Bota

Gëzuar fillimin e dekadës së re!

Në Berlin festuan së bashku qindra-mijëra njerëz para Portës së Brandenburgut. Festimet kanë filluar edhe në të gjitha anët e tjera të botës. Ka pasur edhe incidente dhe një tragjedi në Krefeld.

Miliona njerëz kanë festuar gjatë natës së kaluar ardhjen e Vitit të Ri 2020 së bashku në Berlin, Hamburg, Mynih, Këln dhe të gjitha qytetet e tjera të Gjermanisë. Një fishekzjarr i madh u organizua në Berlin, pranë Portës së Brandunburgut, ku fishekzjarret private nuk ishin të lejuara. Hapësira pranë Portës së Brandenburgut ishte e mbushur me orë të tëra para ndërrimit të motmoteve. Për argëtim u kujdesën këngëtarë të njohur nga Gjermania dhe vendet e tjera.

Policia njofton se gjatë festimeve nuk ka pasur incidente me pasoja në njerëz. Janë arrestuar tre persona për shkak të ngacmimeve seksuale. Por, një tragjedi e rëndë ka ndodhur në Krefeld, në një kopësht zoologjik, ku ka shpërthyer një zjarr, të cilin nuk e ka mbijetuar asnjë prej majmunëve të vendosur në këtë vend. Mendohet se shkaku i kësaj tragjedie të rëndë janë fishekzjarret, por policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Deri tani nuk ka të dhëna për pasojat në njerëz.

Deutschland Brand in Krefelder Zoo – alle Tiere im Affenhaus tot (picture-alliance/dpa/D. Young)
Në Londër është festuar në sheshet qendrore ardhja e Vitit të Ri 2020. Në kohën e ndërrimit të motmoteve u dëgjua edhe Big Ben, ndonëse në afërsi po bëhen meremetimet e Parlamentit. Në Londër ka pasur edhe fishekzjarre gjigante.

Pranë Portës Triumfale në Paris janë mbledhur me dhjetëra mijëra njerëz për të shikuar fishekzjarret tradicionale në kohën e ndërrimit të motmoteve. Në mesnatë u mbulua i tërë qielli nga fishekzjarret. Avenue des Champs-Élysées ishte i mbushur me njerëz. Në të gjitha këto qendra ka pasur masa të mëdha sigurie, për shkak të sulmeve dhe tragjedive që kanë ndodhur në vitet e kaluara në kohën e festave. Thuhet se vetëm në Francë janë angazhuar rreth 100.000 policë dhe forca sigurie, që janë kujdesur që gjërat të kalojnë pa indicente.

Festime janë shënuar edhe në Moskë (si qyteti i parë evropian, i cili ka shënuar ardhjen e Vitit të Ri) dhe në të gjitha qendrat tjera evropiane. Gjithandej ka pasur masa të mëdha sigurie.

Vendet që festuan të parat

Vendet e para të cilat kanë përshëndetur Vitin e Ri janë Samoa dhe Kiribati. Interesimi më i madh ka mbretëruar për fishekzjarret në Sydney të Australisë, ku janë mbledhur rreth një milion njerëz. Australia ka ndaluar në disa vende fishekzjarret për shkak të temperaturave të larta dhe frikës nga zjarret.

Edhe në SHBA kanë festuar në rrugë miliona njerëz ardhjen e Vitit të Ri. Në Times Square në New York u mblodhën me dhjetëra mijëra njerëz për të përshëndetur së bashku ardhjen e Vitit të Ri. Festimet publike janë ndaluar në Hong-Kong, për shkak të frikës nga trazirat dhe protestat, që po zgjasin e me muaj të tërë në këtë vend.