Lajme

Gjermania ndërron qëndrimin ndaj vaksinës AstraZeneca

Autoriteti gjerman i vaksinimit ka aprovuar përdorimin e vaksinës anti-COVID të AstraZenecas për personat mbi 65 vjet, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë e Gjermanisë të enjten.

Gjermania ka rekomanduar të zgjatet maksimalisht 12 javë periudha mes marrjes së dozës së parë dhe të dytë të vaksinës.

“Ky është lajm i mirë për personat e moshuar që janë në pritje për të marrë vaksinën. Tash mund të vaksinohen më shpejt”, ka thënë Ministria.

Se Gjermania e ka aprovuar vaksinën anti-COVID të AstraZenecas për personat mbi 65 vjet, njofton edhe BBC.

Kancelarja gjermane Angel Merkel, ka thënë se Gjermania po e ndryshon qëndrimin në lidhje me këtë vaksinë. Më herët vaksina e Oxford/AstraZenecas ishte aprovuar vetëm për personat nën moshën 65-vjeçare, duke thënë se nuk ka të dhënat të mjaftueshme se funksionon te personat e moshuar.

Kjo ka çuar te një lloj skepticizmi publik për efikasitetin e kësaj vaksine, ku disa gjermanë kanë hezituar të marrin vaksinën e AstraZenecas, duke lënë shumë doza të papërdorura.

Por Merkel ka thënë se studimet e fundit kanë ofruar mjaftueshëm të dhëna për ta aprovuar vaksinën e AstraZenecas për të gjitha moshat.

Belgjika po ashtu ka thënë se do ta aprovojë vaksinën e AstraZenecas edhe për personat e moshuar, duke e ndjekur rrugën e Francës që e mori këtë vendim më herët gjatë kësaj jave.

Rreth 5 për qind e gjermanëve kanë marrë tashmë dozën e parë të vaksinave antiCOVID.