Kosova

Gjermania ndihmon bujqësinë në Kosovë

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo, gjatë ditës së sotme ka takuar ministren e Ushqimit dhe Bujqësisë të Gjermanisë, Julia Klockner. 

Ky takim u organizua nga SWG me ministrat e bujqësisë së vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Ministrja gjermane Klockner u zotua se do të vazhdojë përkrahjen për Kosovën, si dhe do të ndihmojë sektorin e bujqësisë që të avancojë më shumë në procesin e integrimit evropian, konkretisht në mbarëvajtjen dhe përmbushjen e obligimeve që vijojnë nga procesi i MSA”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Bujqësisë.

“ Ministri Rikalo me këtë rast ka falënderuar znj. Klockner për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe mbështetjen që po ofron shteti gjerman për zhvillimin e sektorit të bujqësisë në Kosovë, i cili sipas tij ka qenë shumë konkret përmes Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë dhe GIZ-it gjerman. Kështu, ministri Rikalo u shpreh i gatshëm për të vazhduar edhe më tej bashkëpunimin me shtetin gjerman për realizimin e projekteve të ndryshme bujqësore, të cilat kanë për qëllim avancimin e sektorit bujqësor sipas praktikave më të mira evropiane”, shkruhet në komunikatën e dërguar nga MBPZhR-ja.

Takimi i ministrit Rikalo me homologen e tij gjermane u realizua në kuadër të Panairit Ndërkombëtar “International Green Week”, në të cilin po marrin pjesë ministrat e bujqësisë nga vende të ndryshme të botës.