Turizëm

Gazetarët sllovakë: Shqipëria, destinacion i rëndësishëm turistik në Europë

Shqipëria turistike këtë herë ishte në fokusin e disa përfaqësuesve të medieve sllovake. Gjatë udhëtimit të tyre ata bënë një itinerar turistik dhe kulturor, ku vizituan Tiranën, Durrësin, Fierin (Apolloni) dhe Vlorën.

Para largimit nga Shqipëria, për Agjencinë Telegrafike Shqiptare ata shprehën përshtypjet e tyre për këtë udhëtim interesant në Shqipëri.

Ata e cilësuan vendin tonë si një nga destinacionet turistike të rëndësishme në Europë. Gjithashtu gazetarëve sllovakë, të cilët mbulojnë sektorin e turizmit, u kishte lënë mbresa ndërthurja e mrekullueshme mes kulturës, bukurive natyrore, trashëgimisë dhe gastronomisë.

“E shohim që Shqipëria është në fazën e zhvillimit të turizmit. Mund të bëhet një destinacion shumë interesant, pasi ofron detin, historinë, trashëgiminë dhe gjelbërim. Me siguri do të bëhet një destinacion i rëndësishëm në Europë. Ditën e parë vizituam Tiranën, pastaj Durrësin dhe pata një eksperiencë të mrekullueshme në Apolloni. Njerëz shumë të këndshëm, miqësorë dhe simpatikë. Në muzeun arkeologjik të Durrësit takuam studentë, të cilët ishin shumë të qeshur dhe të sjellshëm me ne. Ata janë e ardhmja juaj”, tha njëra nga gazetaret sllovake.

Ndërsa një tjetër gazetar sllovak u tha “kam qenë këtu tre vjet më parë në Shëngjin dhe duhet të them se sa më shumë të zbresësh në jug, aq më bukur është. Vlora ka qenë një destinacion i preferuar për turistë, por besoj se dhe zonat  e tjera janë shumë tërheqëse. Jam i lumtur që kthehem dhe shoh se keni bërë shumë përparim. Në Durrës, Golemi ishte shumë i bukur, por edhe Vlora më ka impresionuar shumë.  Në darkë ishte shumë bukur, kishte hapësira ku mund të bisedoje me njerëzit dhe të kaloje një pasdite shumë të këndshme”.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në ATSH.