Qatar 2022

Këto janë përballjet interesante në Kupën e Botës

Katër kombëtare të mëdha kërkojnë sot kualifikimin në fazën tjetër

Raundi i tretë i ndeshjeve të grupeve E dhe F do të prodhojë sot edhe katër skuadra të tjera që do të kalojnë në mesin e 16 më të mirëve për fazën e eliminimit direkt të Kupës së Botës, e cila po zhvillohet në Katar, përcjell albinfo.ch.

Kroacia-Belgjika do të jetë njëra ndër sfidat më të rëndësishme të ditës, pasi do të luftojnë direkt për kualifikim në kuadër të grupit F.

Kroacia ka katër pikë në vendin e parë, kurse Belgjika është e treta me tri pikë.

Ndeshja tjetër e këtij grupi është ajo ndërmjet Marokut dhe Kanadasë, me këtë të fundit që ka humbur të gjitha gjasat, pasi është pa pikë në vendin e katërt, kurse marokenët me fitore do të vazhdonin në fazën tjetër.

Edhe grupi E do të sjellë dy ballafaqime të jashtëzakonshme, me Gjermaninë dhe Spanjën që kërkojnë të mos zhgënjejnë, por të vazhdojnë në fazën e eliminimit direkt.

Kosta Rika do të jetë rivali i Gjermanisë dhe vetëm fitorja i dërgon gjermanët tutje, kurse Spanja ballafaqohet me Japoninë, në një tjetër sfidë jetike.

Grupin E e kryeson Spanja me katër pikë, pastaj Japonia me Kosta Rikën me nga tri pikë, kurse e fundit është Gjermania me vetëm një pikë.