Muzikë

Gentjana Tafili, “ambëlsia e kangës shkodrane në Zvicër”

“Zëri i saj kishte tendencën t`i afrohej vokalit që i shkon përshtat muzikës klasike edhe të kishte një shpalosje  shumëdimencionale, të cilën çdo artist do ishte krenar të posedonte”

Më ka bërë përshtypje gjithmonë tek njerëzit veç të tjerash një virtyt, ai i punës me pasion e dashni! Përkushtimit pa kushte, edhe pa qenë të detyruar të bëjnë atë çka bëjnë , përveçse duan! E ky virtyt lartësohet kur puna kolosale e bërë nuk shoqërohet as me mendjemadhësi,  as me fjalë të tepërta , veçse lihet në heshtje….

Jo shpesh i kam gjetur të dyja së bashku,  por në këtë rast për të cilin kam zgjedhur të flas,  kam gjetur shumë më tepër sesa kaq ! Nisur nga fakti se asnjëherë nuk flet për veten, nuk shfaqet shumë në intervista apo në studio televiziv , nuk ka dëshire të lavdërohet, vendosa të flas unë për të .

Në rreshtat e këtij  shkrimi do të gjeni thjeshtësinë e një njeriu të lartë, një vajze shkodrane si Gentjana Tafili. Ky emër flet shume jo vetëm për mua që kam pasur fatin ta njoh personalisht por edhe për qytetin e Shkodrës, në artin e të cilit Genta ka dhënë me gjithë finesën e mundshme kontributin e saj .

Talenti i saj spikat që në vogëli, kur këndonte plot pasion këngët e bukura të muzikës për  fëmijë.

Është në vitin e parë të gjimnazit kur spikat për zërin e saj të veçantë, megjithëse kishte nisur të këndonte shumë më herët në Qendrën Kulturore të Fëmijëve. Në një brez të pasur me talente, zëri i saj i veçantë do të meritonte shumë duartrokitje që në koncertet e para të këngës për fëmijë.

Rritja në moshë do ta rriste edhe artistikisht Gentjanën e cila përzgjidhet nga Mjeshtri i muzikës Ilir Zoga si dhe nga klarinetisti i mirënjohur shkodran Mjeshtër i madh Nimet Salabegu, ndër këngëtaret më të mira të qytetit të Shkodrës.

I kalon lehtësisht barrierat e këngëve shkodrane që kanë kërkesa të larta

E apasionuar pas Këngës Qytetare Shkodrane, me këtë artiste, ishte shumë e thjeshtë të punoje sepse shtrirja e saj vokale të lejonte të kaloje barrierat edhe vështirësinë që kishin këto këngë elitare.

Që nga jaret që nuk i këndojnë dot të gjithë, e deri tek këngët që masivisht këndoheshin në qytet , Gentjana i bëri pjesë të repertorit të saj artistik.

Zëri i saj kishte tendencën t`i afrohej vokalit që i shkon përshtat muzikës klasike edhe të kishte një shpalosje  shumëdimencionale, të cilën çdo artist do ishte krenar të posedonte. Ishin vitet e para të tranzicionit, një kohë kur ishte e vështirë në çdo drejtim, kur Genta zgjodhi të ndiqte ëndrrën edhe t`i dedikohej tërësisht muzikës.

Bashkëpunimet e para si këngëtare profesioniste i pati me Profesorin e mirënjohur të qytetit të Shkodres, Drejtuesin e muzikës në Teatrin “Migjeni”, profesorin Ilir Zoga. Atëherë një vajzë e re, me ambicie edhe përkushtim të lartë, i tregoi qytetit por edhe diasporës se dalja e saj në skenë nuk qe një rastësi, por një përshfaqje e vlerave të vokalit edhe interpretimit , të cilat në nisje qenë një “talent” e ndërsa sot janë të kultivuara tek Genta si vlera profesionale .

Miku i saj i kahershëm por edhe ndër bashkëpunëtorët e saj të parë, profesor Ilir Zoga shprehet kështu për këngëtaren Gentjana Tafili: “Gentjana, nji mike dhe kolege e hershme, shume e respektuar dhe e dashur, me vlera njerëzore të jashtëzakonshme, për tu admiruar.

Në të gjitha herët, bashkëpunimet me të kanë qënë mjaft të suksesshme. E si mos të jenë të tilla  nga kjo vajzë e talentuar dhe shumë pasionante për muzikën në përgjithësi e për këngën shkodrane në veçanti. Një këngëtare që identifikohet nga timbri i zërit mjaft i veçantë dhe i pastër, nga talenti dhe përkushtimi maksimal për realizimin me përpikëri të të gjitha këngëve që këndon, nga thjeshtësia dhe sinqeriteti i saj në punë dhe në jetë”.

Pas koncerteve të para të realizuara në Shqipëri , Gentjana Tafili do të zhvendosej në Zvicër, atje ku u dallua për talentin e saj në muzikë edhe ku të gjithë ata që e donin këngën shkodrane dhe atë shqiptare, e ndiqnin me shumë dëshirë sa herë që interpretonte live .

Megjithatë të qenët emigrant në një vend të huaj e të panjohur nuk ishte aspak e lehtë. Përveç ëndrrës për tu bërë një këngëtare e realizuar ajo nuk mori asgjë me vete nga vendi i saj. Kështu që gjithçka nisi nga zero që nga formimi i saj profesional tashmë në një tjetër shtet, e deri tek realizimi i ëndrrës i cili nuk mbeti asnjëherë vendnumëro.

Megjithëse në një vend të huaj , me një përkushtim të jashtëzakonshëm arriti të përshtatej duke mësuar gjuhën , madje edhe në dialektin e zonës , e duke u thelluar në studime të njëpasnjëshme arriti që të hyje në sistemin arsimor zviceran, aty ku jep kontributin e saj edhe sot , sidomos në mbështetje të fëmijëve dhe prindërve shqiptarë.

Por përveç se do të realizohej si vajzë edhe si grua e zonja  profesionalisht , ajo asnjëherë nuk ndali lidhjen e saj me muzikën .

Këtë lidhje të bukur e të dashur për të,  e bëri të mundur përmes kurseve profesionale që ndiqte për muzikën klasike , por edhe formimit të përgjithshëm muzikor e kulturor, përmes veglave muzikore të cilat i studion edhe sot në vazhdimësi .

“Gentjana vazhdon të marrë mësime të këndimit kryesisht të stilit klasik me Sopranon e mirënjohur Klodiana Brahimi si dhe mësime të kitarës me mësuesin zviceran Andy Lehner.

E ndodhur larg vendit atje ku nisi të spikaste për talentin e saj ,tërhoqi vëmëndjen e shumë institucioneve  , ndër të cilat do të doja të ndalesha specifikisht tek LAPSH por edhe kori i kantonit të Aargaut  “Chor & Bunding”.

Ndër sukseset e saj më të mëdha atistike kanë qenë koncertet  e realizuara me këto institucione, por edhe bashkëpunimi me artistë të tjerë. Gentjana së bashku me muzikantin Rafael Lishi  ka marrë pjesë në disa aktivitete ndërkulturore në Zvicër me pjesëmarrës zviceranë dhe kombësi të ndryshme ku paraqitet me muzikë shqiptare. Ajo është e ftuar së fundmi në festën jubilare të 50 vjetorit të themelimit të Caritas-it të Aargaut në Zvicër.

Transmeton elegancë dhe finesë

Një ndër emrat e shquar të muzikës, i njohur ndërkombëtarisht, sidomos për punën e tij në muzikën klasike , kompozitori edhe Mjeshtri i madh Zef Çoba për artisten Genjana Tafili do të shprehej kështu :

“Këngëtarja Gentjana Tafili e ka filluar rrugën e artit që në moshë të njomë, duke marrë pjesë në festivalet Lokale e Kombëtare të Këngës për Fëmijë. Megjithëse jeton prej vitesh jashtë vendlindjes dhe vendit të saj , nuk është shkëputur nga pasioni për muzikën dhe artin e interpretimit të këngës, kryesisht asaj shqiptare . Ajo po e pasuron vazhdimisht repertorin në të cilin bien në sy veçanërisht këngët e zgjedhura e të bukura shkodrane, të qytetit të saj të lindjes .

Në larminë e madhe të interpretëve , ajo vjen me zërin edhe timbrin e saj origjinal dhe interpretimin e sinqertë . Një tjetër dukuri që bie në sy në punën e saj artistike , është ambicia edhe këmbëngulja për të zgjeruar repertorin e realizimeve të saja me krijime të reja , duke dhënë kështu një kontribut për nxitjen e mendimit krijues. Për këtë ajo bashkëpunon në mënyrë sistematike me krijues e poetë , kompozitore e producentë të njohur. Me finesën edhe elegancën që i transmeton artistikisht këngët është gjithnjë e dashur dhe e pelqyer nga artdashësit dhe admiruesit e saj të shumtë”.

Sa kënaqësi e privilegj për çdo artist të punosh me emra të tillë të cilët vetë puna e tyre i ka lartësuar. E aq më tepër të dëgjosh të citohen fjalë kaq të mira, prej atyre artistëve të cilët janë gurë të çmuar të muzikës tonë, ndër ta një vend të veçantë ka Profesori Zef Çoba.

Në këtë shkrim përveçse mendimeve të mia pozitive edhe përshtypjeve të mia, kam dashur të jenë pjesë edhe  emra të mirënjohur të muzikës të cilët dinë të njohin elementet e vlefshëm të saj. Një ndër ta, të cilit me kënaqësi i kam kërkuar një mendim, është Profesor Gjon Shllaku .

Profesor Gjoni ka bashkëpunuar me Gentjanen në një ndër produksionet e saj më të fundit , në këngën e bukur të të pavdekshmit Prenkë Jakova, “Margjelo”. Drejtuesi i Korit polifonik “Prenkë Jakova” shprehet kështu:

“Unë e vlerësoj pozitivisht aktivitetin interpretues të këngëtares  së mirënjohur Gentjana Tafili, e cila me thjeshtësi interpretuese, me një zë të pastër – karakteristik për këngën qytetare shkodrane, ka sjellur e vazhdon të realizojë modele të reja të repertorit më të mirë, e të zgjedhur të saj. Sidomos realizimet e videoklipeve të kohëve të fundit, dëshmojnë për një aktivitet e performance në rritje, që i përshtaten një artistje tashmë të formuar e me prespektivë suksesi”

E lidhur përjetësisht me perlat e qytetit të saj të lindjes, Shkodrës

Jo vetëm një aktivitet jashtë vendit por edhe shumë bashkëpunime me emra të mirënjohur të muzikës e kanë bërë Gentjanën të kthehet shpesh në atdhe. Këngët e realizuara ndër vite kanë qenë të shumta, duke e pasuruar artistikisht repertorin e saj edhe duke e bërë atë të jetë një surprizë në sytë e artdashësve .

Potpuri dhe kolazhe me këngët shkodrane do të ja linin vendin albumit të saj të parë i cili përmban jo vetëm këngë të reja , por edhe perla të muzikës së qytetit tonë  si këngët “Ti më je si një Gonxhe” apo “Margjelo”. Për realizimet e këngëve të saja  të reja Gentjana i ka tejkaluar kufijtë e Shkodrës duke bashkëpunuar edhe me emra famozë të muzikës aktuale si: kompozitori edhe pedagogu Enis Mullaj apo kompozitorja edhe pedagogia Erjona Rushiti. Deri tani nga ky album i mirëkuruar në çdo detaj janë prezantuar këngët edhe klipe te materjaleve të bukura muzikore si “Shkodrës” apo balada e mrekullueshme “Kam harru”.

Për realizimin e këtyre këngëve të bukura u desh një investim i madh shpirtëror e emocional nga Gentjana , por edhe bashkëpunëtorët e saj .

Jo vetëm bashkëpunime të frytshme me muzikantë , por edhe me tekstshkrues e poetë të mirënjohur , ndër ta edhe Mjeshtri i Madh   Ramazan Çeka  kanë shprehur me kënaqësi mendimin e tyre për artisten e talentuar Gentjana Tafili

Në kopshtin e këngës popullore shkodrane, çeli edhe një lule e bukur dhe e këndshme, Gentjana Tafili që jeton në Zvicër dhe këndon shqip, e cilësuar nga poeti i madh Agim Doçi si “Ambëlsia e kangës shkodrane”. Kënga popullore qytetare shkodrane u bë pasioni i saj që kur ishte fëmijë dhe që i dha shtysë për të zgjeruar repertorin me këngë shkodrane, të vjetra dhe të reja. Vokali i saj është shumë i bukur, është besnike e traditës por edhe në kërkim të vazhdueshëm të vetvetes. Duke u përballur gjithnjë e më shpesh me skenën, si dhe njohja me këngëtarët e vjetër krijuan tek ajo një marrëdhënie të ngrohtë me spektatorin, e cila influencoi shumë edhe në interpretimin e këngëve popullore me një siguri dhe profesionalizëm. Prirjet dhe talenti i saj, eksperienca jashtë shtetit dhe njohja e artit bashkëkohor, zgjeroi edhe më tepër nivelin e saj si këngëtare. Ajo brenda pak vitesh krijoi personalitetin e saj artistik, duke u bërë një këngëtare shumë e njohur dhe e dashur për të gjithë. Ajo mori pjesë në “Sofrën shkodrane”, por edhe në koncertet që Agjensia e Spektakleve “Buna 1” organizon herë pas here, si dhe në shumë aktivitete të tjera, ku u identifikua si një këngëtare me të ardhme. Bota e saj e brendshme është e madhe, duke krijuar gjithnjë e më tepër tipare më origjinale e më të mëdha të një artisteje me shumë autoritet skenik dhe artistik.

Gentjana Tafili po përgatitet të sjellë së shpejti albumin e saj të parë, i cili për muzikën shkodrane do të jetë si një fllad që fryn nga larg , merr nga liqeni , përkëdhel Bunën e kalon mbi Rozafë … E përhap në Shkodër me finesën që e karakterizon , botëkuptimin e një artisteje të veçantë…

Autore: Linda Kavaja, Shkodër

 


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI