Lajme

Gjermani: Paralajmërohet inflacioni më i lartë në 70 vitet e fundit

Çmimet e energjisë elektrike në Gjermani kanë shënuar një rekord të ri, duke u bërë shtatë herë më të larta se një vit më parë

Presidenti i Bundesbank thotë se rritja e çmimeve të energjisë, e shkaktuar si pasojë e reduktimit të furnizimeve me gaz nga Rusia, ka të ngjarë ta çojë inflacionin në mbi 10%

Shefi i bankës qendrore të Gjermanisë ka paralajmëruar se normat e interesit duhet të vazhdojnë të rriten, pavarësisht rrezikut për një recesion të mundshëm, pasi inflacioni po arrin nivele dyshifrore për herë të parë që nga viti 1951.

Presidenti i Bundesbank, Joachim Nagel, tha për Rheinische Post se rritja e fundit e çmimeve të energjisë, e cila ka ardhur si pasojë e reduktimit të furnizimeve me gaz nga Rusia, ka të ngjarë ta çojë inflacionin në Gjermani në mbi 10 për qind gjatë kësaj vjeshte dhe ta mbajë atë në nivele të larta përgjatë vitit të ardhshëm.

“Problemi i inflacionit nuk do të largohet në vitin 2023,” tha Nagel. “Problemet e furnizimeve dhe tensionet gjeopolitike ka të ngjarë të vazhdojnë. Ndërkohë, Rusia ka reduktuar në mënyrë drastike furnizimet e saj me gaz, dhe çmimet e gazit natyror dhe të energjisë elektrike janë rritur më shumë sesa pritej”.

Ai shtoi se “po rritet probabiliteti që inflacioni të jetë më i lartë se parashikimet e mëparshme dhe do të kemi një shifër mesatare mbi gjashtë vitin e ardhshëm”, duke theksuar se kjo do të tejkalojë parashikimin e inflacionit për vitin 2023 prej 4.5 për qind, të bërë nga Bundesbank në qershor.

Ekonomistët kanë ulur vlerësimet e tyre për rritjen ekonomike në Gjermani dhe në eurozonë këtë vit, ndërkohë që kanë rritur parashikimet për inflacionin dhe kanë paralajmëruar se ndërprerja totale e furnizimeve me energji nga Rusia do ta detyronin Berlinin që të raciononte gazin për përdoruesit e mëdhenj të industrisë.

Moska rriti presionin ndaj çmimeve të energjisë të premten, duke njoftuar se do të mbyllte gazsjellësin Nord Stream 1 – kanalin kryesor të gazit në Europë – për tre ditë, për të bërë riparime në fund të muajit, pasi tashmë ka ulur furnizimet deri në 20 për qind të kapacitetit.

Çmimet e energjisë elektrike në Gjermani kanë shënuar një rekord të ri, duke u bërë shtatë herë më të larta se një vit më parë, kryesisht për shkak të kostos së lartë të gazit, e cila është rritur 10-fish që nga viti i kaluar.

Çmimet e vendosura nga prodhuesit e industrisë në Gjermani u rritën me 37.2 për qind në korrik krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Agjencia Federale e Statistikave tha se kjo ishte rritja më e lartë e regjistruar ndonjëherë. Në bazë mujore, indeksi i çmimeve të prodhimit u rrit me një rekord prej 5.3 për qind, kryesisht për shkak të kostove të energjisë.

Vala e të nxehtit dhe periudha e thatësirës kanë ulur nivelet e ujit në lumin e Rinit, duke i ҫuar ato nën nivelin që do t’i mundësonte anijeve të transportit që të ngarkoheshin plotësisht dhe duke kufizuar kështu furnizimet për fabrikat. Edhe këto të fundit, sipas ekonomistëve, do të ndikojnë në zvogëlimin e rritjes së ekonomisë gjermane këtë vit.

“Nëse shtohen probleme të tjera të shpërndarjes, për shembull për shkak të niveleve të ulëta të ujit që mund të zgjasin për disa kohë, perspektiva ekonomike për gjysmën e dytë të vitit do të përkeqësohet akoma më shumë,” tha Nagel. “Teksa kriza e energjisë thellohet, recesioni duket gjithnjë e më i mundshëm në dimrin e ardhshëm.”

Ai tha se Banka Qendrore Europiane, ku ai është një nga 25 anëtarët në këshillin për përcaktimin e normave, do të duhet të vazhdojë të rrisë normat e interesit në mbledhjen e saj më 8 shtator. Ai nuk tha nëse do të përsëritet rritja prej gjysmë pikë përqindjeje e muajit të kaluar, e cila e ҫoi normën e depozitave në zero.

“Me normat e larta të inflacionit, duhet të pasojnë rritje të mëtejshme të normave të interesit,” tha ai. “Kjo gjithashtu pritet përgjithësisht nga tregjet. Por, nuk dua që të vendos një shifër në këto momente.”

Megjithatë, ai tha se nuk kishte shumë shenja për një spirale të mundshme mes çmimeve dhe pagave, të ngjashme me atë të viteve 1970, duke shtuar se sindikatat kishin “vepruar me shumë përgjegjshmëri përgjatë 25 viteve të fundit – ato do të bëjnë të njëjtën gjë edhe këtë herë, jam i sigurt për këtë.”

Ekonomia gjermane pati një stanjacion në tremujorin e dytë, duke shënuar performancën më të dobët të vendeve kryesore të eurozonës. Muajin e kaluar, FMN uli parashikimin e saj për rritjen ekonomike të Gjermanisë për vitin e ardhshëm me 1.9 pikë përqindjeje, duke e ҫuar atë në 0.8 për qind, ulja më e madhe krahasuar me çdo vend tjetër.

Të enjten, qeveria gjermane shpalli planet për të ulur tatimin mbi vlerën e shtuar për shitjet e gazit, nga 19 për qind në 7 për qind, duke filluar që nga muaji tetori, për të zbutur goditjen e çmimeve më të larta për familjet. Por, përdoruesit e mëdhenj industrialë të gazit, si për shembull kompanitë kimike, u ankuan se kjo masë nuk do t’i ndihmonte ato.

Muajin e kaluar, inflacioni në Gjermani u rrit duke shkuar pranë nivelit më të lartë në 40 vite, prej plot 8.5 për qind. Berlini po përgatit masa të mëtejshme lehtësuse për të ndihmuar njerëzit me kostot e larta të jetesës, por ministri i financave, Christian Lindner, ka përjashtuar mundësinë e zgjatjes së periudhës së biletës mujore të subvencionuar prej 9 € për transportin publik. Lindner tha në një event publike gjatë fundjavës se një masë e tillë do të kushtonte 14 miliardë euro në vit, para të cilat mund të shpenzoheshin diku tjetër, për shembull në arsim.

Disa nga masat e mëparshme që qeveria shpalli në qershor për të trajtuar krizën energjetike – duke përfshirë uljen e tarifës së karburantit – do të përfundojnë muajin e ardhshëm, gjë e cila do të rrisë barrën për familjet dhe bizneset./ Financial Times