Shqipëria

Hapja e negociatave me BE-në, mundësi e shkëlqyer për Shqipërinë

Kryeministri Edi Rama ka thënë se Shqipëria ishte Koreja e Veriut në Evropë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka quajtur hapjen e negociatave për antarësim në BE mundësi të shkëlqyer për të ndërtuar shtet ligjor, demokratik dhe me standarde.

Ai ka thënë në një intervistë për “Francesoir” se “Shqipëria ishte Koreja e Veriut në Evropë”.

“Kur ne negociojmë hyrjen tonë në Bashkimin Evropian, kjo na jep mundësinë të kryejmë një proces mjaft të thellë mbi veten tonë, sepse është një proces shumë i detajuar për ligjet, institucionet, mbi funksionimin e tyre dhe përmirësimet që duhet sjellë. Kjo është një mundësi e shkëlqyer për të ndërtuar një shtet ligjor, një shtet demokratik që funksionon më mirë dhe u garanton qytetarëve standarde që nuk varen nga njëri apo tjetri, por nga shteti. Është shumë e rëndësishme”, ka thënë Rama.

Kryeministri shqiptar u pyet edhe nëse si fëmijë, duke jetuar nën regjimin komunist, kishte imagjinuar një ditë që Shqipëria të anëtarësohej në BE.

“Kurrë. Në komunizëm, nuk mund të imagjinohej se mund të ishte ndryshe. Natyrisht, në fund, me rënien e murit dhe më pas rënien e regjimeve të ndryshme në vendet e Lindjes, kjo i dha mundësinë të imagjinohet diçka tjetër. Nuk kemi pasur kurrë mundësi të zgjedhim. Vend i vogël i pozicionuar në një vend strategjik, sepse është një kalim, kemi pasur për 500 vjet perandori dhe regjime që nuk i kemi zgjedhur dhe që duhet t’i pranojmë. Kjo është hera e parë që kemi bërë një zgjedhje të lirë. Ne duam t’i përkasim familjes evropiane. Brezat dhe brezat nuk e kanë ditur kurrë këtë. Kombi ynë, shoqëria jonë më në fund mund të zgjedhë se ku dëshiron të jetojë dhe me çfarë standardesh ekzistence. Është një ndjenjë që është e vështirë të imagjinohet diku tjetër”, ka thënë ai.

Kryeministri Rama ka folur edhe për turizmin, duke e quajtur vit befasues që sipas tij shënoi numër rekord vizitorësh./Albinfo.ch