Integrimi

Florentina Ahmeti, mësuese dhe ndërtuese urash

Në mes të shkollës zvicerane dhe kulturës shqiptare. Florentina Ahmeti është mësuese dhe ndërtuese urash

Si vajzë tetëvjeçe ajo ka hyrë për herë të parë në një shkollë zvicerane. Sot, njëzet vjet  më vonë, ajo punon si mësuese e shkollës fillore në Schmerikon. Florentina Ahmeti flet lidhur me rëndësinë e prejardhjes saj të huaj në profesionin e arsimtares.

“Se prejardhja ime e huaj do të luante një rol kaq të madh në profesionin tim, në fillim nuk e kisha fare të njohur”, shpjegon mësuesja e re, në fillim të intervistës. Kolegët e saj arsimtarë i thonë se nuk vihet fare re se ajo është shqiptare. “Vetëm kur u tregoj mbi përvojat e mia personale si nxënëse në sistemin shkollor zviceran, atyre u bëhet e qartë se unë nuk e kam një prejardhje të njëjtë me ta”.

“Epo, kështu është me shqiptarët”

Paragjykimet ishin të thella edhe në ekipin e mësuesve. Paragjykime të cilat ata vetë nuk e kuptonin se janë të tilla. “Unë ua tërheq vërejtjen dhe provoj që atyre t`ua sqaroj një këndshikim tjetër në lidhje me një sjellje të caktuar, për t`ua thyer mendimet e thadruara thellë në kokat e tyre”, thotë Florentina. Në rastet kur ndonjë kolegë thotë “epo kështu është me shqiptarët”, ajo nuk lejon që të mbetet ashtu. Nga përvojat që mund të fitosh si mësues, me nxënës dhe prindër të veçantë, nuk mund të nxjerrësh çfarëdo përfundimesh lidhur me identitetin e kombeve të tëra. Por mësuesit janë shumë të interesuar që të mësojnë sa më shumë mbi kulturat e huaja. Shumë shpesh nga Florentina kërkohet që të rrëfejë mbi traditat, vlerat dhe zakonet shqiptare. “Ata nuk duan të ndikohen nga mediet dhe nga pamja negative që ato përçojnë”.

Por, në fakt ajo është bërë mësuese për t`i mësuar diçka nxënësit, për t`u ofruar atyre përmbajtje të caktuara, thjesht, për t`u dhënë mësim. Me kalimin e kohës, Ahmetit i ka rënë në sy se përgjithësisht ekziston një nevojë e shkëmbimit kulturor në mes të shkollës dhe shtëpisë, gjegjësisht prindërve të nxënësve. Përparësia e saj si mësuese shqiptare konsiston në atë se mësuesit, ashtu si dhe prindërit me prejardhje të huaj, i pranojnë ndryshe faktet kur ajo flet nga përvoja e saj personale.

“Shiko, zonja Ahmeti ia ka dalë, kështu që do t`ia dalësh edhe ti”, i thoshte një baba nga Sri Lanka bijës së tij, gjatë një mbledhjeje të prindërve. Para së gjithash nga prindërit migrantë, mësuesja e re merret si shembull për fëmijët e tyre. Ata e shohin se nuk është e pamundur që, si fëmijë migrantësh, të kesh sukses në mësime.

 Shkëmbimi ndërkulturor sjell integrimin

Kur Florentina Ahmeti flet për atdheun e saj, religjionin ose fëmijërinë e saj në Preshevë dhe më vone në Zvicër, nxënësit e saj e dëgjojnë me vëmendje. “Kjo i motivon nxënësit që të rrëfejnë për veten, për shtëpinë e tyre dhe për traditat, pavarësisht nëse janë folës të gjuheve të huaja ose zviceranë. “Përmes kësaj arrihet një shkëmbim me vlerë mbi mënyrat e jetës dhe identitetet, jo vetëm në mes të mësueses dhe nxënësve por edhe në mes të vetë shokëve e shoqeve të klasës.

“Unë shpresoj se me këtë, do ta forcoj kompetencën ndërkulturore të nxënësve të mi”. Por, mësuesja e re i përgjigjet me jo pyetjes nëse ajo në klasën mësimore përcjell vlera të ndryshme nga ato të mësuesve të tjerë. Ajo transmeton vlera të cilat në shkollat zvicerane janë të zakonshme, gjë që ka shumë rëndësi pasi që përmes kësaj bëhet promovimi i integrimit të fëmijëve me gjuhë të huaj.

Promovimi i integrimit dhe këmbimi ndërkulturor: këto bëjnë pjesë për Florentinën në përditshmërinë e saj profesionale si mësuese dhe ndërtuese urash.

 

„Zonja Ahmeti ia ka dalë, do t`ia dalësh edhe ti“

“Shiko, zonja Ahmeti ia ka dalë, kështu që do t`ia dalësh edhe ti”, i thoshte një baba nga Sri Lanka bijës së tij gjatë një mbledhjeje të prindërve. Para së gjithash nga prindërit migrantë, mësuesja e re merret si shembull për fëmijët e tyre. Ata e shohin se nuk është e pamundur që, si fëmijë migrantësh të kesh sukses në mësime.

Ermira Ljutvija


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI