Bota

Fitorja e ngushtë ia vështirëson CDU/CSU-së ndërtimin e qeverisë

Pas tërheqjes së SPD-së nga bërja e qeverisë dhe forcimit të AFD-së ekstreme, ajo që mbetet e mundshme është lidhja me CDU/CSU-në e partisë së Gjelbër dhe FDP-së (Partisë Liberale)

Ndonëse ka pasur rënie prej 8 % në krahasim me zgjedhjet e kaluara, duke rënë në 33%, koalicioni CDU/CSU edhe pas zgjedhjeve të sotme prin në krahasim me partitë tjera.

Nga ana tjetër, SPD, partia tjetër e «Koalicionit të madh», ka rënë në 21 për qind, duke pësuar humbje me 4 për qind në krahasim me zgjedhjet e katër viteve më parë. Në emër të SPD-së, për kancelar ka kandiduar Martin Schulz, ndërsa me humbjen e shënuar, partia tashmë ka shpallur tërheqjen nga pjesëmarrja në qeverinë e vendit.

Ndërkaq, ajo nga e cila kishte frikë në opinion, ndodhi: partia e ekstremit të djathtë AFD i fitoi 13 për qind të votave dhe për herë të parë ia doli të hyjë në parlament. Mirëpo, të gjitha partitë tjera në garë, kanë përjashtuar mundësinë e hyrjes në një qeveri të përbashkët me AFD-në.

Së këndejmi, ajo që mbetet e mundshme është lidhja me CDU/CSU-në e partisë së Gjelbër dhe FDP-së (Partisë Liberale). FDP, me 10% të votave ka siguruar kthimin pas mungesë katërvjeçare në parlament.

Ngritja e AFD-së, partisë me prirje të qarta kundër të huajve, ishte diçka e paraparë, shkruan albinfo.ch. Aksionet e saj kundër “kulturës së mikpritjes” që kancelaria Merkel e kishte promovuar dy vite më parë në raport me fluksin e madh të refugjatëve, i kanë sjellë rezultate partisë.

Në fakt ajo ka llogaritur në pakënaqësinë e një mase të konsiderueshme të qytetarëve ndaj refugjatëve, dhe kjo i është shpërblyer.

Kjo parti i ka vënë vetes për qëllim “përzënien e Merkelit”. Njëri nga krerët e AFD-së, Gauland, ka deklaruar sot se “ne kemi ardhur për të mbetur”. Deklaratë që duhet kuptuar si shpallje lufte politikës së udhëhequr nga partitë e etabluara: CDU dhe SPD.