Lajme

Këshilla të përgjithshme juridike sipas ligjeve austriake

Më qëllim të informimit të përgjithshëm mbi të drejtat dhe qasjen e barabartë në drejtësi për të gjithë banorët me leje qëndrimi në Austri, albinfo.at sjell një intervistë me Mag. Lehan Begzatin.

Mag. Lehan Begzati na informon më shumë mbi ligjet austriake dhe mbi të drejtën e secilit prej nesh. Begzati ka përfunduar shkallën e studimeve për magjistër në Fakultetin Juridik të Vjenës. Ai ka punuar në zyrën doganore të Vjenës dhe në një zyrë të avokaturës. Aktualisht është i punësuar si jurist i shtetit federal të Austrisë së Ulët. (Jurist des Landes Niederösterreich).

Çfarë është “puna e shkurtuar” apo “Kurzarbeit” në kohën e pandemisë?

Puna e shkurtuar “Kurzarbeit” gjatë pandemisë së koronavirusit është një instrument për të ndaluar valën e shkarkimeve nga puna gjatë krizës. Kjo paraqet një mbështetje për kompanitë në mënyrë që të jenë në gjendje të mbajnë sa më shumë të punësuar në kompani edhe në kohën e krizave financiare. Për këtë arsye AMS (Zyra e punësimit në Austri) merr  përsipër pagimin e një pjesë të madhe të të ardhurave mujore pasi që kompanitë kanë aplikuar për këtë ndihmë.

Puna e shkurtuar nuk mund të kërkohet nga të punësuarit në mënyrë individualë, por këtë vendim mund ta marrë vetë kompania. Në përgjithësi, mbështetja mund t’u jepet vetëm kompanive që janë prekur financiarisht rëndë nga kriza aktuale e koronës dhe nga masat e ndërmarra ndaj pandemisë. Kompanitë duhet të aplikojnë tek AMS për këtë ndihmë.

Punëmarrësit janë akoma të punësuar, por punojnë më shkurt ose nuk punojnë fare për një periudhë të caktuar. Sidoqoftë të punësuarit marrin 80 deri në 90% të të ardhurave të deritanishme neto.

Që nga 1 tetori 2020, mesatarja e punës duhet të jetë në mes  30% dhe 80% gjatë periudhës përkatëse të punës së shkurtuar. Puna më pak se 30% është e mundur në raste të jashtëzakonshme.

Marrja e një shtetësie tjetër, a do të shkaktojë automatikisht humbjen e shtetësisë austriake?

Parimisht po. Megjithatë ekzistojnë disa përjashtime. Përjashtimet e përmendura janë:

  • nëse është në interes të Republikës së Austrisë. Në këtë rast bëhet fjalë për kontributin e arritjet e personit, të cilat janë në interes të Republikës së Austrisë. Vlerësimi se a janë këto arritje apo ky kontribut në interes të Austrisë bëhet në bazë të kritereve të Ministrisë së Brendshme.
  • justifikohet me një arsye nga jeta private dhe familjare e aplikantit që është veçanërisht e denjë për t’u marrë në konsideratë dhe shtetësia austriake është fituar në lindje ose
  • në rastin e të miturve, nëse është në interesin më të mirë të fëmijës.

Përjashtimet duhet të dëshmohen para aplikimit për shtetësinë e dytë.

Përveç tjerash në kushtet që duhet plotësuar duke mos u marrë me detaje, bëjnë pjesë moskryerjet e veprave penale, mosshkeljet e mëdha të ligjeve si dhe mosndodhja në një proces të hapur penal. Natyrisht e domosdoshme është që në shtetin e dytë poashtu të jetë i lejuar posedimi i dy shtetësive njëkohësisht.

Me çështjet e aprovimit apo refuzimit të mbajtjes së shtetësisë merret Departamenti i Shtetësive tek zyrat përkatëse të qeverisë federale (Staatsbürgerschaftsabteilung des jeweiligen Amtes der Landesregierung).

Përse posedojnë fëmijët në raste të shumta dy shtetësi?

Nëse prindërit janë të martuar, fëmija merr shtetësinë austriake në lindje nëse njëri nga prindërit është shtetas austriak.

Nëse prindërit nuk janë të martuar dhe vetëm babai i fëmijës është shtetas austriak, por nëna është shtetase e një shteti tjetër, fëmija fiton shtetësinë austriake përmes prejardhjes nëse babai austriak ose e ka pranuar atësinë e tij vetë apo atësia është vendosur përmes gjykatës brenda 8 javëve nga lindja. Atësia gjithashtu mund të pranohet para se të lindë fëmija. Nëse vetëm nëna është shtetase austriake, fëmija do të fitojë shtetësinë austriake me lindje.

Nëse parimi i prejardhjes zbatohet edhe në vendin e origjinës së prindit të huaj (si në Austri), fëmija është shtetas i dyfishtë. Sipas ligjit austriak, nuk është e nevojshme që fëmija të vendosë cilën  shtetësi do ta mbajë me arritjen e moshës madhore , mirëpo ky vendim mund të kërkohet nga shteti tjetër.

Cilat taksa janë të detyrueshme të paguhen nëse dikush sjell një automjet të përdorur nga Shqipëria, Maqedonia apo Kosova në Austri?

Në shqyrtim është marrë rasti kur personi jeton në Austri.

Këto vlera duhen paguar:

-Taksa doganore, 10 për qind prej vlerës se automjetit të transportuar deri në kufirin doganor . Kjo vlerë llogaritet nga shuma e çmimit të blerjes dhe shpenzimeve të transportit deri në kufirin EU.

-Taksa e importit në EU, 20 për qind “Einfuhrumsatzsteuer” prej vlerës së automjetit (Dmth. 20% nga çmimi i blerjes + shpenzimet e transportit + taksa doganore)

Këto dy taksa duhet të paguhen tek zyra doganore.

Pas regjistrimit të automjetit, paguhet taksa e ashtuquajtur “Normverbrauchsabgabe” (NoVA) tek zyra lokale e taksave.

Moskryerja e obligimeve të lartpërmendura mund konsiderohet si evazion fiskal (Abgabenhinterziehung) dhe si kontrabandë (Schmuggel).

Rregullat e mësipërme nuk vlejnë për raste të veçanta si p.sh. automjete oldtimer.

Kartoni Kuq-Bardhë-Kuq për punëtorët e kualifikuar ( Rot –Weiß – Rot Karte für Fachkräfte)

Shtetasi i një shteti të tretë (ku bëjnë pjesë edhe shtetasit nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia), mund të aplikojë për një karton të Kuq-Bardhë-Kuq si punëtor i kualifikuar për 24 muaj nëse:

  • dëshmon përfundimin e aftësimit profesional në një profesion deficitar sipas Rregullores,
  • ka një ofertë të sigurt punësimi në Austri dhe kompania është e gatshme t’ia paguajë pagën minimale të duhur sipas ligjit, rregullores ose marrëveshjes kolektive (Kollektivvertrag)
  • mbledh së paktën 55 pikë nga 90 të mundshme sipas kritereve të cekura në shembujt në vijim. Duke mos u marrë me detajet, pikët mblidhen në bazë të kualifikimeve të caktuara. P.sh. për aftësitë e gjuhës gjermane në nivelin A2 mblidhen 10 pikë, nivelin B2 15 pikë. Nëse jeni më i ri merrni më shumë pikë, p.sh. deri në moshën 30 vjeçare 15 pikë, deri në moshën 40 vjeçare 10 pikë, kurse mbi këtë moshë asnjë pikë. Nëse keni përfunduar studimet merrni 30 pikë. Profesionet deficitare përcaktohen sipas Rregullores së Ministrisë së Punës dhe ndryshojnë bazuar në situatën aktuale të tregut të punës.

Aplikimi për kartën Kuq-Bardhë-Kuq mund të bëhet personalisht në autoritetin përfaqësues austriak (ambasada ose konsullata) në vendbanimin tuaj. Po ashtu aplikimin mund ta bëjë punëdhënësi juaj i mundshëm në institucionin kompetent për të huaj në Austri (Landeshauptmann oder ermächtigte Bezirkshauptmannschaften/Magistrate). Bashkë me kërkesë duhet të dorëzohet edhe një deklaratë e punëdhënësit lidhje me informata të detajuara për punën e ardhshme.

Çfarë është “Abfertigung neu”?

“Abfertigung neu” është një shumë e të hollave që fitohet pas përfundimit të marrëdhënies së punës, për punëmarrësit që kanë lidhur kontratën e punës pas 1.1.2003. “Abfertigung alt” vlen për punëmarrësit, kontrata e punës e të cilëve ishte lidhur para 1.1.2003. Që nga 1 janari 2008, “Abfertigung neu” zbatohet gjithashtu edhe për punëtorët e pavarur dhe të vetëpunësuarit.

Punëdhënësit duhet të paguajnë kontribute për punëmarrësit me vlerë prej 1.53 përqind të pagës mujore dhe pagave shtesë në fondin “Betriebliche Vorsorgekasse (BV)”.

“Abfertigung neu” ju takon nëse marrëdhënia juaj e punës u ndërpre me marrëveshje reciproke, me shkarkim nga puna përmes punëdhënësit ose me skadim të afatit të kontratës së punës dhe totali i muajve të kontributit tuaj është 36 muaj (3 vjet) ose më shumë .

“Abfertigung neu” ju takon gjithashtu pas 5 viteve (nëse keni paguar kontribute), gjatë të cilave jeni marrë me aktivitet që nuk ka për detyrë medoemos kontributin për “Abfertigung” në Austri (p.sh. për shkak të qëndrimit jashtë Austrisë ose papunësisë) dhe së fundi ju takon edhe pas daljes në pension.

Sidoqoftë  nëse punëdhënësi ndryshon, punëmarrësi gjithashtu ka mundësinë e transferimit të  kontributeve të mbledhura te punëdhënësi i ri.

P.S. Këto të dhëna kanë vetëm karakter informativ të përgjithshëm dhe nuk zëvendësojnë konsultimet në lidhje me rastet konkrete.