zvicër, e zgjedhur në një asamble komune dhe parlament kantoni. Po ashtu ajo është zgjedhur edhe shefe e grupit parlanentar dhe së fundi edhe nënkryetare e Parlamentit Kantonal. Për një kohë Ylfete Fanaj ka qenë edhe kryetare e organizatës Second@s në nivel të Zvicrës.