Futboll

Hera e parë që Grasshoppers bie nga Superliga, tifozët i ‘zhveshin’ lojtarët

Grasshoppers ka fituar 27 herë titullin në Zvicër, derisa është hera e parë për 70 vjet që bie nga elita e futbollit zviceran

Një nga klubet më të mëdha dhe më me traditë në Zvicër, padyshim është Grasshoppersi.

Kjo skuadër zyrtarisht të dielën ka rënë një kategori më poshtë, pas humbjes nga Luzerni 4:0 (edhe pse ndeshja nuk përfundoi). Ishte vetëm çështje kohe zyrtarizmi në një ligë më poshtë, derisa tifozët nuk e kanë përjetuar aspak mirë, shkruan albinfo.ch.

Grasshoppers ka fituar 27 herë titullin në Zvicër, derisa është hera e parë për 70 vjet që bie nga elita e futbollit zviceran.

Në ndeshjen e fundit, tifozët e Grasshoppersit u afruan me rrethimin e fushës dhe kërcënuan futjen në fushë, nëse nuk ndalej ndeshja, gjë që ndodhi.

Më pas, kërkesa e vetme ishte: “Lojtarët e Grasshoppersit duhet të zhvishen, të dorëzojnë te tifozët fanellën. Vetëm portieri Heinz Lindtner bën përjashtim!”, ishte kërkesa e tifozëve.

Urdhri i ultrasve u zbatua, lojtarët dorëzuan fanellat dhe ndeshja nuk vazhdoi më. Një skandal i madh, që do t’i kushtojë rëndë Grasshoppersit.

Sa i përket ndeshjes së fundit, Idriz Voca shënoi një gol për Luzernin, derisa Shkëlqim Demhasaj humbi një penallti, derisa për Grasshoppersin nga fillimi luajtën Arlind Ajeti dhe Bujar Lika.