Futboll

Kapiteni i Zvicrës mbron Xhakën

Situata e Granit Xhakës në Arsenal vazhdon të komentohet në mënyra të ndryshme

Granit Xhaka ishte kapiten dhe lider në Arsenal. Megjithatë, pasi ofendoi tifozët e skuadrës londineze, ai u përjashtua nga ekipi për disa ndeshje, i është marrë shiriti i kapitenit dhe ka pasur shumë pak minuta, përcjell albinfo.ch.

Rreth situatës së fundit ka folur edhe Stephan Lichtsteiner, ish-mbrojtës i Arsenalit dhe kapiteni i parë i Zvicrës.

“Unë i kuptoj dy anët. I kuptoj tifozët, sepse ata janë ambiciozë dhe duan të fitojnë. Ata nuk janë të lumtur, por unë e kuptoj edhe Granitin, sepse reagimi i tij ishte njerëzor. Ai meriton më shumë respekt, sepse e jep më të mirën për Arsenalin”, deklaroi mbrojtësi.

“E shoh si punon, ai është 100 për qind profesionist në punën e tij. Në anën tjetër, sa më i madh të jetë klubi, aq më i madh është presioni. Si lojtar, duhet të mësosh ta menaxhosh presionin, sepse është pjesë e lojës”, theksoi zvicerani.

Lichtsteineri dhe Xhaka kanë luajtur së bashku në Arsenal dhe luajnë te Zvicra.