Kosova

Mbi 21 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka njoftuar se deri të premten paradite ka pranuar 21 mijë e 378 kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës për votim në zgjedhjet e 7 qershorit.

Sipas njoftimit, prej këtyre kërkesave janë aprovuar 9 mijë e 149, ndërsa 1 e 37 të tjera janë refuzuar dhe 11 mijë e 187 janë në pritje për shqyrtim.

“Nga 9,149 aplikime të aprovuara, 2,284 shtetas të Kosovës janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike, 239 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-në në Kosovë dhe 6,626 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës”, thuhet në njoftim, transmeton albinfo.ch.

Periudha e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës ka filluar më 6 dhe përfundon më 17 maj.