Futboll

Granit Xhaka po ndjek shkollimin për trajner

Futbollisti shqiptar me nënshtetësi zvicerane, Granit Xhaka, është njëri prej pesë lojtarëve aktivë të Arsenalit që krahas angazhimeve me skuadrën nga Londra, po e ndjekin edhe shkollimin për trajner, përcjell albinfo.ch.

“Daily Mail” ka raportuar të hënën se Xhaka tashmë është pajisur me licencën B të UEFA-s për trajner dhe me gjithë orarin e ngjeshur të ndeshjeve dhe stërvitjeve, ai gjen kohë për të ushtruar gjeneratat e reja të Arsenalit.

Së bashku me Xhakën, me licencën B të UEFA-s janë pajisur edhe Mohamed Elneny, Rob Holding e Cedric Soares. Ndërkohë më herët me licencën B është pajisur edhe Oleksandr Zinchenko. Asnjëri prej lojtarëve të Arsenalit që po e kryejnë shkollimin për trajnerë nuk janë më të vjetër se 31 vjeç.

Plani që lojtarët aktivë të klubit të pajisen me licenca të trajnerëve është prezantuar nga trajneri aktual i Arsenalit, Mikel Arteta.

Në fakt, Arteta ishte inkurajuar të ndiqte një rrugë të tillë kur ka luajtur për Arsenalin dhe e kishte trajner Arsene Wengerin. Ishte ikona franceze që e kishte shtyrë Artetan ta niste shkollimin për trajner në moshën 28-vjeçare dhe tani ai po vlerësohet si njëri prej trajnerëve më perspektivë në botën e futbollit.

Arteta me këtë veprim po dëshiron që Arsenali t’i ketë trajnerët e klubit për të ardhmen, të cilët e njohin mirë ambientin dhe kanë ambicie për të vazhduar me futboll pas pensionimit. Arteta ka thënë se ishin lojtarët ata që kishin shprehur interesim, përpara se të shtyheshin për ta ndjekur shkollimin. Ai thotë se tani ndihet krenar që në fushë i ka edhe pesë homologë, të cilët mund ta ndihmojnë ekipin në mënyra të ndryshme.

“Disa prej tyre erdhën tek unë pas stërvitjes dhe kishin ndjenjën se donin të fillonin diçka”, ka pranuar Arteta, i cili tha se Cedricu sfidoi Xhakën dhe të tjerët të mësojnë përkrah tij për t’u bërë trajnerë. “E di që shkollimi i bën më të fokusuar lojtarët, duke i përgatitur për të gjitha proceset e stërvitjeve”.

Burime brenda Arsenalit kanë thënë se Xhaka është përmirësuar dukshëm prejse po ndjek shkollimin për trajner dhe po punon me të rinjtë në klub. Kjo përvojë e ka bërë Xhakën më të mirë në çdo aspekt, transmeton koha.net.

“Nëse fillon shkollimin kur je ende aktiv, atëherë shumë gjëra ndryshojnë në kokën tënde. E sheh lojën prej vizionit të trajnerit dhe përfiton shumë, pasi në fushë futesh si lojtar dhe trajner”, është shprehur Xhaka.

Xhaka është pjesë e Arsenalit prej vitit 2016, kur iu bashkua nga Borussia Moenchengladbachu. Ai këtë edicion po kalon formë jetësore dhe është njëri prej lojtarëve kryesorë në ekipin nga Londra.