Të tjera

Federer nuk do të marrë pjesë në “Australian Open”

Roger Federer nuk do të luajë në turneun e parë Grand Slam të sezonit Australian Open, i cili do të mbahet në janar të vitit të ardhshëm në Melburn, përcjell albinfo.ch.

Ish-numri një i botës, Federer, ka thënë për gazetën zvicerane “Le Matin” se nuk do të luajë në turneun në Australi, sepse po rikuperohet pas operacionit në gju dhe shtoi se do të ishte shumë i lumtur nëse do të mund të luante në turneun e Wimbledonit.

Theksohet se Federer pritet të fillojë stërvitjet që në janar, kurse ai mund të kthehet në fusha tenisi në mars ose prill, gjë që varet kryesisht nga procesi i ardhshëm i rikuperimit.

“Operacioni ishte i pashmangshëm. Në të ardhmen, dua të shkoj në skijim me fëmijët dhe të luaj futboll ose tenis me miqtë. E di që është e vështirë, por besoj në mrekulli të tilla. Gjithashtu dua të shoh se çfarë tjetër mund të bëj në fushën e tenisit”, tha Federer.

Përpjekjet për t’u rikthyer në tenis i konsideron si një shprehje mirënjohjeje për tifozët që e mbështesin, Federer theksoi se tifozët e tij meritojnë të shohin një lojë më të mirë se ajo që tregoi sezonin e kaluar.

Pasi kaloi 968 javë në mesin e dhjetë tenistëve më të mirë në botë, 40-vjeçari Federer doli nga dhjetë të parët në listën e ATP-së muajin e kaluar.