Kosova

Hapësira shqiptare para sfidave evropiane, temë e një debati në Lozanë

Në panel morën pjesë: Rufki Suma, kryetar i Hanit të Elezit, Barbara Burri nga Solidar Suisse, Patrick Ettienne, ish drejtor i DEZA-s në Kosovë, Lura Pollozhani, këshilltare e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut dhe Bashkim Iseni, shef i Zyrës për Integrim në Lozanë

Cilat janë pikat e përbashkëta dhe aspiratat e ndara midis Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë Veriore? Cilat lidhje i bashkojnë me Zvicrën? A ka bota shqipfolëse përfaqësime dhe aspirata të përbashkëta? Cilën rrugë duhet të marrin për një evropianizim të vërtetë socio-politik, ekonomik dhe kulturor?

Këto ishin pyetjet që i shtronte për përgjigje tryeza e debatit që u mbajt të enjten mbrëma në Lozanë, në kuadrin e Javës Kulturore Shqiptare. Të përkujtojmë: kjo “Javë… ” këtë vit e përfaqëson aktivitetin e madh tradicional të Lozanës  “Lausanne Mediterane” (Mesdheu i Lozanës).

Nën moderimin e shkrimtarit dhe gazetarit Nicolas Verdan, në këtë tryezë mori pjesë një panel i zgjedhur nga politikanë dhe njohës të çështjes shqiptare. Mysafir i veçantë ishte krxebashkiaku i Hanit të Elezit, Rufki Suma i cili për shkak të pozitës së tij politike, ishte në qendër të debatit.

Në panel morën pjesë edhe: Barbara Burri nga organizata Solidar Suisse, njëherësh njohëse e mirë e Kosovës, Patrick Ettienne, ish drejtor i DEZA-s në Kosovë (2015-2019), Lura Pollozhani, këshilltare e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut dhe Bashkim Iseni, shef i Zyrës për Integrim në qytetin e Lozanës, ekspert për Ballkanin dhe shqiptarët.

Në këtë aktivitet kanë qenë të pranishëm edhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Bernë, z. Ilir Gjoni dhe kryebashkiuaku i Lozanës, Gregoire Junod, në cilësinë e nikoqirit. Ambasadori Gjoni ka përshëndetur të pranishmit dhe organizatorët me një fjalë falënderimi në emrin e shtetit shqiptar, duke vënë në pah vlerat dhe interesat që lidhin dy vendet mike, Shqipërinë dhe Zvicrën.

 

Dr. Bashkim Iseni ka hapur debatin duke i bërë një hyrje të zgjeruar temës së shtruar. Ai ka trajtuar të përbashkëtat dhe veçoritë sa u përket interesave që kanë Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia Veriore. Lidhjet që këto vende kanë me Zvicrën, rruga që këto shtete duhet të ndjekin për “evropianizimin” e tyre etj., ishin pjesë e fjalës së Isenit në këtüe tryezë.

Ndërsa kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma, duke iu përgjigjur pyetjeve të shtruara, që të gjitha binin në domenin e tij, dha informacion solid rreth gjendjes në komunën që drejton dhe më gjerë. Ai shpjegoi gjerërsisht dhe me kompetencë pozitën që ka Komuna e Hanit të Elezit si komunë kufitare, shkruan albinfo.ch.

Ai tha se qytetarët e komunës së tij nuk favorizohen për faktin se jetojnë në kufi me Maqedoninë. Përkundrazi: “Kemi shumë qytetarë që kanë tokat e tyre matanë kufirit dhe për shkak të politikave të padrejta që po funksionojnë edhe sot, detyrohen t`i lënë djerrë ato. Po ashtu pothuajse të gjithë banorët e komunës kanë familjarë andej kufit dhe sidomos në Shkup, gjë që lë të nënkuptohet se kemi shumë lidhje njerëzore si regjion. Por procedurat për kalimin e kufirit janë njësoj për qytetarët tanë sikur për të gjithë kosovarët tjerë: me pasaporta. Shkupin e kemi vetëm 20 kilometra afër ndërsa Prishtinën rreth 60 kilometra. Shërbimet mjekësore më të specializuara i kryejmë në Shkup për shkak të afërsisë dhe për shkak të sistemit të dobët shëndetësor në komunë dhe në Kosovë…”.

 

Ai ka apeluar që kufijtë mes Kosovës dhe Maqedonisë të liberalizohen, të shtjeshtësohet kalimi nëpër ta. “Kufijtë duhet të afrojnë e jo të largojnë njerëzit”, ka kërkuar Suma, duke marrë si pikë referimi kufijtë mes shteteve të BE-së ose ata të Zvicrës me shtetet fqinje.

Kryebashkiaku i Hanit të Elezit ka folur gjerësisht edhe për korrupsionin që mbretëron në nivelet qëndrore, në Kosovë, që sipas tij, ka dëmtuar shumë komunën e tij, shkruan albinfo.ch. Ai, veç tjerash ka përmendur se si kompania e madhe zvicerane për prodhimin e cimentos Holzim është tërhequr pak pa i mbushur 10 vite pune në Han të Elezit, e shtyrë pikërisht nga kërkesat korruptive që i kanë bërë nga niveli qendror (Qeveria e Kosovës).

Edhe nga BE ose instanca tjera evropiane, Komuna e Hanit të Elezit nuk ka përfituar shumë, kur dihet se komunat kufitare favorizohen për shkak të rolit si ura lidhëse që kanë mes regjioneve dhe shteteve, raporton albinfo.ch. “Tani së fundi kemi fituar një fond nga BE për rregullimin e shtratit të lumit që kalon nëpër komunën tonë. Rregullimi do të bëhet në të dyja anët e kufirit”, ka thënë Suma, duke falënderuar BE-në për këtë fond.

Ai ka përkujtuar se edhe politikat e padrejta ndaj shqiptarëve që kanë ushtruar qeveritë e derivonshme të Maqedonisë, kanë pjesën e tyre të fajit për gjendjen jo të mirë në bashkëpunimin ndërkufitar dhe në (mos)hapjen e kufijve. “Me ardhjen e Zaevit në pushtet në Maqedoni ka shpresa për përmirësime në këtë drejtim, por ato po vijnë shumë ngadalë”, është shprehur veç tjerash Rufki Suma, kryetar i Komunës së Hanit të Elezit.

Patrick Ettienne, ish drejtor i DEZA-s në Kosovë (2015-2019), si njohës i mirë i rrethanave në Kosovë e rajon, ka folur për problemet dhe përparësitë që ka Kosova si vendi më i ri në Evropë. Në radhë të parë, ka thënë ai, Kosova ka një rini të arsimuar, mendjehapur dhe me orientim nga kultura perëndimore. Ajo që duhet bërë është që në zgjedhjet që mbahen këto ditë të përzgjidhen njerëzit e duhur, që do të dijnë të drejtojnë vendin drejt asporatave që ka kjo rini dhe popullata në përgjithësi”.

Barbara Burri si përfaqësuese e organizatës “Solidar Suisse” në këtë panel me përvojën e saj si zyrtare e DEZA-s në Kosovën e pasluftës ka sjellë njohuritë e saj lidhur me zhvillimet në Kosovë gjatë gjithë kësaj periudhe, shkruan albinfo.ch. Ajo ka shpalosur po ashtu edhe politikat e organizatës “Solidar Suisse” për aq sa ato lidhen me temën e këtij debati.

Ndërsa Lura Pollozhani, në cilësinë e këshilltares për bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare, e kryemisniutrut të Maqedonisë, ka folur për specifikat e bashkëpunimit mes Maqedonisë dhe Kosovës, vështirësitë që ndjekin shoqëritë e dy vendeve përkatëse si shtete të reja, barrën që kjo qeveri bart nga qeveritë paraprake në këtë drejtim etj.

Me një fjalë rsti i është drejtuar publikut edhe ylli i kombëtares shqiptare të futbollit, Lorik Cana, i cili është rritur dhe hapat e parë në futboll i ka bërë pikërisht në Lozanë.

Pjesë e debatit ka qenë edhe publiku, duke u shtruar pyetje panelistëve lidhur me temën e paraparë për diskutim.

Ndërsa kryebashkiaku i Lozanës, Gregoire Junod ka falënderuar në fund të debatit pjesëmarrësit për kontributin e dhënë në sheshimin e problemeve për të cilat u debatua.