Gruaja

Gjakovarja që po bën bujë në filmat dhe modën franceze

Aktorja dhe modelja, Kleofina Pnishi, e cila jeton në Marsej të Francës, për “albinfo.ch”, flet lidhur me përvojën dhe suksesin e saj në fushën e modës dhe aktrimit

Është 22 vjeçare, e lindur në Gjakovë por që nga fëmijëria jeton në Francë (Marseille). Bëhet fjalë për aktoren dhe modelen e njohur në Francë, Kleofina Pnishi. Kleofina për revistën “albinfo.ch”, flet për përvojën dhe suksesin e saj në fushën e modës dhe aktrimit. Që në moshë të vogël, ajo ka imituar personazhe të filmave dhe njerëz që e rrethonin. Aty ka kuptuar edhe prirjen për aktrim. Idhulli i saj është Angjelina Xholi, ngase thotë se gjithmonë ka qenë dhe akoma është një artiste realiste.

Albinfo.ch: Keni luajtur në shumë filma dhe seriale të ndryshme franceze. Mund të na i përmendi disa prej tyre dhe a keni pasur vështirësi për të arritur deri aty ku jeni? 

Kleofina Pnishi: Kam luajtur në serialin “Plus belle la vie” dhe “Petits secrets entre voisins”. Po ashtu kam qenë pjesë e filmave “Les meurtres du Mont Ventou” dhe “Le mystere du lac”. Të them të drejtën, për mua nuk ka qenë e vështirë të arrij deri këtu, sepse që nga audicioni i parë jam pranuar për të luajtur në film, ndonëse këtë ëndërr e kisha që në fëmijëri.

Cili do të ishte roli në një film të cilën do ta kishe refuzuar?

Para një viti kisha një ofertë për të luajtur në një film të madh, xhirimet e të cilit do të fillojnë në vitin 2017. Ishin disa skena të cilat unë nuk e ndjeja vetën ende komode për të luajtur në to. E refuzova ngase nuk bëj asgjë nëse nuk e ndjej me zemër.

Me cilin aktor do të kishe dëshirë të jesh partnere në një film?

Adrien Brody, është aktori im i preferuar dhe do të dëshiroja që të jemi partnere e tij në një film.

Përveç aktrimit ju merreni edhe me modelim. Si u hapën dyert e modës për ty?

Faktikisht me modelim kam filluar të merrem para se t’ia filloj me aktrim. Në vitin 2014 fitova një konkurs për fotogjeni, pjesë e të cilit ishin 2500 vajza. Që nga ai shpërblim, mora oferta të ndryshme nga kompani të shumta të modës në Francë.

Të jesh modele është gjë e bukur, por edhe sfiduese, apo?

Sfida më e madhe është ngase modelizimi bazohet edhe në pamjen fizike. Normalisht se duhet të kesh kujdes dhe të jesh gjithmonë në top formë, pasi që konkurrenca është shumë e madhe në këtë fushë.

Cilat janë disa nga eksperiencat tuaja në fushën e modës?

Kam eksperienca shumë të mira, sidomos tek pjesa e udhëtimeve të ndryshme. Kam mësuar shumë për veten time dhe kam fituar vetëbesimin i cili më kishte munguar.

Mes aktrimit dhe modelimit, cilën e zgjidhni?

Pa asnjë hezitim, aktrimin. Është pasioni im i parë dhe nuk ka ndryshuar në asnjë moment të jetës.

A fitohet nga modelimi?

Kjo varet nga kontrata që e ke. Në përgjithësi fitohet mirë, edhe pse është një punë jo aq e lehtë.

Në setet tuaja fotografike nuk shohim shumë foto të zhveshura. A mund të jesh modele e njohur edhe pa u zhveshur?

Patjetër se mund të jesh modele e njohur edhe pa u zhveshur. Kjo varet për çfarë produkti apo çfarë reklame punon. Po ashtu varet edhe nga kriteret e modeles se çfarë pranon dhe çfarë refuzon.

Çfarë studioni?

Kam diplomuar Bachelor këtë vit për marketing dhe gazetari në Francë.

Pika jote më e fortë?

Besoj se është qëndrueshmëria. Nuk heq dorë në asnjë moment nga ëndrrat dhe synimet e mia.

Çfarë të karakterizon tjetër ty, Kleofina?

Guximi, pozitiviteti dhe aftësia e komunikimit me njerëz.

Pushimet verore thuajse çdo vit i kaloni në Kosovë. Çfarë ju tërheq më së shumti në Kosovë?

Më tërheq vendlindja ime dhe origjina ime. Në Kosovë jetojnë edhe një pjesë e familjes time dhe së bashku me familje sa herë të gjejmë mundësi shkojmë për vizitë.

Shkruani dhe flisni shumë rrjedhshëm gjuhën shqipe. Si keni arritur ta ruani duke jetuar larg vendlindjes.

Për këtë meritat i ka babai im. Ai ka bërë gjithçka për të ruajtur gjuhën shqipe. Sa herë që të kemi pushime, shkojmë në Kosovë. Në shtëpinë time në Francë, flitet vetëm shqip. Mendoj se është shumë më rëndësi për ne si popull, ta ruaj gjuhën shqipe.

Të flasim pak për dashurinë…

(qesh) Mund të flasim atëherë kur do ta kem një të dashur.

Meqë me pak fjalë na e mbylle këtë kapitull, atëherë na trego se çfarë bën në kohën e lirë?

Shikoj filma në kinema me shoqëri apo lexoj. Kohëve të fundit kam filluar edhe të shkruaj. Më pëlqen të dal të ec më qenin tim, janë momente qetësie dhe relaksimi për mua. Mundohem të mos më kaloj një ditë si monotone, dëshiroj të bëj aktivitete të ndryshme.

Cilat janë projektet e afërta tuaja dhe planet për të ardhmen?

Në tetor do të udhëtoj për Nju Jork për disa projekte. Në prill të vitit të ardhshëm do të kem xhirime për një film në Tiranë, ndërsa planet e tjera dua t` ia lë të ardhmes.

 

Në shtëpinë tonë, në Marsej, flitet vetëm shqip!

Kleofina e flet dhe shkruan mjaft bukur shqipen, ndonëse është rritur jashtë vendit. “Për këtë meritat i ka babai im. Ai ka bërë gjithçka për të ruajtur gjuhën shqipe. Sa herë që të kemi pushime, shkojmë në Kosovë. Në shtëpinë time në Francë, flitet vetëm shqip. Mendoj se është shumë me rëndësi për ne si popull, ta ruaj gjuhën shqipe.