Kultura

Klubet e UNESCO-s dhe Kosova në UNESCO

Mullinjtë me ujë, të cilët çdo regjion i Kosovës i ka (i ka pasur), me një punë më të madhe në nivel lokal me koordinim në aspektin regjional dhe me përgatitje të dosjes, do të përbënin një kandidaturë shumë të mirë për futjen në Trashëgiminë Botërore të UNESCO-s

Është përparësi të kesh një punë që të mundëson që ndonjëherë të kesh kohën para vetes dhe të mundësh të realizosh diçka që të pëlqen për shembull qoftë pirja e një kafe të mëngjesit. E këtë përparësi sa i përket fleksibilitetit në punë e realizova një mëngjes të qershorit të këtij viti që në vend të shkoja në zyre u ndala në lagjen «La sallaz», lagje që gjendet në pjesën veriore të qytetit të Lozanës. Ulem në terrasë të vogël dhe shikoj njerëzit që hapin e kanë të nxituar për të arritur sa më parë në punë, shikoj ndërtimet që janë bërë në qendër të lagjes që ka marrë formën e një shëtitoreje të bukur. Nuk ndalem së sodituri dhe ashtu si çdo shqiptar mërgimtar që ka kaluar së paku një pjesë të rinisë në vendlindje, kam mendimet paralele dhe krahasimore. Kur bëhet fjalë për mendime paralele mendimet më bartin në lagjen ku jam rritur, në « Kodër të Diellit » të Prishtinës. E krahasoj lagjen ku kam kaluar fëmijërinë dhe ku shkoj me aq ëndje, qoftë për dy apo tri ditë. Lagjja «La sallaz» edhe pse konsiderohet si lagje jo e pasur në kuptim e fjalës që aty nuk janë përqendruar pasanikët, shikoj gjithandej numrin  e madh të restoranteve si tregues të fuqisë blerëse të banorëve kurse te lagjja Kodra e Diellit, edhe pse mbetet lagjja më e madhe e Prishtinës nuk shoh pranin e madhe të restoranteve familjare …

 

Regjioni Lavaux, Zvicër, nën mbrojtje të UNESCO-s

Filloj të shfletoj gazetat e duke e bërë këtë, më kujtohen ditët e para kur kam arritur në Zvicër, kur mbretëronte thënia «Në Zvicër, kur pi kafe në kafeteri së paku lexo gazetat se kështu e rentabilizon çmimin e lartë të kafes dhe e mëson gjuhën e huaj më shpejt ». E në ketë prizëm të mësimit më bie para syve shkrimi për 10 vjetorin e futjes së regjionit të Lavaux në Trashëgiminë Botërore të UNESCO-së. Lauvaux është regjion buzë liqenit Leman në kantonin Vaud me një shtrirje prej 14 kilometrave, i tëri i mbuluar me vreshta në një peizazh të gdhendur në gurë e me terrasa që strehojnë dhe përbëjnë fole ekologjike për florën dhe faunën që duan vendet e thata dhe të ngrohta. Kjo bukuri natyrore me pamje të mrekullueshme nuk do të ishte e tillë po të mos ishin njerzit që kanë punuar për të. Artikulli i jep hapësirë një Zotëriu Z. Bernard Bovy, ish president i shoqatës për ta futur regjionin e Lavaux në UNESCO, që gjithë jetën ja ka kushtuar vreshtarisë dhe regjionit të Lavaux. Po të mos ishte ky artikull nuk do ta kisha shkruar këtë shkrim andaj do të ndalem se si më ndodhi të njihem e të dëgjoj personalisht rrëfimin e Z.Bovy…

Në Zvicër njihet puna vullnetare e qytetarëve të angazhuar në shoqata qoftë për të mirën e lagjeve, qoftë për promovimin kulturor, sportiv, ekonomik. Zvicra futet në shtetet që kanë rrjetin më të madh të shoqatave të ndryshme. Rrjet i tillë është edhe rrjeti i klubeve të UNESCO-s, i njohur nga Komisioni Zviecran i UNESCO-s – http://www.unesco.ch/fr/avec-qui/clubs/. Në Zvicër janë 4 klube

(Fribourgut, Gjenevës, Lozanës, dhe Bellinzona) të UNESCO-së të përqenduar në pjesën frankofone dhe dhe atë italiane. Klubi i UNESCO-s i Lozanës është një klub i vogël i udhëhequr nga unë (për më shumë informata mundeni të konsultoni blogun: http://clubpourunescolausanne.over-blog.com/  dhe që në kuadër të aktiviteteve të veta është i përqendruar në realizimin e së paku një projekti apo të një aktiviteti gjatë vitit dhe atë në formë shumë diskrete….

Këto klube shpërndajnë vlerat dhe idetë e UNESCO-s, duke favorizuar shpërndarjen e informatave, të ideve, të përvojës që përkojnë me programet e UNESCO-s. Kur jemi te përvoja, klubi i UNESCO-s i Gjenevës së bashku me klubin e UNESCO-s të Lozanës organizuan në tetor të vitit 2014 një vizitë në Lavaux ku mirëpritës ishte Z.Bovy në vreshtat dhe podrumin e tij të verërave. Ishim mbi 20 persona që dëgjonim me endje për punën që është bërë për të arritur që UNESCO të njohë këtë vend si trashëgimi botërore. Spikas formën e shpjegimit që me aq ëndje e bën Z.Bovy, që unë nuk e quaj ndryshe përveç dashuri për vendin e vet.

Se si paraqitet kjo lidhshmëri me vendin dhe mbrojtjen e bukurisë së vendit, ndalem në një detaj që e tregon Z.Bovy. Kur delegacioni i UNESCO-s kishte ardhur për ta vizituar regjionin Lavaux ishin bërë të gjitha përgatitjet qoftë të dokumenteve qoftë të përshkrimit gjeofizik të regjionit, qoftë vizitat me anije apo shikimi nga maja e regjionit. Z.Bovy shton se e dinim që delegacioni nuk do të kënaqej vetëm me anën protokollare po do të kishte edhe ndonjë kërkesë nga ana e delegacionit…

Se çfarë përgatitjesh deri në detaje kishte bërë ekipi i Lavaux tregon fakti që në momentin kur delegacioni i UNESCO-s u ndal në mes të regjionit të Lavaux në një terrasë prej nga shihet i tërë regjioni dhe ku lartësia të jep idenë që mundesh të komunikosh edhe me anijet që lundrojnë në liqe. Delegacioni i UNESCO-s, rrëfen Z. Bovy, shijonte bukuritë e regjionit dhe vështronte vreshtat e radhitura në terrasa dhe në atë momentë një anëtar i delegacionit doli me një kërkesë që nuk ishte në protokoll… Ai tha «Mirë që shikojmë gjithë këto vreshta po më mirë të do ishte të shijonin prodhimet e këtyre vreshtave» duke përcjellë kërkesën e tij me një të qeshur të madhe … e ne si pritës të këtij delegacioni të rëndësishëm të UNESCO-s kishim parashikuar edhe këtë kërkesë dhe ashtu pa pritur të ndalet e qeshura e tij, ne me një shenjë tonën bëmë që të na bashkohet kamioneta që bartte ekipin e shërbimit. Dhe pas pesë minutave u shtruan tavolinat me gota speciale, me shërbim special dhe me verërat më të mira të ardhura nga prodhuesit vendorë të Lavaux. Delegacioni I UNESCO-s mbeti shumë i kënaqur edhe nga ky shërbim jashtë protokollar.

Një lidhshmëri të madhe me monumente dhe pasuri të vendit kam pasur rast të shoh edhe në vizitën e bërë në muajin tetor të vitit të kaluar në Bellinzona të kantonit të të Tesinës ku klubi i UNESCO-s atij kantoni gjatë ditëve të trashëgimisë botërore të UNESCO-s na tregoi për punën e bërë që kështjellat e Bellinzonës të futen në mbrojtje të trashëgimisë botërore të UNESCO-s dhe për promovimin e vlerave të UNESCO-s.

 

E gjithë kjo histori e punëve që bëhen nga klubet e UNESCO-s jo vetëm në Zvicër po në gjithë botën (mbi 5000 klube të UNESCO-s janë aktive në botë), me punë vullnetare dhe me pasion, më vë në lidhshmëri me kandidaturën e Kosovës që të bëhet pjesë e UNESCO-s. Shpresoj që së paku në aspektin lokal ka apo do të ketë nisma të tilla që kanë synim që trashëgimitë qoftë materiale apo jo materiale të Kosovës të mbrohen, të promovohen dhe njëherësh të vlerësohen së pari në nivelin lokal. Futja e Kosovës në UNESCO ka rëndësinë e saj  madhe në të gjitha aspektet shoqërore dhe shtetërore. E puna që mundet të bëhet në nivelin lokal vetëm do të ndihmonte që kandidatura e Kosovës para pranimit të ketë peshën edhe më të madhe se do të shihej që kjo kandidaturë është serioze dhe nuk buron nga aspekti politik po Kosova si pjesë e mozaikut botëror ka çfarë t`i ofrojë trashëgimisë botërore të UNESCO-s. E dihet që çdo punë në nivel lokal është shoqëria që përfiton nga ajo punë se vlerësimi i një trashëgimie botërore të UNESCO-s rrjedh nga vlerësimi lokal se ketë pasuri botërore potenciale e mbron së pari popullsia lokale.

Duke shkruar këtë pjesë teorike të lidhshmërisë në mes Kosovës dhe UNESCO-s ndoshta do të ju hy në hak personave, shoqatave dhe strukturave shtetërore që punojnë shumë dhe për çfarë unë nuk jam në dijeni po së paku ky shkrim rrjedhë nga dëshira ime e madhe që vendi im të bëjë hapa që qytetari i vet të jetë i kënaqur me vendin dhe të jetë në gjendje të vlerësojë pasurinë e vet.

Kur flasim për pasuri do të merrja guximin të ndalem në vlerësimin e një pasurie të madhe trashëgimore që Kosova ende posedon e që është punë që do t`i jepte shkak edhe më të madh mobilizimit të shoqërisë në të gjitha nivelet qoftë lokal, qoftë qendror.

E kam fjalën për Mullinjtë me ujë, të cilët çdo regjion i Kosovës i ka (i ka pasur) dhe që një punë më e madhe në nivel lokal me koordinim në aspektin regjional dhe me përgatitje të dosjes me një analizë shumë dimensionale (arkitekuror, historik, fotografik, hidro, turistik etj.) do të ndihmonte të vlerësohej nga popullsia lokale. Po edhe e gjithë kjo punë do të ndihmonte të përgatitej një dosje si kandidaturë shumë e mirë për futjen në Trashëgiminë Botërore të UNESCO-s.

Marr shembull «Luginën e mullinjve të Llapit», me gjithë atë rrjet të mullinjve që paraqet në vetvete një bukuri të madhe e cila  me punë e investim lokal do të shndërrohej edhe në një potencial turistik.

E shembuj të trashëgimisë në Kosovë, ku do të mundej edhe më shumë shoqëria të mobilizohej, lumturisht, ka. E mua më mbetet të vazhdoj të lexoj edhe më shumë gazetat shqiptare që të njoftohem për iniciativa që shoqëria në Kosovë është duke i bërë për të mirën e komunitetit së pari dhe për përparim me dosje për UNESCO…