Lajme

Gjermania e Franca, sërish me apel për shtetasit e vet: Urgjentisht largohuni nga Ukraina!

Qytetarëve u është kërkuar të largohen urgjentisht nga vendi para se të jetë tepër vonë.

Teksa po rriten tensionet mes Rusisë dhe Ukrainës, Franca e Gjermania kanë dalë sërish me thirrje drejtuar shtetasve të vet, duke u kërkuar të largohen urgjentisht nga Ukraina, transmeton Albinfo.ch.

Qytetarëve gjermanë u është kërkuar të largohen urgjentisht nga vendi para se të jetë tepër vonë.

Apeli erdhi nga Ministria e Jashtme gjermane, e shqetësuar për evoluimin e situatës me “një konflikt ushtarak” te dera, që mund të shpërthejë në çdo moment dhe që, për rrjedhojë, mund të rrezikojë bashkatdhetarët e tyre. Kërkesa e parë për t’u larguar nga vendi u kishte mbërritur shtetasve gjermanë, me banim në Ukrainë, vetëm 7 ditë më parë, më 12 shkurt.

“Linja ajrore kombëtare gjermane Lufthansa ka pezulluar të gjitha fluturimet për dhe nga Kievi. “Të gjitha fluturimet nga e hëna, 21 deri të hënën 28 ​​shkurt, për momentin janë të prekura”, shpjegohet në faqen e internetit të kompanisë, raporton Cnn.

Menjëherë pas komunikimit gjerman me bashkëqytetarët e saj, edhe Franca u rekomandoi bashkatdhetarëve të largohen nga shteti i Evropës Lindore.

Ministria e Jashtme e Parisit u ka bërë thirrje qytetarëve francezë që të largohen menjëherë nga Ukraina, veçanërisht nga rajonet e Kharkiv, Luhansk dhe Donetsk.

“Qytetarët francezë në rajonet Kharkiv, Luhansk dhe Donetsk janë të ftuar të largohen nga këto zona pa vonesë. Rekomandohet gjithashtu që të gjithë shtetasit francezë, qëndrimi i të cilëve në Ukrainë nuk ka arsye të vlefshme, të largohen nga vendi”, tha në të njëjtën kohë Ministria e Jashtme franceze, e cila gjithashtu u bëri thirrje francezëve që të shtyjnë të gjitha udhëtimet në Ukrainë.