Lajme
Jahjaga kërkon ndihmën e Gjermanisë për vizat
Presidentja Jahjaga falënderoi shtetin gjerman për përkrahjen politike dhe ndihmën ushtarake që i ka dhënë Kosovës, ndërsa kërkoi ndihmë edhe për heqjen e vizave për kosovarët
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka kërkuar të enjten në Berlin, ndihmën e Republikës së Gjermanisë për përfshirjen e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave. Ajo tha se kosovarët kanë mbetur qytetarët e vetëm në Evropë të kufizuar nga lëvizja e lirë.
Këtë kërkesë ajo e ka bërë gjatë një takimi që ka zhvilluar në Berlin me presidentin e Republikës Federale të Gjermanisë, Joachim Gauck. Ky i fundit e ka pritur me nderime të larta ushtarake presidenten kosovare, e cila po qëndron për një vizitë zyrtare në Gjermani.
Në një takim miqësor, presidentja Jahjaga dhe presidenti Gauck, kanë biseduar për çështje të interesit të përbashkët, marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve, procesin e integrimeve evropiane për Kosovën dhe rajonin, si dhe për zhvillimet demokratike në vend.
Presidentja Jahjaga falënderoi shtetin gjerman për përkrahjen politike dhe ushtarake që i ka dhënë Kosovës. Ajo tha se Gjermania vazhdon ta ndihmojë Kosovën në perspektivën evropiane të saj dhe nënvizoi rëndësinë e përkrahjes në procesin e demokratizimit të Kosovës.
Presidentja kosovare tha se Prishtina zyrtare nuk do një shkurtim të rrugës evropiane, sepse ka nevojë për reforma të thella që do të jenë në shërbim dhe në dobi të vet qytetarëve të Kosovës. Mirëpo, sipas saj, Kosova ka nevojë për liberalizim të vizave.
“Kosova ka nevojë për përfshirje në procesin e liberalizimit të vizave, sepse ka mbetur vendi i vetëm në rajon që nuk është përfshirë në këtë proces”, tha ajo, sipas të cilës, kjo çështje mbetet shumë e rëndësishme për qytetarët e Kosovës.
“Institucionet e Kosovës vazhdojnë të jenë të përkushtuara që t’i përmbushin të gjitha kriteret”, tha presidentja Jahjaga, duke kërkuar përkrahjen e Gjermanisë për të përmbyllur me sukses këtë çështje.
Duke folur për normalizimin e stabilizimin e Kosovës dhe të rajonit, ajo e vlerësoi dialogun me Republikën e Serbisë si mënyrën e vetme për të avancuar agjendën evropiane të të dyja vendeve dhe për të pambyllur një kapitull të rëndë të historisë.
Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje në kuadër të dialogut në Bruksel, të lehtësuar nga BE-ja dhe të përkrahur fuqishëm nga SHBA-ja, të cilat duhet të zbatohen në tërësi.
Ajo tha se të dyja vendet duhet të monitorohen për zbatim të suksesshëm të marrëveshjes, sepse përmbyllja e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë, edhe në rrafshin politik, është garanci e vetme se Evropa Juglindore do të jetojë në paqe dhe në përqafim të vlerave evropiane.
”Ky proces i dialogut, pasi të janë shterur të gjitha çështjet mes dy vendeve të pavarura dhe sovrane, duhet të përmbyllet me nënshkrimin e një traktati me peshë ligjore, që do të ishte edhe baza mbi të cilën të dyja vendet do të merrnin përgjegjësitë për anëtarësim individual në BE”, deklaroi Jahjaga.
Ajo theksoi se anëtarësimi në BE është tejet i rëndësishëm për të ardhmen e qytetarëve të Kosovës dhe është e vetmja rrugë e rajonit dhe është agjenda e vetme që bashkon të gjithë pa dallim.
Presidentja Jahjaga theksoi se vendosja e sundimit të ligjit dhe rendit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, në veçanti në pjesën veriore të territorit të saj, është me rëndësi të posaçme, sepse do të ndihmonte avancimin e proceseve demokratike në vend.
Ajo tha se është i domosdoshëm integrimi i komunitetit serb në jetën shoqërore e institucionale të Kosovës që ata të gëzojnë benefitet që ua garanton Kushtetuta e Kosovës dhe t’i bartin përgjegjësitë si çdo qytetar i Kosovës.
Presidentja kosovare theksoi se një test i gatishmërisë së Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë për të ecur rrugës së normalizimit të marrëdhënieve, janë zgjedhjet komunale që do të mbahen në Kosovë me 3 nëntor, që njëherit janë zgjedhjet e para që organizohen në tërë territorin e Kosovës njëkohësisht.
Ajo tha se institucionet e Kosovës u kanë bërë thirrje qytetarëve serbë që të dalin masovikisht në këto zgjedhje për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre legalë dhe legjitimë dhe për t’u bërë pjesë e integruar e shoqërisë dhe institucioneve të Kosovës.
Presidenti i Republikës së Gjermanisë, Joachim Gauck i vlerësoi marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve si shumë të mira. Ai tha se Gjermania ka qëndruar përkrah Kosovës në të gjitha periudhat dhe do të vazhdojë ta mbështesë atë në proceset e demokratizimit të vendit dhe në rrugën evropiane të Kosovës.
“Perspektiva evropiane e Kosovës dhe e gjithë rajonit të Evropës Juglindore është e qartë dhe vlerësoi se është e nevojshme përmbushja e standardeve dhe kritereve të përcaktuara”, deklaroi presidenti gjerman.
Gauck u interesua veç të tjerash edhe për zhvillimet e tjera politike në Kosovë dhe në veçanti për procesin e zhvillimit ekonomik si dhe mundësinë e investimeve të huaja në vend.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
“Kino Kosova” hapi dyert me sallat plot dhe rrëfime që sollën Kosovën në ekran Hapja u karakterizua nga një interesim i lartë që tregon peshën që ky aktivitet ka fituar... -
“Pse jemi të ndarë?” – Një thirrje e fuqishme për vetëdijesim -
Premierë botërore për filmin “Dua” në Festivalin e Kanës, moment krenarie për kinemanë kosovare -
Dua Lipa publikon albumin dhe filmin koncertal “Live From Mexico” -
Zvicër
Pas votave të diasporës, Kurti, Vjosa dhe Abdixhiku nisin turin e takimeve në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Qeveria zvicerane shpjegon të mirat dhe të këqijat e propozimit “Jo 10 milionëve” Qeveria e Zvicrës ka përshkruar jo vetëm anët negative që sheh nëse nisma “Jo 10 milionëve”... -
A do të sjellë El Niño nxehtësi rekord në Zvicër? -
Zvicra mbështet tribunalin special për Ukrainën -
Kirurgu i akuzuar i zemrës: “Fajtor, rezistenca kundër meje si mjek italian” -
Këshilli Federal e konsideron ndalimin e telefonave inteligjentë për fëmijët nën 12 vjeç si shumë kufizues












