Lajme
Gjermani: Zbret në 7 për qind tatimi mbi vlerën e shtuar për gazin
Norma e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për furnizimet e gazit përmes rrjetit të gazit natyror do të ulet nga 19 në 7 për qind për një periudhë të kufizuar nga 1 tetori deri në fund të marsit 2024.
Parlamenti gjerman ka miratuar me shumicë të madhe votash uljen e përkohshme të TVSH-së për gazin. Votave të shumicës së koalicionit tripartiak të qendrës së majtë iu shtuan edhe votat e grupeve parlamentare CDU/CSU dhe AfD. Vetëm e Majta abstenoi.
“Ne përdorim fuqinë tonë ekonomike për të mbrojtur prosperitetin e vendit tonë”, tha ministri gjerman i Financave, Christian Lindner.
Ai akuzoi presidentin rus, Vladimir Putin, se dëshiron të shkundë ekonomitë e vendeve perëndimore me një “luftë energjetike”, në mënyrë që t’i dobësojë ato nga brenda.
“Putini do të dështojë me këtë qëllim”, shtoi Lindner.
Norma e TVSH-së për furnizimet e gazit përmes rrjetit të gazit natyror do të ulet nga 19 në 7 për qind për një periudhë të kufizuar nga 1 tetori deri në fund të marsit 2024. E njëjta gjë do të ndodhë edhe për ngrohjet qendrore, me të cilat furnizohet një pjesë e mirë e apartamenteve në Gjermani.
“Shteti nuk duhet të jetë përfitues nga çmimet e rritura të energjisë”, tha Lindner, duke shpjeguar pse ai po i qëndronte uljes së tatimeve.
Por, ai kujtoi se edhe me këtë ulje, çmimet e gazit dhe të energjisë do të vijojnë të rëndojnë xhepin e konsumatorëve.
“Ulja e taksës së shitjes për gazin është e saktë. Megjithatë, do të kishte qenë më mirë sikur koalicioni të kishte arritur më herët në këtë konstatim”, tha eksperti i ekonomisë i CDU-së, Mathias Middelberg.
Ai kritikoi gjithashtu faktin se paketa prej 200 miliardë eurosh e planifikuar tani nga qeveria deri tani nuk është tjetër vetëm një borxh.
“Mbetet plotësisht e paqartë çfarë doni të financoni me të”, tha politikani konservator.
Folësit nga SPD dhe të Gjelbrit hodhën poshtë akuzat. Politikania e të Gjelbërve, Katharina Beck, theksoi se ulja e taksave duhet parë “si pjesë e një koncepti më të madh”. Kjo përfshin gjithashtu heqjen e fitimeve të tepërta nga kompanitë energjetike, e cila është duke u negociuar aktualisht në Bruksel.
Qeveria gjermane bëri të njohur të enjten se do të vërë në dispozicion 200 miliardë euro për të sfumuar efektet ekonomike dhe sociale të rritjes së çmimit të energjisë. Një komision ekspertësh aktualisht po shqyrton se çfarë masash do të merren konkretisht. Rezultatet do të prezantohen në mes të tetorit. /Deutsche Welle
E-Diaspora
-
Dita e gjashtë e “Javës së Kulturës së Kosovës në Berlin” Përveç analizave letrare, gjatë mbrëmjes u lexuan edhe fragmente të përzgjedhura nga veprat e autorëve... -
Nikol Tuka shkëlqen në koncertin dedikuar Beethoven-it me Orkestrën Simfonike të RTSH-së -
Austria
Liridon Hoti diplomon Master në Filozofi në Vjenë -
7-vjeçari nga Kosova përfundon me sukses programin HarvardX për programim -
Islandë
Nga Kosova në Islandë: Historia e suksesit e vëllezërve Dardan dhe Armend Zogaj
Jeta në Zvicër
-
Ndryshimet klimatike e kanë bërë valën aktuale të të nxehtit deri në 4 gradë më të nxehtë Ekspertët paralajmërojnë se Evropa po i afrohet kufijve të përshtatjes ndaj temperaturave ekstreme... -
Si të mbroheni nga vala e të nxehtit në Zvicër -
Nisma për transport publik falas në Zvicër -
Bie numri i shpalljeve për banesa me qira në Zvicër -
Gjeneva dhe Bazeli, qytetet më të nxehta të Zvicrës












