Tematike

Hagë: Kufizimi i komunikimeve të të akuzuarve, sipas avokates Tromp, është në favor të Prokurorisë

Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, është duke hetuar çështjet që ndërlidhen me kufizimin e komunikimeve për të akuzuarit pranë Gjykatës Speciale në Hagë, teksa në një përgjigje të shkurtër për REL, mbrojtja e Thaçit tha se do të dorëzojë vërejtjet relevante pas përfundimit të të gjitha hetimeve.

Nevenka Tromp, ligjëruese në Universitetin e Amsterdamit, ka deklaruar për REL se Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë do të rikthejë në diskutim narrativën se “të gjitha gjykimet kundër shqiptarëve të Kosovës dështojnë për shkak të frikësimit të dëshmitarëve”, përcjell albinfo.ch.

“Prokuroria do të përfitojë nga përgjimi i bisedave”

Tromp, e cila për më shumë se një dekadë ka qenë hulumtuese në Tribunalin e Hagës për krime lufte në ish-Jugosllavi, vlerëson se ekipet mbrojtëse të të tre të akuzuarve duhet t’i përgjigjen parashtresës dhe “të reagojnë ndaj të gjitha fakteve relevante dhe kërkesave të prokurorit”.

“Në parashtresën e ZPS-së është kërkuar gjithashtu që të pandehurit të ndahen nga njëri-tjetri në mënyrë që të mos ndajnë me njëri-tjetrin vizitorët dhe të mos diskutojnë mes tyre për dëshmitarët dhe provat. Ajo që kërkon ZPS-ja mund të kundërshtohet me alternativa nga avokatët mbrojtës, për shembull një minimizim më i mirë i vizitorëve – moslejimi i askujt që figuron në listën si dëshmitar i mbrojtur i ZPS-së të vizitojë; të shtohet në formularin për vizitorët nëse një vizitor do të kundërshtonte regjistrimin e vizitës së tij”, u shpreh ajo.

Tutje, ajo ka deklaruar se ZPS-ja do të përfitojë nga zbulimi i bisedave në qendrën e paraburgimit, duke rikthyer kështu në diskutim narrativën se “të gjitha gjykimet kundër shqiptarëve të Kosovës dështojnë për shkak të frikësimit”.

“ZPS-ja ka shumë për të përfituar me zbulimin e numrit të përzgjedhur të bisedave të përgjuara: justifikon për botën e jashtme pse ZPS-ja refuzoi lirimin e përkohshëm të të pandehurit derisa pritej fillimi i gjykimit; rikthen diskutimin për narrativën se të gjitha gjykimet kundër shqiptarëve të Kosovës dështojnë për shkak të frikësimit dhe kërcënimit të dëshmitarëve; të përgatisë terrenin për çdo lirim të mundshëm – duke e justifikuar me vështirësinë për të gjetur dhe mbajtur dëshmitarët. ZPS-ja ka, gjithashtu, një arsye legjitime për të mbrojtur integritetin e procesit ligjor dhe dëshmitarët që ndërhyjnë në të dyja palët duhet të sigurohen se pjesëmarrja e tyre në proces potencialisht nuk do të rrezikojë sigurinë e tyre apo të familjes së tyre. Do të jetë shumë interesante të lexohet se si ekipet e mbrojtjes do t’i përgjigjen parashtrimit të ZPS-së”, thotë Tromp.

Ndër të tjera ajo ka theksuar rëndësinë që palët të kenë parasysh respektimin e konfidencialitetit të procedurave.

“Është e një rëndësie të madhe që avokatët e mbrojtjes të shpjegojnë dhe mbrojnë linjat e tyre nga çdo shkelje aksidentale e konfidencialitetit në të ardhmen. Është krejt e pamundur të kuptohet përse u lejuan fare dëshmitarët e Mbrojtjes apo të Prokurorisë të vizitonin të pandehurit në qendrën e paraburgimit. Kjo situatë është dashur të parandalohet institucionalisht – nga sekretaria që koordinon vizitat, por edhe nga avokatët mbrojtës, të cilët duhet t’i këshillojnë të pandehurit për çështjet që kanë të bëjnë me vizitorët”, thotë Tromp.