Lajme
Kjo është pako e 11-të e sanksioneve ndaj Rusisë
BE-ja miraton sanksione të reja
Këshilli i Bashkimit Evropian e ka miratuar pakon e 11-të të sanksioneve kundër Rusisë për pushtimin e paprovokuar të Ukrainës. Në këtë pako zgjerohen disa kufizime të mëhershme dhe shtohen dhjetëra entitete të reja në listën e sanksioneve, përcjell albinfo.ch.
Përmes kësaj pakoje, Bashkimi Evropian po tenton t’ua pamundësojë vendeve dhe kompanive të tjera t’i anashkalojnë masat e vendosura më parë.
Këshilli i publikoi sanksionet pas miratimit të tyre më 23 qershor, duke thënë se pakoja do të sigurojë që sanksionet e BE-së kundër Rusisë “të zbatohen edhe më mirë, bazuar në mësimet e nxjerra nga zbatimi i tyre gjatë vitit të kaluar”.
Sanksionet e fundit synojnë t’i mbyllin zbrazëtirat në atë mënyrë që mallrat dhe teknologjia kyçe për përpjekjet luftarake të Rusisë të mos arrijnë në Rusi nëpërmjet vendeve që tregtojnë me BE-në.
Jahti i një oligarku rus, i sekuestruar nga policia italiane.
Këshilli i BE-së tha se ka shtuar 87 entitete të reja në listën e sanksioneve, për të cilat BE-ja thotë se “po e mbështesin drejtpërdrejt kompleksin ushtarak dhe industrial të Rusisë në luftën e saj kundër Ukrainës”. Këto kompani, tha blloku evropian, janë të regjistruara në Kinë, Uzbekistan, Emiratet e Bashkuara Arabe, Siri dhe Armeni.
“Sisteme janë duke u vendosur në disa vende për monitorimin, kontrollin dhe bllokimin e rieksportit”, thuhet në deklaratën e BE-së.
“Shifrat anormale të tregtisë për disa produkte/vende shumë specifike janë dëshmi e fortë se Rusia po përpiqet në mënyrë aktive t’i anashkalojë sanksionet. Kjo kërkon që ne t’i dyfishojmë përpjekjet tona në trajtimin e anashkalimit dhe t’u kërkojmë fqinjëve tanë bashkëpunim edhe më të ngushtë”.
Pakoja e re lejon zbatimin e masave që kufizojnë eksportin e mallrave dhe teknologjisë drejt vendeve të treta, të cilat më pas mund t’i transferojnë ato në Rusi. Rregullat e reja ia lejojnë BE-së të ushtrojë shumë më tepër presion për t’i dhënë fund praktikës së mëparshme.
Zyrtarët e BE-së kanë qenë prej kohësh të shqetësuar për një rritje të kërkesës për produktet e BE-së nga fqinjët e Rusisë, të cilët kanë vazhduar marrëdhënie tregtare me Moskën.
Pakoja gjithashtu përfshin pezullimin e licencave të transmetimit të BE-së për pesë media të tjera shtetërore ruse të kontrolluara, duke e çuar numrin total të mediave në dhjetë.
Për më tepër, pakoja ndalon hyrjen në portet e BE-së për anijet që angazhohen në transferimin e naftës së papërpunuar ose të produkteve të naftës në det, nëse ka arsye për të dyshuar se ngarkesa ka origjinë ruse.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Osmani në Cyrih: Diaspora në Zvicër i jep jehonë mesazhit ‘rugovizmi jeton’ Në një tubim me bashkatdhetarët në Cyrih të Zvicrës, kandidatja e LDK-së për presidente, Vjosa Osmani,... -
Kurti takim me studentët shqiptarë në Zvicër -
Politikanët shqiptarë të Zvicrës kundërshtojnë nismën “Jo Zvicrës 10 milionëshe” -
Rusia sulmon kompleksin rezidencial ku banon ambasadori shqiptar në Kiev -
Premtimi i Kurtit para mërgimtarëve në Cyrih
Jeta në Zvicër
-
22 raste të dyshuara për abuzim seksual në çerdhe në Zvicrën frëngjishtfolëse Në Zvicrën frëngjishtfolëse janë regjistruar 22 raste të dyshuara për abuzim seksual në çerdhe gjatë pesë... -
Bern: Investime të reja në parkingje për biçikleta pavarësisht përdorimit të ulët -
Osmani në Cyrih: Diaspora në Zvicër i jep jehonë mesazhit ‘rugovizmi jeton’ -
Si u bë Zvicra eksportuesja e dytë më e madhe e kafesë në botë pa e kultivuar? -
Nga 18 shtëpi funerale të anketuara, asnjëra nuk është në gjendje të mirë për sa i përket transparencës së çmimeve














