Koronavirusi: çast pas çasti

“#hajdesivjet”: Mërgimtarë, ejani pushoni në vendlindje

Pandemia Covid-19 ka bërë që mërgimtarët të vijnë në numër më të vogël, por synohet afrimi i tyre me vendlindjen. Këtij synimi i shërben fushata “#hajdesivjet”

Diaspora ka ndihmuar Kosovën në shumë sfera dhe ndihma e saj ka qenë jetike. Mërgimtarët dërgojnë miliona e miliarda euro në vendlindje. Në këtë vit, ka më pak mërgimtarë për shkak të pandemisë me Covid-19.

Në këtë kontekst, në Kosovë është lansuar një fushatë  “#hajdesivjet” që synon afrimin e mërgimtarëve me vendlindjen dhe ju bën thirrje që të vijnë për pushime.

Njëri nga iniciatorët, Rexhep Kçiku ka folur ekskluzivisht për albinfo.ch. “Historikisht, diaspora jonë ka qenë një nga kontribuuesit kryesorë në çështjet më të rëndësishme nëpër të cilat ka kaluar populli ynë në përgjithësi, e në veçanti nëpër sfidat që i ka kaluar Kosova në rrugëtimin e saj deri tek shpallja e Pavarësisë e tutje. Ajo vazhdon të mbetet një shtyllë e fortë dhe të ketë rol direkt në zhvillimin shoqëror, kulturor, politik e sidomos dhe shumë dukshëm në ekomominë e vendit. Ajo që vërehet qartë është se Kosova jonë e dashur gjatë sezonit të verës gëzon gjallëri sociale dhe ekonomike, që vjen si rezultat i ardhjes së bashkatdhetarëve tanë nga diaspora. Efektet pozitive nga ardhja e të dashurve tanë vërehen gjatë tërë vitit”, shprehet Kqiku për albinfo.ch.

“Duke e pasur parasysh se efektet negative të pandemisë COVID-19 nuk janë vetëm ekonomike, por vërehen edhe në rrafshin social dhe jo vetëm, nevoja që të jemi me më të afërmit tanë është më e shprehur se kurrë më parë. Gjithmonë duke shpresuar se qëndrimi me ta do ta rikuperojë distancimin social që e kemi pasur gjatë këtyre muajve. Përmes fushatës #hajdesivjet synohet që t’i bëhet thirrje mërgatës sonë të dashur që gjatë kësaj vere të vijë masivisht në Kosovë. Gjithashtu, përmes kësaj kampanje synohet të rritet vetëdija qytetare rreth rëndësisë që diaspora kosovare ka, rrjedhimisht të shtohet dashuria dhe respekti ndaj saj.

Fushata do të vazhdojë online dhe në terren. Sa i përket prezencës online, për momentin i kemi hapur website dhe faqen dhe grupin në Facebook:

Web: hajdesivjet.com

Faqja: Facebook.com/hajdesivjet

Grupi: Facebook.com/groups/hajdesivjet

Fushata

Më tutje Kçiku ka folur edhe për fushatën. “Sa i përket kampanjës në terren parashihen disa aktivitete kreative që do t’i bëjnë mërgimtarët të ndihen më të mirëpritur në Kosovë.

Gjithashtu, synohet që në këtë kampanjë të përfshihen edhe institucionet, bizneset, organizatat dhe individët të cilët përmes hashtag #hajdesivjet do t’i promovojnë ofertat, produktet, zbritjet dhe angazhimet tjera institucionale që do t’ua bëjnë më të këndshëm dhe më të rehatshëm qëndrimin e mërgimtarëve në Kosovë.

Individualisht kemi kontaktuar me disa nga personalitetet publike, ndërsa të tjerëve shfrytëzojmë rastin të ju bëjmë thirrje tani përmes albinfo.ch, që t’i bashkëngjiten kampanjës me slogane kreative. Ndoshta si shembull po e marrim një ide nga artisti Fehmi Ferati – Fehi që thotë: #hajdesivjet ma mire ta qet! Në të njëjtën frymë shpresoj që të na bashkëngjiten edhe të tjerët.

 

Kush e inicioi fushatën

Sa i përket grupit prej nga ka dalë kjo iniciativë, ne jemi disa të rinj vullnetarë me profile të ndryshme, vijmë nga qytetet e ndryshme të Kosovës dhe si pikë takimi e kemi kryeqytetin e Kosovës, pra Prishtinën”, deklaron Rexhep Kçiku.

 

Kush pritet të përfshihet

Synohet që në këtë kampanjë të përfshihen edhe institucionet, bizneset, organizatat dhe individët të cilët përmes hashtag #hajdesivjet do t’i promovojnë ofertat, produktet, zbritjet dhe angazhimet tjera institucionale që do t’ua bëjnë më të këndshëm dhe më të rehatshëm qëndrimin e mërgimtarëve në Kosovë.