Lajme

Gjermania vendos testin e detyrueshëm për më shumë se 20 vende

Njerëzit nga këto vende, nga e diela e tutje duhet të tregojnë testin negativ Covid-19 gjatë hyrjes në Gjermani

Qeveria Federale e Gjermanisë ka ashpërsuar kriteret e udhëtimit në luftën kundër koronavirusit të mutuar dhe po fut në fuqi edhe testimin e detyrueshëm për udhëtarët nga mbi 20 vende.

Brenda Bashkimit Evropian (BE), për shembull, vende si: Estonia, Letonia, Lituania, Portugalia, Sllovenia, Spanja dhe Republika Çeke janë shpallur zona me incidencë të lartë, raporton Instituti Robert Koch (RKI).

Njerëzit nga këto vende, nga e diela e tutje duhet të tregojnë testin negativ Covid-19 gjatë hyrjes në Gjermani. Kjo, për faktin se këto vende kanë një incidencë prej mbi 200, transmeton albinfo.ch.

Por, detyrimi i testit është shtrirë edhe në vendet e tjera jashtë BE-së dhe përfshin edhe SHBA-në.

Deri më tani, testi ishte i detyrueshëm vetëm për udhëtarët nga Britania e Madhe, Irlanda, Afrika e Jugut dhe Brazili, sepse mutacionet e virusit kanë nisur atje.

Zvicra aktualisht nuk është në listën gjermane të zonave me incidencë të lartë. Por, për shkak se është klasifikuar si një vend me rrezik që nga vjeshta 2020, udhëtarët nga Zvicra duhet të tregojnë një test negativ të koronës që nuk është më i vjetër se 48 orë përveç një raporti të hyrjes dixhitale, përcjell albinfo.ch. Rregullat e karantinës ndryshojnë në varësi të shtetit.