Lajme

Frizer Ludi: “Bakshishin e ndaj për të varfrit”

Puna e tij e veçantë profesionale, prerja dhe stilizimi i ndryshëm i flokëve dhe mjekrës, sjellja me klientë dhe pastërtia në sallonin e tij, e bëjnë “Frizer Ludin” të jetë një nga floktarët më të preferuar në Vjenë

Po të shkosh pa termin për t’u qethur në sallonin e frizer Ludit, të duhet të presësh në radhë. Edhe pse ai bashkë me tetë punëtorët e tij punojnë nga mëngjesi deri në orët e vona të natës, janë të shumtë klientët që presin dhe dëshirojnë të rregullojnë flokët e tyre në këtë sallon. Sapo të zësh vend, Mevlud Rexhepi, i njohur në Vjenë si frizer Ludi, me mirësjellje vjen e të përshëndet. Të pyet nëse je për një kafe apo pije freskuese. Dhe, kështu nuk ishte vetëm me mua, por me secilin klient të tij.

“A ke termin?”, e pyet Ludi një klient që sapo u përshëndet me të. “Jo”, i tha ai. “Në rregull vëllaçko, për 20 minuta të vjen radha. Merr diçka për të pirë të lutem”, ia kthen Ludi teksa vazhdon t’i presë flokët një klienti tjetër. Njerëz që presin në radhë për qethje në këtë sallon nuk i gjen vetëm gjatë ditës së shtunë kur ne e vizituam, por secilën ditë të javës (përveç ditës së diel).

“Përkushtimi dhe korrektësia, sjellja e mirë me klientë, por edhe pastërtia në sallon, janë suksesi i punës sonë. Ne, sallonin e kemi nisur me tre punëtorë, kurse tash i kemi tetë”, thotë Ludi, i cili ndonëse në vlugun e punës, ndau kohën edhe për t’iu përgjigjur pyetjeve tona.

Nacionalitete të ndryshme, por kryesisht shqiptarët janë klientët e tij të përditshëm, ndërsa deri para pandemisë, në kohën kur organizonin mbrëmje muzikore në Vjenë, sallonin e tij e frekuentonin edhe personalitete të njohura të muzikës dhe artit shqiptar.

“Klientët e mi janë të rregullt dhe janë shumë të sjellshëm. Ata janë në gjendje të presin kohë të gjatë dhe të mos shkojnë diku tjetër të qethen. Por, edhe unë mundohem të jem sa më i afërt me ta. Ndodh që shpesh herë rri vetëm për hir të tyre dhe punoj edhe pas orarit të punës”, shprehet ai.

 

Ditën punoja në ndërtimtari, në mbrëmje qethja flokë

Mevlud Rexhepi është nga Kumanova. Si frizer punon prej vitit 1998. Në periudhën mes vitit 2000 dhe 2004, ai kishte sallonin e tij në Kumanovë. Në atë vit, migron për në Vjenë. Ludi ndan për ne disa copëza jete për vitet e para pas ardhjes në Austri.

“Fillimet kanë qenë të vështira. Më kujtohet që për disa vite, ditën punoja në ndërtimtari e në mbrëmje qethja flokë në shoqatën “Iliria”. Njerëzit filluan t’i besojnë punës sime. Ishte kërkesa e madhe për t’u qethur tek unë. Në mbrëmje nuk arrija t’i plotësoja kërkesat e të gjithëve, kështu që vendosa të hap sallonin tim”.

Tash e pesë vjet, pra që  nga viti 2016, Ludi ka sallonin e tij në Buchengasse 67c në Bezirkun e 10-të në Vjenë.

“Është një punë interesante, sepse ke kontakt me njerëz të ndryshëm. Është paksa e lodhshme, por që të sjellë kënaqësi. Përveç kësaj, është një profesion që të ofron një jetë mesatare, prandaj ia vlen të merresh me të”, shton ai.

Për më shumë se një vit edhe biznesi i tij si shumë të tjera është goditur nga pandemia. Ai thotë se gjatë kësaj kohe, lokali i tij më shumë ka qenë i mbyllur sesa i hapur.

“Ka qenë një vit i vështirë. Më shumë kemi qenë të mbyllur sesa kemi punuar. Shteti austriak na ka ndihmuar, por shumë pak, dhe jo aq sa flitet nëpër media. Asnjë nga punëtorët nuk i kam pas çlajmëruar, por i kam paguar me kursimet që i kam pasur”, tregon Ludi.

Për gjithë suksesin e tij, ai falënderon në radhë të parë bashkatdhetarët tanë, shqiptarët që gjithmonë e vizitojnë dhe sigurisht bashkëshorten dhe familjen e tij, për përkrahjen e vazhdueshme.

Ludi me Halil Kastratin

Ludi, jo vetëm frizer, por edhe humanist i dalluar

Ludi në Vjenë nuk njihet vetëm si frizer i dalluar, por edhe për mbështetjen e aktiviteteve shqiptare në Austri dhe ndihmën e familjeve të varfra në Kosovë e Maqedoni. Gjithashtu ai, prej kohësh është edhe kontribuues i rregullt i shoqatës humanitare “Jetimët e Ballkanit”.

“Aq sa kam mundësi, e bëj me zemër. Ndihmat i bëj për Zotin, jo t’i bëj publike për popullin. Kurrë “bakshishin” që e marr nga klientët nuk e dërgoj në shtëpi. Atë gjithmonë e dhuroj për të varfrit”, tregon Ludi.

Kërkesat e vazhdueshme të klientëve, kanë shtyrë që frizer Ludi të planifikojë hapjen edhe të një salloni tjetër, por këtë do ta bëjë vetëm pasi të normalizohet plotësisht situata e pandemisë.

Box

Punëtorët, gjatë bllokimit, i ka paguar me kursimet e veta

“Ka qenë një vit i vështirë. Më shumë kemi qenë të mbyllur se sa kemi punuar. Shteti austriak na ka ndihmuar, por shumë pak, dhe jo aq sa flitet nëpër media. Asnjërin nga punëtorët nuk i kam pas çlajmëruar, por i kam paguar me kursimet që i kam pasur”, tregon Ludi.

Box 2

Kontribues i rregullt për “Jetimët e Ballkanit”

Ludi në Vjenë nuk njihet vetëm si frizer i dalluar, por edhe për mbështetjen e aktiviteteve shqiptare në Austri dhe ndihmën e familjeve të varfra në Kosovë e Maqedoni. Gjithashtu ai prej kohësh është edhe kontribuues i rregullt i shoqatës humanitare “Jetimët e Ballkanit”.


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI