Kuriozitete

Kompanitë nisin anulimin e fluturimeve, shkak rrjeti 5G

Kompania e njohur ajrore, “Emirates”, njoftoi të martën se do të pezullojë fluturime drejt disa destinacioneve në Shtetet e Bashkuara nga e mërkura deri në njoftimin e ardhshëm për shkak të shqetësimeve rreth aktivizimit të rrjetit 5G për telefona mobilë.

Sipas Reuters, vendimi është marrë “për shkak të shqetësimeve operative të lidhura me lëshimin e planifikuar të shërbimeve 5G për telefona mobilë në ShBA. Në mesin e destinacioneve që do të preken nga pezullimi i fluturimeve janë Çikago, Orlando, Miami e San Francisko.

Fluturimet e kësaj kompania drejt aeroporteve “JFK” në Nju Jork, Aeroportit Ndërkombëtar të Los Angelesit dhe Aeroportit Ndërkombëtar Dulles në Uashington do të vazhdojnë si zakonisht, thuhet në njoftim, transmeton Albinfo.ch.

“Jemi duke punuar ngushtë me prodhuesit e aeroplanëve dhe autoritetet përkatëse për t’i lehtësuar shqetësimet operative dhe shpresojmë që t’i vazhdojmë shërbimet tona në ShBA sa më shpejt që është e mundshme”, vazhdon njoftimi.

Shtëpia e Bardhë tha më herët të martën se dëshiron që të arrijë një zgjidhje për lëshimin e rrjetit 5G që e mbron sigurinë ajrore dhe njëkohësisht e zvogëlon pengimin ndaj transportit ajror.