Lajme

Franca drejt heqjes së bllokadës ndaj Maqedonisë së Veriut

Sinjale pozitive vijnë nga Franca sa i përket negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë.

Qeveria franceze tha se do të mbështesë një draft-reformë për mënyrën se si Brukseli do të menaxhojë negociatat me shtetet kandidate, potencialisht duke i hapur rrugën hapjes së bisedimeve me Shkupin dhe Tiranën.

Sipas asaj që raporton media ndërkombëtare “Politico”, ministrja franceze për BE-në, Amelie de Montchalin, kërkon që reforma duhet të adoptohet përpara se të jepet drita jeshile për të dyja vendet muajin e ardhshëm.

“Në bazë të situatës që do të raportojë Komisioni Europian në mars, ne duhet të sigurohemi që kushtet janë përmbushur”, citohet të thotë De Montchalin.

Plani i ri për metodologjinë e zgjerimit do të prezantohet të mërkurën në Bruksel nga Komisioneri për Zgjerim Oliver Varhelyi.

Ministrja franceze tha se ka pasur një bisedë shumë konstruktive me zyrtarin e Brukselit, por kërkoi që procesi i integrimit të jetë i kthyeshëm.

Ndërsa, saktësoi se drita jeshile për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë nuk do të varet vetëm nga plani reformues. De Montchalin theksoi se vendimi i Francës do të ndikohet edh nga progresi në të dyja vendet dhe reformat e zbatuara.

Sa i përket çështjes së negociatave, “Financial Times” publikoi një shkrim në të cilin theksohet se plani i ri i BE-së për zgjerimin do të përfshijë investime dhe integrim të afërt me politikat, tregjet dhe programet e Bashkimit Europian. Gjithashtu media ndërkombëtare thekson se reforma e re e Brukselit shton shanset për një dritë jeshile për negociatat me Shkupin dhe Tiranën.