Lajme
GNK: Në Maqedoni mund të rikthehet dhuna
Grupi Ndërkombëtar i Krizave (GNK) paralajmëron për shkallëzimin e gjendjes në Maqedoni pas skandalit të përgjimeve dhe ngjarjeve të përgjakshme në Kumanovë.
Grupi Ndërkombëtar i Krizave (GNK) thekson nevojën për menaxhimin e menjëhershëm të krizës, të cilën e quan të dyfishtë për shkak të legjitimitetit të qeverisë dhe sigurisë rajonale, sepse në të kundërtën, ekziston rreziku për përplasje të dhunshme, madje në rastin më të keq, sipas Grupit, me elemente të konfliktit të vitit 2001.
Grupi i Krizave vlerëson se institucionet maqedonase kanë humbur besimin dhe ato nuk mund ta zgjidhin situatën të vetme. Bashkimi Evropian, thuhet më tej në raport, duhet të bëjë trysni për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që do të adresonte kapjen e shtetit dhe korrupsionin e raportuar, përfshirë hetimet e pavarura dhe vëzhgimin me ndihmën ndërkombëtare.
Maqedonia dhe Kosova duhet, sipas këshillave të GNK-së, që bashkërisht të hetojnë rastin e Kumanovës, transmeton VoA.
Në lidhje me skandalin e përgjimeve, thuhet se shumica e atyre të cilët duhet të bartin përgjegjësi për kundërshtimin e veprave joligjore janë përfshirë vetë në këtë çështje.
Më tej, nënvizohet se “në mes të krizës, gjatë një ndërhyrjeje policore në Kumanovë më 9 maj u gjet një grup shqiptarësh i armatosur rëndë, përfshirë ish-luftëtarë nga Kosova”.
Ndërsa theksohen dëmet në njerëz dhe shkatërrimet e lagjes, në raport thuhet se shumëçka ka mbetur në errësirë për sa i përket motivit dhe planeve të grupit në Maqedoni si dhe për hollësitë e operacionit policor.
Po ashtu në raport theksohen pritjet më të mëdha të shqiptarëve nga Marrëveshja e Ohrit, e cila i dha fund kofliktit të vitit 2001 dhe kishte për qëllim t’ua shtonte atyre rolin në ndarjen e fuqisë në shtetin e përbashkët.
GNK vlerëson se deri tani paqja ndëretnike ka rezistuar, ndërsa publikimi i mëtejshëm i bisedave të përgjuara telefonike, apo një incident tjetër i përgjakshëm mund të nxisë rrezikun në një shkallë të paparashikueshme.
Më tutje, sipas VoA, në raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave thuhet se përgjimet kanë kompromituar gjithashtu edhe partinë shqiptare në pushtet.
Grupi thotë se BE-ja, e cila ka rol direkt në pengimin e kërcënimeve ndaj qëndrueshmërisë rajonale dhe përgjegjësi për të ndihmuar shtetin, duhet të dyfishojë përpjekjet për të bindur drejtuesit e Maqedonisë për themelimin e një qeverie të përkohshme nëpërmes procedurave normale.
Në raport bëhet thirrje edhe për përmirësimin e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, duke siguruar përfaqësimin e barabartë të shqiptarëve në të gjitha nivelet e administratës publike, si dhe investime të drejta të qeverisë në rajonet e banuara me shqiptarë dhe respektimi i barazisë gjuhësore.
GNK sugjeron se një hetim i përbashkët i Maqedonisë dhe Kosovës me ndihmën edhe të SHBA-së dhe BE-së mbi incidentin në Kumanovë do të përmirësonte marrëdhëniet e dyanshme, si për shembull, mbajtjen e takimeve të rregullta ndërqeveritare dhe bashkëpunimin mbi vëzhgimin e kufirit.
E-Diaspora
-
Spiropali viziton katedrën e Albanologjisë në Munih Sipas saj, kjo katedër ka qenë dhe mbetet një pikë referimi për studimin e gjuhës, historisë... -
Ylli Rita Ora, pjesë e himnit zyrtar të “Open Masters Games Abu Dhabi -
Magazina albinfo.ch pranë lexuesit – edhe mbi re, me Chair Airlines -
Itali
Vritet një 25-vjeçar shqiptar në Itali, dyshohet për konflikt në klub nate -
Vjenë
Orë letrare në Vjenë në shënim të Pavarësisë së Kosovës
Jeta në Zvicër
-
Donald Trump përsëri veçon Zvicrën në mbrojtje të tarifave Në një intervistë të transmetuar në Fox Business, presidenti tha se Shtetet e Bashkuara "i kishin... -
Llogaritja: Sa do të paguani sipas reformës së propozuar tatimore? -
Transmetuesi publik do të fillojë të zbulojë kombësinë e shkelësve -
30 deputetë zviceranë kërkojnë drejtësi për ish-krerët e UÇK-së në Hagë -
Zurich Pride 2026: Ndryshime të festivalit dhe biletave të hyrjes shkaktojnë polemika












