Tematike

Apeli vërteton dënimin e 75 vjeçares për vrasjen e vogëlushit shqiptar

Fajtorja duhet të paguajë 12,000 CHF si dëmshpërblim dhe një kompensim prej 120,000 CHF. Kështu ankesa e familjes së viktimës është miratuar pjesërisht

Rreth tri vite më parë, në mars të vitit 2019, një grua 75-vjeçare (Alice F.) kishte vrarë Iliasin, vogëlushin 7 vjeçar shqiptar, teksa po kthehej nga shkolla dhe po shkonte në shtëpi.

Menjëherë pas krimit, autorja ka pranuar vrasjen dhe ka dorëzuar armën e vrasjes, transmeton albinfo.ch. Po ashtu ajo kishte  njoftuar të njohurit e saj përmes SMS për aktin që kishte kryer.  “Përshëndetje të dashur. Kam vrarë një fëmijë që të zgjidhet çështja ime gjyqësore, pranoj përgjegjësinë nëse nuk vritem”, shkruante atëherë 75-vjeçarja.

Krimi pati shkaktuar tronditje jo vetëm në Bazel dhe në Zvicër, por edhe përtej kufijve të vendit.

Në gusht të vitit 2020, Alice F. ëshjtë përgjigjur para Gjykatës Penale, në Bazel. Më pas ajo është dënuar me trajtim special psikiatrik sepse nuk kishte përgjegjshmëri penale, shkruan telebasel.ch. Një raport psikiatrik pati vërtetuar se ajo ishte “delirante” dhe kishte fare pak shanse për trajtim të suksesshëm.

Ndërkohë, prindërit e djalit të vrarë e kishin çuar çështjen në Gjykatën e Apelit që është Gjykata e Lartë (kantonale) e Bazelit.

Komploti i dyshuar kundër Alice F.

Autorja u kishte shkruar letra autoriteteve dhe drejtësisë së bashku me partnerin e saj prej rreth 40 vitesh. Bëhej fjalë gjithmonë për komplotin e supozuar kundër saj, i cili vazhdon që nga viti 1977. Fajtorët e vërtetë, sipas saj, janë autoritetet. Ngatërresat dhe gjykimet e humbura të 40 viteve të fundit e kishin shtyrë atë të merrte këtë hap.

Gjatë pledoajesë së saj, ajo kishte theksuar se vrasja ishte një akt dëshpërimi, i bërë në një gjendje afekti. Megjithatë, ekspertiza psikiatrike kishte arritur në përfundimin se e akuzuara vuante nga një çrregullim deluzional, transmeton albinfo.ch. Rreziku e njerëzve me këtë çrregullim për recidivizëm dhe gatishmëria e tyre për të përdorur dhunë janë shumë të larta, thotë ekspertiza.

Alice F. nuk e konsideron veten të sëmurë

Megjithatë, dorasja nuk dëshiron të shihet si e sëmurë. Ajo nuk dëshiron as të konisderohet esi e papërgjegjshme juridikisht. Sipas saj, ajo e ka parë vrasjen si të vetmen mënyrë për të tërhequr vëmendjen për veten dhe për konspiracionin e supozuar të gjyqësorit ndaj saj. Alice F. shpresonte që gjatë gjykimit do të shpaloseshin të gjitha dokumentet, që nga viti 1977  .

Këto do të vërtetonin më pas padrejtësinë që ajo kishte pësuar ndër vite, sipas arsyetimit të saj, përcjell albinfo.ch. Ajo është e bindur se do t`i jepet e drejta – edhe nëse më pas do të dënohet për vrasjen e Iliasit. Për këtë arsye ajo ka dashur ta çojë çështjen edhe në Gjykatën e Apelit. Për të marrë drejtësi dhe për të tërhequr vëmendjen te fajtorët e vërtetë: autoritetet që, sipas saj, mund të kishin parandaluar krimin.

Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit

Të martën, më 29 mars 2022, Gjykata e Apelit Bazel ka konfirmuar aktgjykimin e Gjykatës Penale të vitit 2020 në shkallë të dytë. Autorja Alice F. shpallet fajtore për vrasjen e Iliasit, por e shpallur si e papërgjegjshmëri juridike, përcjell albinfo.ch. Prandaj Alice F. mbahet në entin psikiatrik për shkak të papërgjegjshmërisë së përmendur të saj.

Gjykata e konsideron të kryer veprën penale të vrasjes. Fajtorja duhet të paguajë 12,000 CHF si dëmshpërblim dhe një kompensim prej 120,000 CHF. Kështu ankesa e familjes së viktimës është miratuar pjesërisht.


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI