Bota

Gjermani: Kapen 252 orë të falsifikuara me destinim Shqipërinë

Krahas orëve të dorës, aty janë gjetur edhe 148 qese përkatëse prej letre me mbishkrimet e falsifikuara të markave të njohura të orëve

Zyrtarët doganorë të Aeroportit të Frankfurtit, Gjermani, kanë konfiskuar 252 orë dore të falsifikuara. Orët gjendeshin në një dërgesë nga Hongkongu dhe destinimi i tyre ishte tregu i Shqipërisë, ka deklaruar të enjten një zëdhënëse e zyrës doganore, shkruan welt.de.

Krahas orëve të dorës, aty janë gjetur edhe 148 qese përkatëse prej letre me mbishkrimet e falsifikuara të markave të njohura të orëve.

Falsitetin e këtyre orëve e kanë konfirmuar dy prodhues origjinalë, falsifikimet e të cilave janë kapur, kanë deklaruar më tutje zyrtarët doganorë. Çmimi në treg i orëve, sikur ato të ishin origjinale, sillet rreth 60500 euro.

Këtë zbulim, doganierët e kanë bërë më 26 mars, por publikimin e lajmit e kanë bërë të enjten, më 18 prill.

Orët e falsifikuara janë shkatërruar me urdhër të autoriteteve përkatëse.