E-Diaspora
Ka ardhur koha të ngremë zërin!*
Është shumë trend i keq kjo farë „hapja e syve dhe mobilizimi i popullatës shqiptare në Zvicër". Trend që mund të peshojë rëndë mbi historinë tonë
„O Zot, o Zot, ma thuaj, jemi prapë në luftë?” Duhet luftuar për të drejtat tona! „Ma thuaj, Zot, u ktheva prapë në vitet e 90-ta në Kosovë?” Apel të mbështesim kandidatët politikanë shqiptarë të futen në parlamentin e Zvicrës! „Politikanë shqiptarë? A nuk janë ata zviceranë me prejardhje shqiptare?” E vetmja CVP-ja që mendon seriozisht për shqiptarët! „CVP-ja që është çdo vit në humbje si parti? CVP-ja që është parti e të krishterëve dhe merr shqiptarë myslimanë si kandidatë? Diçka po zihet këtu! Diçka nuk po përputhet? A thua, ndonjë marrëveshje?” „Duhen edhe zviceranët të integrohen në shoqërinë evropiane!
„Nuk kanë zviceranët kulturë evropiane? Duhet ne atyre t’ua mësojmë atë? Ne të integruarit komplet në kulturën evropiane, me shumë vetëbesim e themi një gjë të tillë! E logjikshme, apo?!” Ta mbështesim ish mis-Kosovën në kandidaturën e saj në CVP! „Për çfarë arsye? Prit ta lexoj njëherë misionin e saj, atë që e thotë ajo në media! …. „i kam borxh Zvicrës…. kam eksperiencë në LLD…..kam përvojë edhe si modeliste, gjë që është gati e njëjtë me politikën”. Çfarë lidhje ka LLD me CVP-në dhe politikën e Zvicrës? Modelimi dhe politika janë gati njëjtë? Vërtet? Mund të jetë ashtu. Ndoshta në LLD bëhet politikë me strategjinë e modelimit. Unë nuk di, vetëm po them që ta kuptoj logjikën e kësaj vajze”. Shqiptarët më të diskriminuarit në Zvicër – shpresa te të rinjtë shqiptarë në politikën e Zvicrës!
„Në cilin aspekt jemi më të diskriminuarit? Në aspektin që jetojmë në shoqëri paralele të krijuarë nga vetë ne? Të diskriminuar ngase shumica e shqiptarëve i urrejnë zviceranët, sepse që nga fëmijëria të futet në kokë që këta janë njerëz pa ndjenja, njerëz që s’kanë dashuri familjare, janë pa besë e pa kulturë? Jemi të diskriminuar se dështimet tona personale i projektojmë në këtë shtet? *** Të gjithë ju pra që bëni parolla të tilla. Të gjithë ju që organizoni mbledhje të tilla për „t’ua hapur sytë shqiptarëve”.
Të gjithë ju që motivoni të rinjtë të inkuadrohen në politikën zvicerane me motivin kryesor për t’i mbrojtur të drejtat e shqiptarëve. Të gjithë ju kandidatë që keni motive të tilla. Të gjithë ju që shkruani lavdata-artikuj për këta të rinj që përdoren si vegla nga dy anët- zvicerane dhe shqiptare. Për të gjithë ju, pra, i kam disa pyetje reflektive: – Çfarë interesa konkrete keni ju që po i ktheni të rinjtë zviceranë me prejardhje shqiptare në situatën e prindërve të tyre? – Ku po iu dhemb konkretisht? Çfarë kompleksi jeni duke kompensuar? – Mos jeni duke projektuar kohën e regjimit të Millosheviqit e iu ka ngatërruar mendja? – Mos keni problem që të rinjtë kanë filluar të integrohen e doni ta stoponi këtë gjë nga frika e asimilimit? – Mos roli i viktimës është ai më i lehti për t’u jetuar? Çfarë? Ma thuani mua dhe disave që jemi të hutuar për hapat që po merren nga ju?
Ma thuani mua që të di t’ia shpjegoj djalit tim, pasi që atij dhe shokëve të tij me këta hapa po ia vështirësoni integrimin e natyrshëm? Nëse doni vërtet të punoni për integrim, ndaloni këtë trend të shoqërisë paralele?
Nuk ka nevojë për grupe shqiptare në sport, politikë e art. Të gjitha i ka Zvicra vetë. Edhe atë profesionale. Të krijuara jo nga njerëz amatorë, por nga njerëz që atë që e punojnë e kanë studiuar, e kanë profesionalizuar, e kanë mishëruar. Doni fëmijët t’i zhvilloni, atëherë çoni te profesionalistë, e jo te ata që çdo mëngjes e zbulojnë një profesion të ri.
Nëse i doni fëmijët tuaj, nëse e doni integrimin e tyre, nëse sinqerisht dhe pa vetinteres e doni një imazh të mirë për shtetin e prejardhjen tuaj, atëherë leni fëmijët, gjeneratat e reja të jetojnë në shoqërinë zvicerane, e jo në shoqërinë paralele që nuk po e lëshoni si fëmijët e vegjël cepin e fustanit të mamasë! Mos bëni parulla e apele kot që të zgjedhim një kandidat politikan vetëm se ka emër shqiptar. Unë do ta zgjedh atë kandidat që ka një mision të mirë për Zvicrën e banorët e saj – pjesë që janë edhe vendësit e mi.
Nuk më intereson asnjë pikë prejardhja e tij. Mos u bëni kujdestarë të mërgatës, as ju e as kandidatët politikanë të lartpërmendur, se nuk iu ka zgjedhur askush. Mos flisni në emrin tim e të djalit tim. Ju mund të jeni vetëm për ata të frustruarit, për ata nacionalistë që ndiejnë urrejtje ndaj zviceranëve duke projektuar çdo dështim të tyre personal në ata. E doni këtë? Doni të jeni zëri i nacionalistëve shqiptarë, të paintegruarve shqiptarë në Zvicër? LIRINË, INTEGRIMIN, SUKSESIN DHE TË DREJTAT NUK MUND T’I GJENI ASKUND. ATO NUK DO T’UA SJELLË ASKUSH. ATO DO T’I GJENI VETËM NË BRENDËSINË TUAJ. KUR TË JENI NË SHPIRT TË LIRË, DO T’JU LIROHET MENDJA. VETËM MENDJA E LIRË DHE PA PARAGJYKIME, AJO PA KUFIZIME – NË RACË, RELIGJION E NACIONALITET , ËSHTË RRUGA E VETME DREJT INTEGRIMIT. JO VETËM NË EVROPË, POR NË GJITHË SKAJET E BOTËS!!!! Si përfundim të këtij shkrimi nga një JOGAZETARE, por
një femër shumë e thjeshtë, dua t’ua kujtoj një gjë: „Është shumë trend i keq kjo farë „hapja e syve dhe mobilizimi i popullatës shqiptare në Zvicër”. Trend që mund të peshojë rëndë mbi historinë tonë. Nëse një popull në çdo vend e në çdo kohë ngre zërin e viktimës, zëri i viktimës së vërtetë do të vihet në dyshim dhe ndoshta dikur nuk do të dëgjohet më”.
* Pikëpamjet e shprehura në këtë opinion shprehin mendimet e autores dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht qëndrimin e redaksisë.
Biografi e shkurtë:
- Emri e mbiemriFitore Vata
- Prejardhja:Ferizaj
- Vendi ku vepron:Winterthur
- Profesioni:Human Resources Manager
- Kontakti http://www.albinfo.ch/wp-admin/post-new.php
Të ngjashme
Të tjera nga E-Diaspora
E-Diaspora
-
Video
Kurti mban tubim në Cyrih Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti është duke mbajtur tubim në Cyrih të Zvicrës... -
Në Berlin mbahet eventi “Albanian Startups Diaspora Roadshow” -
Amerikë
Studenti shqiptar diplomohet në Akademinë prestigjioze të Detarisë së SHBA-së -
Vjosa Osmani dhe Lumir Abdixhiku nesër takim me mërgatën shqiptare në Zvicër -
Zvicër
Ambasada e Kosovës në Bernë me njoftim të rëndësishëm për votimin me postë në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Baume-Schneider, kritike për pagat e larta të sigurimeve shëndetësore Ajo i përgjigjet një raporti se pagat më të larta në kompanitë e mëdha të sigurimeve... -
Zvicra, e dhjeta në mesin e vendeve më të lumtura në botë -
Zvicra synon kthime më të shpejta azilkërkuesve të refuzuar -
Fshati Blatten, një vit pas rrëshqitjes së dheut u rihap pjesërisht -
Ku saktësisht mund të bësh blerje në Zvicër të dielën?














