Kosova

Historia e jashtëzakonshme e Fahrije Hotit, themelueses së Kooperativës Bujqësore Krusha

Fuqia transformuese e përkrahjes në kohën e duhur në mbështetje të nismave ekonomike të grave

Propozimi i Kosovës për çmimet Oscar, filmi Zgjoi, është tregim i rezistencës, solidaritetit dhe rindërtimit të jetës. Është historia e vërtetë e Fahrije Hotit, themelueses së Kooperativës Bujqësore Krusha. Çka nisi si nevojë për të siguruar mjete jetese për gratë e vejat e luftës dhe jetimët në fshat, tani është një biznes i suksesshëm 100% i udhëhequr nga gratë, që i shet produktet e veta në mbi 200 dyqane në Kosovë dhe eksporton në disa vende evropiane, përfshirë Zvicrën. Swisscontact ka mundësuar për KB Krushën shërbime të konsulencës dhe blerjen e makinerive që ndikuan në përmirësimin e produktit dhe biznesit të tyre.

Trailer zyrtar i filmit Zgjoi

Një rrugë anësore e sapoasfaltuar të çon në ambientet e sapoinauguruara të prodhimit të njërit prej brendeve më të fuqishme të vendit: Kooperativës Bujqësore Krusha. Gjithçka nisi në vitin 2005, kur Fahrije Hoti themeloi një shoqatë për të vejat e luftës së fshatit të saj, për t’i ndihmuar njëra-tjetrës të rindërtonin jetët e tyre. Gratë ia nisëm me atë që dinin të përgatisnin më së miri dhe që kishin përgatitur gjatë gjithë jetës së tyre: ajvar dhe turshi.

Në vitin 2010, ajo e regjistroi kooperativën bujqësore si biznes dhe filloi prodhimin në sasi më të mëdha, kryesisht për tregun e eksportit. Vizatimi i një gruaje me veshje tradicionale është logoja që shfaq gjithçka që përfaqëson kjo kooperativë.

Fillimisht, Fahrija e menaxhoi prodhimin nga një objekt më i vogël, që u rinovua me financim nga bashkëpunimi ndërkombëtar zviceran. Me rritjen e kërkesës, doli nevoja për objekte më të mëdha dhe më moderne. Në vitin 2021, Fahrija përuroi fabrikën e re të ndërtuar me mbështetjen e konsiderueshme të BE-së dhe organizatave të tjera vullnetare. Fabrika ka kushte të shkëlqyera pune për mbi 75 gra të përfshira në prodhim dhe ekipin e operimit.

“Gjithçka që kam, e kam falë punës sime në kooperativë. Jo vetëm unë, por të gjitha gratë që filluan të punojnë këtu”, thotë Fahrija.

Përkrahja në kohën e duhur dhe në përputhje me nevojën është kyçi për sukses

“Nuk kemi nevojë për pare apo ndihmë. Kemi nevojë për punë” thotë personazhi Fahrije në film. Edhe Fahrija e vërtetë e konfirmon këtë:

Që nga vitit 2015, Swisscontact e ka përkrahur KB Krushën në forma të ndryshme nëpërmjet projektit Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat (PPSE) në Kosovë. Nëpërmjet një kompanie të angazhuar nga PPSE, kooperativa mori përkrahje për të përmirësuar proceset, produktet dhe shërbimet. Një tjetër ekspert i angazhuar nga programi Kontakti i Ekspertëve Seniorë të Swisscontact-it punuan me Fahrijen për të përmirësuar planin e biznesit, imazhin e brendit dhe pozicionimin në treg. Një tjetër ekspert kontribuoi në përmirësimin e qëndrueshmërisë së produktit.

Në vitin 2020, KB Krusha u përfshi në skemën e bujqësisë së kontraktuar të implementuar nga PPSE. Me këtë skemë, fermerët e kontraktuar u subvencionuan me 250,000 fidanë perimesh dhe morën shërbime këshillimore. “Ishte aktivitet i suksesshëm, pasi fermerët përmbushën sasinë e kontraktuar, madje patën dhe më shumë prodhim” thotë Fahrija. Rishtazi, po në bashkëpunim me Swisscontact, KB Krusha ka blerë një makineri shumë të nevojshme për pastrimin, pjekjen dhe qërimin e specave që përdoren për ajvar.

Kjo makineri që kanë instaluar tani e përshpejton procesin e pjekjes, qërimit dhe bluarjes dhe rrit sasinë e specave që përpunohen brenda një ore. “Kjo linjë e re pjek deri në 1,500 speca në orë” thotë Fahrije Hoti. “Me rritjen e kapaciteteve ne do ta zgjasim sezonin e prodhimit të ajvarit, do të kontraktojmë më shumë fermerë për sasi më të mëdha të perimeve” shton ajo. Specat e pjekur në paketime të vogla janë produkti i ri që i shtohet listës së tyre. Edhe ky produkt u mundësua nga linja e re.

“Ia ka vlejtur bashkëinvestimi për këtë makineri. Asnjë perime nuk shkon dëm, kapacitetet janë rritur, puna është më e lehtë dhe kushtet e punës më të mira. Dallimi është si nata me ditën” thotë Artan Zenuni, menaxheri asistent i Fahrijes.

Në film, gratë që përgatisin ajvar thonë “Kemi bërë ajvar gjithë jetën. Dimë ta bëjmë më mirë se krejt”. Përkrahja sipas nevojës dhe në kohën e duhur që iu mundësua kooperativës ka bërë ndryshimin kryesor: ka përshpejtuar rritjen dhe ka treguar se si Fahrija dhe anëtaret e kooperativës së saj nuk janë viktima të rrethanave, por e kanë në dorë ndryshimin e jetës së tyre.

Sfidimi i normave gjinore dhe krijimi i realitetit të ri

“Thonë që të kish qenë gjallë burri marrë i kishte ardh prej teje” thotë një personazhet e filmit. Edhe Fahrija e vërtetë është përballur me paragjykime dhe kundërshtime edhe më të forta kur ia nisi së pari të shesë ajvar në panaire dhe tregje të vogla. Presioni shoqëror ndikoi edhe mbi vajzën e saj asokohe të vogël, e cila një ditë kur u kthye nga shkolla i kërkoi Fahrijes ta ndërpriste aktivitetin e biznesit pasi njerëzit flisnin.

“Sigurisht që vazhdova të punon, nëse jo për vete, për të gjitha gratë e veja që kishin nevojë për punë, dhe për fëmijët e tyre dhe për qetësinë tonë mendore. Ja ku jemi gjashtëmbëdhjetë vjet më vonë. Të njëjtët fermerë që qeshnin me punën tonë, tani i shesin çdo vit perimet në KB Krusha. Disa prej grave të tyre punojnë këtu gjithë kohën, ndërsa disa të tjera vijnë pasi kanë përfunduar me kultivimin e perimeve dhe përgatitjen e turshive nëpër shtëpitë e tyre”, thotë Fahrija. Me investimet e reja, sezoni i punës pritet të zgjatet deri në 11 muaj në vit për të gjithë punëtorët.

Ajo është shumë krenare për këtë ndryshim që ka ndodhur brenda komunitetit dhe e ngazëllyer me ndikimin që ka patur në mbarë botën historia e grave të fshatit Krushë e Madhe.

Fuqia e lidhjeve të komunitetit

“S’mundesh vetë. A nuk lype ndihmë? S’e bëjmë vetëm për ty, por edhe për vete. Për të gjitha ne”, thotë një nga gratë e veja në fil. Fahrija e vërtetë pajtohet. Për të, ndikimi më i rëndësishëm i ndërmarrjes së saj është se u ka dhënë grave një vend ku të jenë bashkë, të ndajnë mundimet e tyre dhe të rindërtojnë jetët.

Sadbere Hoti është ndër gratë e para që nisi punën në KB Krusha që nga viti 2008. Një grua e ve nga lufta, nënë e një vajze, kjo ishte puna e saj e parë jashtë shtëpisë.

Më 11 nëntor 2020, Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Zvicrës Isabelle Moret vizitoi Krushën, ku u takua me Fahrije Hotin dhe gratë e Krushës. Në një postim në Facebook, Ambasada e Zvicrës në Kosovë ka shkruar se “Zvicra është krenare për punën e madhe që kanë bërë gratë e Krushës dhe të impresionuar nga cilësia e produkteve të tyre që eksportohen në Zvicër dhe më gjerë”.

Ecuria e jashtëzakonshme e of KB në këto 16 vjet është një shembull i fuqishëm se si fuqizimi ekonomik i grave, pavarësisht rrethanave, është kyçi për t’i dhënë fund varfërisë në komunitete dhe në shoqëri dhe për t’i bërë shoqëritë më të barabarta dhe me gjithëpërfshirëse për të gjithë.