Integrimi

Flasin mësueset shqiptare të Zvicrës: Brikena Qafa-Osmani

Mësuesja Brikena është e intervistuara e parë në serinë prej disa intervistash që albinfo.ch ka zhvilluar me mësueset shqiptare të Zvicrës

Brikena Qafa-Osmani është mësuese në kuadër të LAPSH “Naim Frashëri” në Gjenevë. albinfo.ch i ka shtruar asaj disa pyetje standarde në lidhje me punën që bën, Ditën e Mësuesit, 7 Marsin etj.

albinfo.ch: Ku i ka rrënjët Brikena Qafa -Osmani?

Brikena Qafa-Osmani: Vendlindja ime është Berati. Unë rrjedh prej një familje mësuesish prej brezash, që nga gjyshërit e prindërit, të cilët më nxitën dashurinë për profesionin e mësueses.  

albinfo.ch: A ju kujtohet dita e parë si mësuese kur dhe ku?

Brikena Qafa-Osmani: Për herë të parë profesionin e mësueses e kam ushtruar në Kuala-Lumpur ne kryeqytetin e Malajzise. Kam punuar në një shkollë internacionale. Ka qenë mbresëlënëse si punë pasi kam pasur nxënës nga disa vende te botes. Por aty kam dhënë mësim në gjuhën angleze. Atje dita e mësuesit ka qene një ditë në muajin Qershor.

Kam pasur shumë emocione kur kam hyrë për herën e parë në klasë, por mësuesja që unë do ta zëvendësoja (pasi ajo do të largohej nga Malajzia) ma beri tepër të lehtë mikpritjen në klasë me nxënësit. Ishte hera e parë qe punoja si mësuese por për mua ishte diçka e veçantë pasi po filloja një punë që e dashuroja, një punë qe do të bënte te vazhdoja traditën e familjes time edhe pse jo ne vendin tim, diku larg ne botë tradita e familjes do te vazhdonte.

Në kontaktin e parë me nxënësit, isha tepër e ndrojtur, por shikoja ne sytë e tyre një ngazëllim, një kureshtje për të ditur më shumë për mua si mësuesja e re.

Ndërsa për mua ishte një privilegj qe gjendesha midis tyre, dhe ajo ndrojtja e mësueses se re me bënte në vetvete me të fortë dhe te isha e bindur qe do te beja gjithçka për ta për t’iu dhënë dijen dhe dashurinë si mësuesja e tyre.

albinfo.ch: Si e përjetoni festën e 7 Marsit? Cila është e veçanta e kësaj dite? A keni përgatitur me nxënës ndonjë veprimtari?

Brikena Qafa-Osmani: 7 Marsi kjo ditë e shënuar në historinë shqiptare edhe për mua është një ditë e veçantë më emocionon shumë sepse edhe këtu në mërgim po arrijmë të mësojmë fëmijët shqip si dhe të përcjellim kulturën dhe rëndësinë e kësaj feste.

Për këtë dite çdo vit unë përgatis një program të vogël me nxënësit: KËNGET me te bukura qe kemi mësuar për ketë dite janë: kënga e mësuesit, bashkë me vjersha për mësuesen.

albinfo.ch: Në ketë ditë a të kujtohet mësuesi juaj i parë? Kush ka qenë mësuesi i juaj i parë?

Brikena Qafa-Osmani: Po, mësuesja ime e pare ka qene Adelina Buda. Ushtronte profesionin e mësuesit ne shkollën: 7 Nëntori, Berat.

Ka disa vite qe nuk jeton më por çdo herë që unë kthehesha në Shqipëri shkoja e i bëja vizita. Gjithashtu shpesh herë prindërit e mi me kërkesën time shkonin e takonin kur ajo ishte në pension dhe nuk e ushtronte me profesionin e mësuesit, por për mua ajo ishte e ëmbla mësuese Adelina. E kujtoj shpesh e me shumë mall.

albinfo.ch: Çfarë do të thotë të jesh mësues apo mësuese e gjuhës shqipe në Zvicër?

Brikena Qafa-Osmani: Për mua si mësuese e gjuhës shqipe këtu ne Zvicër kjo detyrë fisnike është sa hyjnore aq edhe humane. Hyjnore pasi gjuha jonë është një gjuhë sa e lashtë dhe e bukur dhe ruajtja dhe te mësuarit e saj në brezat në diasporë është një përgjegjësi për ne. Humane pasi përcjellja e ruajtjes se gjuhës dhe identiteti kombëtar është një obligim.

Pra të jesh një mësues i gjuhës shqipe këtu në Zvicër apo kudo në diasporë do te thotë të jesh një pishtar, një shërbëtor i popullit, i kulturës dhe i traditës tonë kombëtare.

albinfo.ch: Lulet janë dhurata më zakonshme që nxënësi i dhuron mësueses, mësuesit si mënyrë për të shprehur atyre mirënjohjen dhe respektin për punën e tyre. A ju kanë sjellë nxënësit lule këtu në shkollën shqipe, a vazhdon tradita?

Brikena Qafa-Osmani: Çdo vit për festën e mësuesit kam marre lule nga disa prej nxënësve. Ne këto momente ndihesh sa e lumtur aq edhe e vlerësuar. Përveç luleve ka pasur raste me kane ardhur vizatime, apo kartolina te shkruara ne shqip nga vet nxënësit dhe kjo ka një mesazh tepër domethënës për mua.

albinfo.ch: Brezi i shqiptarëve të Mësonjëtores së parë u sakrifikuan shumë për gjuhën shqipe, ishin me të vërtetë brezi më shembullor i kombit shqiptar . Ata e donin kombin më shumë se jetën. A gjenden sot shqiptarë me ideale mahnitëse për gjuhën dhe kulturën shqiptare?

Brikena Qafa-Osmani: Po. Mund te them në punën time këto 6 vite këtu ne Gjenevë mund të gjesh shqiptarë me ideale të larta kombëtare. Prindër qe ua kërkojnë fëmijëve të tyre edhe pse brezi i 2, 3 qe ta mësojnë dhe ta ruajnë gjuhen dhe traditën shqiptare.

 Ndërsa për të tjerët që akoma nuk janë ne kë shkallë, unë si Brikena (jo vetëm si mësuese , por edhe si një nëna e dy fëmijëve te lindur e rritur në mërgim) do ti thosha te gjithë prindërve shqiptarë, nuk ka rëndësi çfarë brezi janë e si kanë ardhur por ata duhet ti edukojnë fëmijët e tyre me frymën qe gjuha, kultura dhe traditat e tyre shqiptare nuk do të jenë asnjëherë pengesë për ta për tu integruar ne ketë vend, por do të jenë një shtysë dhe një forcë. Do te jenë një pasuri tepër e vlefshme. Ruajtja e origjinës do t`i ruajë dhe do tu japë  krenarinë për identitetin. Duke ruajtur origjinën dhe krenarinë për identitetin e tyre ata do te jene gjithmonë me te arritur, me te kompletuar dhe te respektuar nga te tjerët.

 Autore: Nexhmije Mehmetaj