Lajme

Kaltrina Durmishi, zyrtare e digjitalizimit në qendrën e IT-së të shumë bankave në Austri

Ka punuar në bankat më të njohura në Austri, tani është zyrtare e digjitalizimit dhe punon në qendrën e IT-së në Vjenë e cila furnizon me infrastrukturë kompjuterike rreth 40 banka në Austri. Kjo është Kaltrina Durmishi

Ngritja e saj në karrierë, pozitat e larta në bankat më të njohura austriake dhe angazhimet e tjera kanë bërë që Kaltrina të jetë një shembull i mirë i integrimit të shqiptarëve në Austri. Vajza me prejardhje nga Skenderaj, në Vjenë ka studiuar për ekonomi dhe shkenca politike. Vendet e saj të punës në bankat austriake kanë qenë gjithnjë interesante, por edhe sfiduese. Aktualisht ajo është zyrtare e digjitalizimit dhe punon në qendrën e IT-së në Vjenë, e cila furnizon me infrastrukturë kompjuterike rreth 40 banka në Austri..

Albinfo.at: Karriera juaj profesionale ka qenë gjithnjë në rritje. A mund të na tregoni se në cilat banka dhe kompani bankare keni punuar deri më tash?

Kaltrina Durmishi: Kam filluar punën në një kompani për konsultimin dhe financimin e kompanive të mëdha, institucioneve dhe qyteteve në Austri, ku ishim në partneritet me disa banka në Austri. Pastaj, në Raiffeisen Bank kam qenë e punësuar në menaxhimin e fondeve të milionave euro që shkëmbenim me kompani të shteteve të ndryshme nëpër botë. Karriera ime ka vazhduar në një bankë zvicerane në Vjenë, në të cilën kam punuar si stratege investimesh. Tani punoj në digjitalizimin e bankave. Pra, aktualisht punoj në qendrën e IT-së, e cila furnizon 39 banka në Austri me Soft dhe Hardware dhe gjithë infrastrukturën kompjuterike që i nevojitet një banke. Jam zyrtare e digjitalizimit. Pozita ime ka të bëjë me zhvillimin strategjik të kësaj fushe për ne dhe bankat tjera më të cilat bashkëpunojmë.

Albinfo.at: Nëse punoni në një bankë, a do të thotë se jeni e pasur?

Sigurisht që pozita të ndryshme në banka të sjellin të ardhura mbi mesatare, por nuk mund të them pasuri të majme.

Albinfo.at: Përse ju pëlqen puna në bankë?

Puna në bankë është interesante dhe shumë sfiduese. Që nga kriza ekonomike në vitin 2008, bankat ballafaqohen me shume sfida: norma bazë nga Banka Qendrore Evropiane, sfidat e presionit rregulativ, një treg i “mbi bankuar” dhe sfida nga konkurrenca e botës së IT-së, gjithashtu frika që edhe pak vite një numër i madh i bankave nuk do të ekzistojë fare, gjë e cila duket se edhe do të ndodhë. Digjitalizimi ka ndryshuar shumë fusha biznesi dhe jam shumë e sigurt që ka edhe tjera po ashtu shumë interesante. Ndoshta në të ardhmen do të  merrem me sfida edhe më të mëdha.

Albinfo.at: A njihni shqiptarë të shumtë që punojnë nëpër bankat austriake?

Në fakt, në pozita të larta bankare janë shumë pak, apo ndoshta unë nuk njoh edhe aq shumë. Sidoqoftë, në pozita të larta ka pak të huaj në përgjithësi. Në drejtime teknike ka numër më të madh dhe janë të suksesshëm në punën e tyre. Po ashtu ka edhe njerëz me biznese personale shumë të suksesshme. Ndoshta si popull kemi më shumë prirje për drejtime teknike dhe racionale.

Albinfo.at: Edhe motra juaj punon në njërën nga bankat austriake. A e shihni si konkurrente?

Motra punon në njërën nga bankat më të mëdha në Austri. Si konkurrencë personale natyrisht nuk kemi, por konkurrencë ka banka ku ajo punon me bankat në të cilat unë kam punuar dhe punoj për to. Shpeshherë bisedojmë me njëra tjetrën rreth sfidave tona dhe mësojmë gjëra të reja nga njëra-tjetra.

Albinfo.at: Kaltrina, përveç Fakultetit Ekonomik, ju keni studiuar edhe në shkenca politike. Të dy këto fakultete të përfunduara në universitetin e Vjenës. Pse u orientuat më shumë në ekonomi se sa në shkenca politike?

Në fakt, pozitat e mia të punës më shumë janë falë fakultetit të shkencave politike se sa atij ekonomik. Shumë njerëz mendojnë se të studiosh shkencat politike do të thotë të merresh patjetër me politikë, gjë që nuk është aspak e vërtetë. Ky drejtim të sjell aftësi hulumtuese dhe analitike në çdo aspekt. Kjo ka më shumë vlerë në tregun e punës se sa të dish të llogaritësh diçka në ekonomi. Derisa ke aftësi për të menduar për problemin, zgjidhjen në ditët e sotme e gjen në një program të IT-së. Ekonominë e kam studiuar për t’i kuptuar ndërlidhjet e fenomeneve politike – ekonomike, që në fakt nuk më dolën të jene aq relevante për punën time, por mësova sëesi t`i gjej përgjigjet në pyetjet e mia.

Albinfo.at: Nëse do të vijë një ofertë për të punuar në institucionet shtetërore politike në Austri, a do ta braktisje punën në banka?

Në Austri sektori privat është shumë më fitimprurës se sa sektori shtetëror. Kam pasur oferta dhe kemi qenë në bisedime shumë të thella, por pagesat në këto sektorë e bëjnë që për punët në atë sektor të përcaktohen vetëm ata që kanë ndenja patriotike. Unë jam tip shumë sfidues dhe nuk më paraqet problem nëse në të ardhmen do të ndryshoj krejtësisht drejtim të ri në karrierën time.

Albinfo.at: A mund të presim që në një të ardhme t’ju shohim si kandidate politike, pse jo edhe deputete në Parlamentin e Austrisë?

Kurrë mos thuaj kurrë! Jam shumë racionale dhe mundohem t’i vlerësoj gjërat ashtu siç janë – pa i ngjyrosur. Nuk mendoj se politika ose Qeveria Austriake është e gatshme të ketë një njëri me emrin dhe mbiemrin tim, që është shumë larg nga të qenët “i vendit”. Kjo nuk ka të bëjë me racizëm, por është një fenomen që vlen çdokund. Të pretendosh të hysh në parlament duke shpresuar vetëm në votat e shqiptarëve por edhe duke dhënë premtime vetëm për komunitetin shqiptar, mendoj se përveç se është paksa e pamundur, është edhe e panevojshme, ngase komuniteti shqiptar është i integruar tërësisht në shoqërinë austriake, madje më shumë se sa komunitete të tjera që jetojnë në Austri. Megjithatë, nëse vjen koha ndonjëherë, edhe do ta shqyrtoj si mundësi.

Albinfo.at: Përpos punës profesionale, ju jeni shumë aktive edhe në aktivitetet shqiptare në Austri. Jeni anëtare e kryesisë së Këshillit të Shoqatave Shqiptare në Austri, por edhe prezantuese në shumë aktivitete kulturore shqiptare. Si ia dilni?

Kjo është pyetja që ia bëj shpeshherë edhe vetes, por që ma bëjnë edhe të tjerët. Angazhimet e mia në Shoqërinë Kulturore “17 Shkurti” dhe në Këshillin Koordinues janë paksa më të mëdha, ndërsa të tjerat janë më të vogla. Punoj me gjashtë shoqata shqiptare dhe të huaja. Nuk është edhe aq dramatike sa të tjerët mendojnë, pasi janë disa angazhime me intensive dhe më pak intensive, dhe natyrisht përvoja e bën të veten. Këta dy muajt e fundit të vitit i kemi të plotë me angazhime të ndryshme. Megjithatë, ku ka dëshirë, ka edhe rrugë, ku nuk ka dëshirë, ka shumë arsyetime!

Një komunitet i integruar

Të pretendosh të hysh në parlament duke shpresuar vetëm në votat e shqiptarëve por edhe duke dhënë premtime vetëm për komunitetin shqiptar, mendoj se përveç se është paksa e pamundur, është edhe e panevojshme ngase komuniteti shqiptar është i integruar tërësisht në shoqërinë austriake, madje më shumë se sa komunitete të tjera që jetojnë në Austri.

Bankat, para sfidave të shumta

Që nga kriza ekonomike në vitin 2008, bankat ballafaqohen me shume sfida: norma bazë nga Banka Qendrore Evropiane, sfidat e presionit rregulativ, një treg i “mbi bankuar” dhe sfida nga konkurrenca e botës së IT-së, gjithashtu frika që edhe pak vite një numër i madh i bankave nuk do të ekzistojë fare.

 

P.s: Artikulli fillimisht është botuar në magazinën albinfo.at