Opinione

Hashim Thaçi shkruan për ‘Financial Times’: Kosova do të ruajë sistemin unitar

Albinfo ua sjell të plotë përkthimin nga anglishtja, të artikullit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, shkruar për prestigjiozen britanike Financial Times.

Këtë vit Kosova feston 10-vjetorin e pavarësisë. Është koha për festë dhe reflektim për popullin tonë dhe aleatët tanë. Kosova është shtet stabil dhe demokraci e re përparimtare, e cila synon hyrjen në BE dhe NATO, si shumica e shteteve tona fqinje dhe partnerëve.

Por kjo rrugë është e gjatë dhe ka shumë pengesa. Ne besojmë se Kosova ka treguar veten se është partner me vlerë dhe i besueshëm i BE-së. Kemi qëllime të njëjta. Aktivisht kemi qenë të angazhuar në dialogun me Serbinë, proces që unë jam krenar që e kam udhëhequr për disa vjet. Ata të cilët kujtojnë vitet e tmerrshme të luftës të viteve 90-ta, do të kuptojnë rëndësinë e përpjekjes.

Kosova ka qëllime të qarta rreth normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Dialogu duhet të çojë në njohjen e plotë të dy shteteve respektive dhe marrëdhënie të plota diplomatike. Kosova duhet të ketë rrugë të qartë, të barabartë dhe papengesa drejt anëtarësimit në BE, NATO dhe OKB. Kosova do të ruajë sistemin e tanishëm të Republikës unitare. Ajo ka treguar se mund të integrojë në mënyrë efektive të gjitha komunitetet në vend dhe se ata mund të drejtojnë jetën e tyre të përditshme. Ne nuk do të eksplorojmë eksperimente të cilat do të zhbënin Kushtetutën. Derisa Kosova dhe Serbia shtjellojnë diferencat e tyre, ne nuk do të mund të integrohemi në BE. Kjo është arsyeja e rëndësishme për mua, që të arrijmë një marrëveshje paqësore me Serbinë. Populli i Kosovës do të ketë të ardhme më të mirë dhe të ndritur si pjesë e familjes së madhe euro-atlantike.

Për Kosovën nuk ka alternativë tjetër përveç anëtarësimit në BE dhe NATO. Nuk ka Plan B, bile as që e kërkojmë. Mundësia që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje, rrezikojnë të zvogëlohen. Në këtë vakum është i madh potenciali që të arrijnë të tjerët avantazh. Kjo është arsyeja se pse unë jam riangazhuar me presidentin serb Aleksandër Vuçiq për të arritur një zgjidhje kreative, që të arrijmë një marrëveshje të drejtë dhe finale.

Ne kemi nevojë për zgjidhje afatgjatë, që tejkalon diferencat e tanishme dhe pikat potenciale për konflikt në të ardhmen. Ne nuk do të pranojmë një marrëveshje të brendshme ose vijimin e status quo. Një pjesë e zënkës është kufiri mes dy shteteve tona. Gjatë javëve të fundit është shkruar shumë për këtë, disa sosh janë nxitje të panevojshme. Dua një protokoll të drejtë.

Historia e Ballkanit nuk është ajo e marrëveshjeve por e prishjes së marrëveshjeve. Ne kemi shansën për të ndryshuar kursin. Ashtu siç caktuam kufijtë me Maqedoninë dhe Malin e Zi, një marrëveshje finale me Serbinë duhet të caktojë kufijtë tanë respektivë. Unë e bëj këtë, ku një korrigjim kufijsh duhet të bazohet në principet e të drejtës ndërkombëtare dhe vlerave të përbashkëta.

E para dhe më e rëndësishmja, korrigjimi i kufijve nuk duhet të bazohet në principet e ndarjes etnike. Ne nuk duam akoma ti ndajmë dy popujt tanë. Aq më pak për të thënë, marrëveshja e fundit duhet të ketë garanci të hekurt për të drejtat dhe mbrojtjen e të gjitha komuniteteve tona në shtetet respektive, shtuar këtu edhe ruajtjen e vendeve religjioze.

E dyta, ne nuk kërkojmë të krijojmë ndonjë ndryshim kufijsh në vendet tjera të rajonit, si në Shqipëri, përkundër nga çfarë kanë thënë disa të tjerë. Kosova kurrë nuk ka qenë një preçedent. Do mbetet çdoherë një rast sui generis. Kosova dhe Serbia janë shtete të pavarura. E drejta ndërkombëtare nuk ua mohon shteteve të pavarura që të përvijojnë kufijtë e tyre – nëse ata janë të përshtatshëm dhe vendimi nuk prek shtetet e treta.

Në këto kohë, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë të larta. Historia e Europës ka treguar se marrëveshjet kufitare në vendet me të ardhme paqësore dhe bashkëpunuese i bën ata më pak të rëndësishme. Dëshirojmë që ky model të funksionojë për ne. Një marrëveshje mes shteteve tona për kufijtë, si pjesë e marrëveshjes finale, do të lejonte Kosovën dhe Serbinë të hedhin themelet e një marrëdhënie më të hapur dhe një të ardhme më paqësore.