Kultura

Historia e Kombëtares Shqiptare, pjesë e festivalit në Kaliforni

Dokumentari “Triumph” do të jetë pjesë e “American Documentary Film Festival and Film Fund” në Palm Springs të Kalifornisë.

Dokumentari “Triumph” ka në qendër të tij lojtarët e kombëtares shqiptare dhe rrugëtimin e tyre në Kampionatin Evropian 2016, të gërshetuar së bashku me historinë dhe kulturën shqiptare. Ky dokumentar, i cili do të shfaqet më 29 mars në kuadër të festivalit, është cilësuar si një nga dokumentarët me të mirë që lidhet me sportin e që sjell historinë e kombëtares dhe udhëtimin drejt kualifikimit të parë në një turne të madh, shkruan kultplus, përcjell albinfo.ch.

Filmi në fokusin e tij ka lojtarët e kombëtares, shumica e të cilëve janë fëmijë të imigrantëve, të cilët kanë lënë Kosovën si pasojë e luftës që ka ndodhur, apo kanë lënë Shqipërinë si pasojë e varfërisë dhe sistemit komunist të atëhershëm. 

Të rritur në vende të tjera, ka qenë Shqipëria dhe fanellat kuq e zi që i kanë bërë së bashku këta shqiptarë.

Pikërisht kjo histori dhe bashkimi i këtyre të rinjve ka nxitur edhe regjisorët Kreshnik Jonuzi dhe Luftar Van Rama që të bëjnë një dokumentar për kombëtaren.