Kosova

Ish-politikani zviceran, Leuenberger, për herë të pestë në Kosovë

Ish-politikani zviceran, mbështetës i madh i shqiptarëve në Zvicër dhe në Kosovë, Ueli Leuenberger, në shënimin e 25 vjetorit të çlirimit, ka qëndruar për vizitë në Kosovë.

Kjo është hera e tij e pestë në Kosovë, ndërsa vizita e parë e tij në vend ka qenë në vitin 1993.

Leuenberger gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, ka vizituar ekspozitën që shfaq storie televizive për gjendjen në vend, nga gazetarë të huaj, në periudhën nga viti 1992 e deri në përfundim të luftës, transmeton albinfo.ch.

“Pashë filma, dokumente dhe fotografi të atyre personave që i kam parë çdo natë gjatë lajmeve të RTK-së. Dhe, mu kujtua shumëçka nga koha kur ndaja momentet me kosovarët që nëpërmjet ekranit, po shihnin fshatrat e tyre tek digjeshin. Me kujtohet një gjyshe me një valixhe që ecte përgjatë hekurudhës, duke ikur. Familja e saj në Gjenevë gjatë transmetimit që zgjati 5 sekonda e njohu atë dhe qëndruan gjatë 4 ose 5 ditëve para televizionit, duke i shikuar të gjitha kanalet për të parë përsëri atë. Pas 5 ditësh, ata morën lajme nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar që ajo ishte në Stankovac. Ishte një lehtësim i madh që më në fund kishin lajme për të afërmit e tyre. Situata të tilla kam përjetuar qindra dhe mijëra herë me njerëz të ndarë nga vendi i tyre dhe pa qasje në informacion gjatë luftës”, ka thënë ai, për televizionin publik të Kosovës.

Tutje, ai ka thënë se ka qenë i bindur që si në Bosnjë dhe Hercegovinë, edhe në Kosovë do të kishte luftë.

“Dhe me këmbëngulje po kërkoja ndërhyrje që të ndalohej Millosheviqi. Gjatë konfliktit po kërkonim të gjenim mënyra nga më të ndryshmet për të ndihmuar popullin e Kosovës dhe ushtarët e UÇK-së me ilaçe e çdo gjë tjetër që kishim mundësi”, ka shtuar ndër të tjera ai.

Ndër të tjera, ai ka folur edhe për vendet që nuk e kanë njohur Kosovën shtet.

“Është jashtëzakonisht për të ardhur keq, dhe për sa kohë që këto vende nuk e njohin pavarësinë, për sa kohë që Evropa nuk ushtron më shumë presion mbi Beogradin, mendoj se kjo situatë do të zgjasë ende. Do të dëshiroja që qeveritë dhe populli në Evropë të kërkonin me më vendosmëri njohjen e pavarësisë së Kosovës, që do të ishte një zgjidhje për një paqe të qëndrueshme në rajon”, ka thënë ai.