Portrete të firmave

Firma zvicerane „DLA Fahrzeugbau“ investon në Kosovë

Gjithçka është gati dhe vitin e ardhshëm firma zvicerane me pronar shqiptar do të bartë një pjesë të prodhimit të rimorkiove në Prizren, si e para e këtij lloji në rajon që do të prodhojë rimorkio e gjysmërimorkio të kamionëve për transport e nevoja të ndryshme

Jemi mësuar zakonisht të lexojmë storie suksesi të shqiptarëve në ndërtimtari, gastronomi e biznese të tjera, mirëpo më pak për firma që prodhojnë e planifikojnë ta bartin një pjesë të prodhimit në Kosovë. Megjithatë, të tilla ka dhe në kësaj here do të sjellim një rrëfim suksesi të një prodhuesi shqiptar të ngarkesave për automjete industriale. Bëhet fjalë për Nehat Shalën. Ai ka lindur në Kosovë ndërsa si fëmijë ka emigruar në Zvicër, ku ka ndjekur shkollimin. Sot, Shala është sipërmarrës i suksesshëm me firmën „DLA Fahrzeugbau GmbH“, me seli në Muolen afër St. Gallenit si qendër rajonale e Zvicrës lindore.

Nehat Shala është pronar i firmës DLA Fahrzeugbau, e cila është e specializuar për riparim e prodhim të rimorkiove e gjysmërimorkiove hidraulike vetëlëvizëse, që përdoren për transportin, ngarkimin dhe shkarkimin e materialeve të ndryshme.

Ato bëjnë këso ngarkesash deri në 20 tonë për industrinë ushqimore, si frigoriferë lëvizës sipas porosisë dhe nevojave të bizneseve.

albinfo.ch

Ndërmarrja e re „DLA Fahrzeugbau GmbH“ është një vazhdimësi e prodhimit, riparimit e shitjes së makinave vetëshkarkuese trianëshe (Dreiseitenkipper), urave ngarkuese, rimorkiove dhe modifikimeve tjera të trianshme të provuara dhe të testuara nga firma “Krapf AG”, shkruan albinfo.ch. Në firmën e përmendur, pronari i firmës së re DLA Fahrzeugbau GmbH, Nehat Shala duke qenë për një kohë të gjatë i punësuar si specialist i prodhimit të ngarkesave për kamionë, ka blerë licencën e saj pasi pronarët po shkonin në pension.

albinfo.ch

Si e trashëgoi kompaninë me traditë 164-vjeçare

„Në shtator të vitit 2017 kam filluar punën me firmën DLA Fahrzeugbau, duke marrë produktin e firmës Krapf AG. Ajo ka qenë firma më e vjetër në Zvicër në këtë fushë, e cila ka pasur histori biznesi 164 vjeçare. Produkti ka qenë shumë i njohur dhe i mirë.

Unë ua kam blerë atyre licencën dhe e kam regjistruar këtë produkt në emër të firmës sime me të gjitha të drejtat, si „copyright“ dhe deri në fund të vitit 2023 s’guxon ta kopjojë askush“, shprehet Shala.

DLA Fahrzeugbau punon për një numër të madh biznesesh, duke filluar prej importuesit të Mercedesit për Zvicër e deri te kopshtarët e pavarur që bëjnë porosi individuale për nevojat e bizneseve të tyre. Aktualisht është duke modifikuar 118 copë të modelit Iveco për nevoja të tregut zviceran të një firme ushqimore të patatinave.

„Brenda një viti prodhojmë mesatarisht 80 copë“, tregon Shala për albinfo.ch. Ai na shpjegon se ka mbaruar shkollimin për prodhimin e rimorkiove dhe për 11 vjet ka punuar në firmën e mëparshme si drejtues i prodhimit. Pastaj pronarët i kanë bërë të ditur se do ta mbyllin firmën sepse s’kanë pasardhës për t`ua lënë. Keshtu Shala e ka blerë vetëm produktin dhe jo tërë firmën, sepse, thotë ai, „kushtonte shumë, nuk e përballoja“.

albinfo.ch

„Koka apo kamioni i blerë tek prodhuesi vjen tek ne dhe ne pastaj e ndërtojmë pjesën ngarkuese të kamionit, sipas porosisë. Firmat sjellin me numër shasie kamionin dhe në bazë të saj ne konifigurojmë, projektojmë, prodhojmë dhe garantojmë që tëre ky proces përmbushë të gjitha normat e përcaktuara me ligj nga shteti zviceran. Kështu, përmes kontrollit teknik lëshohet pastaj leja për përdorim dhe qarkullim në komunikacion e automjeteve me një urë ngarkuese të elektrizuar për ngarkim, shkarkim trianësh me garancion 5 vjeçar dhe një vit për pjesët“, shpjegon Shala.

albinfo.ch

Shala, aktiv edhe në sport

DLA Fahrzeugbau dhe pronari Shala janë po ashtu aktiv tek klubi futbollistik “FC Besa” si sponsor i klubit dhe trajner i juniorëve E.

Ai ndërkohë po zgjeron biznesin e tij edhe me dy firma tjera. Kurse në Kosovë tashmë ka projektuar tërë investimin dhe pret të nisë vitin tjetër punën atje.

„Dua që këtë prodhim që e bëj këtu ta dërgoj në Kosovë, pikërisht në Prizren. Në ish-kazermën e kontigjentit gjerman të KFOR-it janë dy objekte me rreth 1600 metra katrorë që do t`i fus në paraprodhim të ngarkesave për automjete industriale atje, në vitin 2021. Kurse këtu në Zvicër do ta bëj montimin final“, zbulon Shala.

Që kjo të funksionojë dhe paraprodhimi të bëhet sipas standardeve zvicerane, Shala planifikon të dërgojë dy punëtorë zviceranë atje për një periudhë dy vjeçare të udhëheqjes së punës derisa të aftësohet stafit vendor.

„E kam ndërmend ti dërgoj nga këtu për dy vjet dy punëtorë atje për ti mësuar punën të punësuarve atje“, zbulon Shala për albin fo.ch. Ai edhe vetë planifikon që gjysmën e kohës ta kalojë në mbikëqyrje të punës në Kosovë dhe gjysmën tjetër në Zvicër për të ruajtur kështu cilësinë e punës që ofron.

albinfo.ch

Rreth 7500 automjete furnizohen rregullisht me pjesë tek DLA Fahrzeugbau

„Në fillim, kur kam blerë produktin e firmës, kam pasur një lehtësim për t’u futur në treg pasi që kanë qenë rreth 7500 automjete aktive dhe pjesët për to nuk kanë mundur t`i porosisin dikund tjetër, përveç te ne. Me marrjen e licencës ata janë detyruar të vijnë tek unë dhe kjo ka qenë një nga pjesët lehtësuese për të marrë tregun e për të qarkulluar vetëm me pjesë.

Kemi punë edhe me Voralbergun e Austrisë, i cili ka pothuajse standardin e njëjtë sikur Zvicra“.

Kosova do të behët me investimin i parë dhe të vetëm të këtij lloji në rajon

„Besoj që do të kem sukses dhe do të kontribuoj sadopak atje për zbutjen e papunësisë por do të ndihmoj edhe biznesin tim, pasi që atje fuqia punëtore është shumë më e lirë se këtu.

Mbi të gjitha, atje nuk ka një firmë të ngjashme që bën këtë punë. Unë jam i vetmi që do të prodhoj ngarkesa të kamionëve dhe rimorkio për transporte e nevoja të ndryshme. Jo vetëm në Kosovë, por as në Shqiperi, Maqedoni e Mal të Zi nuk gjen asnjë firmë që bën këto prodhime. Kështu, me investimin tim në Kosovë, unë jo vetëm se reduktoj shpenzimet e firmës, por edhe e kap tregun i pari atje“, thotë Shala.

DLA Fahrzeugbau GmbH

Nehat Shala

Sonnental 11,
9313 Muolen SG

071 411 10 10
[email protected]