Lajme

Gjermania me masa shtrënguese për kursimin e energjisë

“Nevojitet edhe më shumë masa shtrënguese në botën e biznesit”, tha ministri i Ekonomisë.

Për shkak të frikës nga mungesat dhe si pasojë e ndalimit të furnizimit të gazit rus për shkak të luftës në Ukrainë, Gjermania ka prezantuar masa të reja për kursimin e energjisë elektrike.

Ministri gjerman i Ekonomisë Robert Habeck njoftoi rregullore të reja, që përshijnë kufizime të ndryshme.

“Ngrohja në ndërtesat publike do të lejohet në maksimum 19 gradë celsius, ndërtesat dhe monumentet nuk do të ndriçohen më gjatë natës dhe as tabelat nuk do të ndriçohen”, tha Habeck për gazetën “SZ”, përcjell Albinfo.ch.

“Nevojitet edhe më shumë masa shtrënguese në botën e biznesit”, tha ai, pa dhënë detaje.

Ai tha se kjo është duke u diskutuar me përfaqësues të Ministrisë së Punës.

Në korrik, Habeck prezantoi një paketë të re të konsumit të energjisë në kuadër të një reduktimi të ndjeshëm të furnizimit me gaz rus. Në atë kohë, thuhej se është e rëndësishme të reduktohet konsumi i gazit në kompani, ndërtesa zyrash dhe në familje private.

Ministria e Ekonomisë tani planifikon të prezantojë masa shtesë lidhur me konsumin dhe efikasitetin e energjisë në bashkëpunim dhe koordinim me ministritë e tjera. Për këto masa është parashikuar një periudhë fillestare prej gjashtë muajsh./Albinfo.ch/