Tematike

Komuniteti shqiptar në Zvicër, ende i trullosur

Konfrontim i domosdoshëm

Pozita e të huajve në Zvicër, e në këtë kuadër posaçërisht edhe ajo e shqiptarëve, pas aprovimit edhe të ligjeve, të cilat qytetarët jozviceranë, e në veçanti ata që nuk janë qytetarë edhe të vendeve anëtare të BE-së, sa vjen e përkeqësohet. Në këtë kontekst, edhe për shkak të zhvillimeve të pavolitshme politike, ekonomike e sociale në vendet e origjinës, pozita e shqiptarëve në Zvicër dhe gjithandej së fundi u ngarkua edhe më shumë pas raportit famëkeq të Dick Marty-t.

Reagimet e shumicës së politikanëve dhe “faktorit” shqiptar ndaj raportit famëkeq gjithandej ishin shumë emocionale dhe të padiferencuara. Reagimi i parë i diferencuar dhe objektiv që merrte parasysh ruajtjen dhe kultivimin e marrëdhënieve të shëndosha zvicerano-shqiptare që ishin ndërtuar me shumë mund dhe punë si të shqiptarëve, ashtu edhe të zviceranëve të angazhuar, ishte kontributi në platformën elektronike shqiptare në Zvicër albinfo.ch, nga ekspertja e mirënjohur e këtyre raporteve, znj. Sarah Gretler. Motivi i reagimit të saj është human dhe njëherazi paraqet edhe një apel për një reflektim më objektiv të marrëdhënieve shqiptaro-zvicerane, me theks të veçantë në raport me Kosovën, para së gjithash drejtuar përfaqësuesve të shoqërisë shumicë në Zvicër (për më shumë, shih shkrimin me titull “Reflektim i mangët i të kaluarës së afërt në marrëdhëniet Zvicër-Kosovë”).

Më pas, platforma shqiptare në Zvicër albinfo.ch, nëpërmjet intervistës së bërë nga drejtori i saj, z. Bashkim Isenit, me Dick Martyn, paraqet një konfrontim të parë dhe të vetëm të këtij lloji të bërë nga strukturat dhe historinë të komunitetit tonë në Zvicër, me ç’rast autorin e raportit famëkeq e ballafaqon me përgjegjësinë që ai ka për raportet edhe ashtu të ngarkuara shqiptaro-zvicerane. Ky veprim shumë i çmuar i albinfo.ch është i pari i kësaj natyre dhe duhet trajtuar si një gurthemel të fortë për ndërtimin e raporteve dhe marrëdhënieve të shëndosha e konstruktive zvicerano-shqiptare, duke mos u ikur edhe konfrontimeve të tjera të domosdoshme. Këtë më së mirë e vërteton fakti se reagimet e disa mediave, si ajo e Baselit dhe televizioni shtetëror zviceran (SF) iu referuan kësaj interviste dhe vlerësuan në mënyre kritike e reflektuese deklaratat e z. Dick Martyt. Ky veprim duhet të paraqesë vetëm një hap të parë, i cili duhet përcjellë me të tjerë që këto marrëdhënie të jenë të dobishme dhe me ndikim afatgjatë edhe për gjeneratat tona të ardhshme shqiptare dhe zvicerane.

Indiferenca është luks

Për të mos parë çdo gjë nga prizmi negativ, vlen të theksohet se shoqëria shqiptare si këtu, ashtu edhe në atdhe (vendet e prejardhjes) është gjithnjë e më shumë duke u vetëdijesuar. Kjo ka të bëjë me procese të zhvillimeve të një shoqërie si edhe me zhvillimet e pandalshme globale. Kjo nuk duhet as të na vetëkënaqë dhe as të na vejë në gjumë. Për zhvillimet shoqërore përgjegjës janë vetë njerëzit, andaj për pozitën dhe prestigjin tonë jemi vetë ne përgjegjës. Njëherazi duhet të jemi të vetëdijshëm se fatit kolektiv vështirë se mund t’ i shpëtojë ndokush. Për marrëdhëniet me Zvicrën jemi ne përgjegjës.

Detyrat tona

Ne si komunitet (pa dëshirën tonë, minoritet në Zvicër) jemi përgjegjës për pozitën tonë në raport me përfaqësimin dhe realizimin e të drejtave individuale dhe kolektive si në shtetin nikoqir, njashtu edhe në raport me shtetet tona të prejardhjes. Në Zvicër, ne si bashkësi – së paku – gjuhësore, nuk kemi kufizime administrative dhe pengesa të komunikimit e ndërlidhjes si dhe organizimit bashkiak e shoqëror. Një gjë të tillë, për fat, na e garanton dhe na e mundëson edhe kushtetuta e vendit pritës. Përpjekjet në këtë drejtim janë për t’u përshëndetur dhe me dobi të ndërsjellët, çka dëshmon edhe interesimi dhe mbështetja konkrete e përfaqësuesve të institucioneve, kryesisht atyre zvicerane, por edhe shqiptare, e në veçanti përfaqësuesit më të lartë të institucioneve të Kosovës në Zvicër, ambasadorit, z. Naim Malaj.

Pa marrë parasysh rrjedhat dhe përfundimin e çështjes së raportit famëkeq, ne duhet të reflektojmë dhe në të ardhmen të sillemi me më përgjegjësi, d.m.th. të konsultojmë e të analizojmë atë që thuhet për ne dhe, më pas, të marrim një qëndrim mundësisht konstruktiv, pasi që ne jemi të parët që në jetën e përditshme private, familjare, profesionale, bashkiake dhe shoqërore dhe gjithandej përballemi me pasojat e mundshme të çdo veprimi që ka të bëjë me marrëdhëniet e ndërsjella. Në raste të posaçme do të ketë nevojë të ndërmerren edhe hapa të tjerë, si p.sh. në rast fyerjesh raciste edhe juridike. 

A ka reciprocitet në marrëdhënie

Nuk duhet dhe nuk guxojmë që në bazë të qëndrimit të një individi, grupi apo edhe force politike të marrim qëndrim dhe të gjykojmë tërë Zvicrën dhe/apo tërë shoqërinë zvicerane, kjo vlen gjithashtu në mënyrë reciproke edhe për shqiptarët. Në bazë të veprimeve të një individi, familjeje apo grupi shqiptar, partie, komuniteti a sekti fetar nuk lejohet të shprehen (para)gjykimet dhe të përgjithësohet (paushall) tërë shoqëria shqiptare, gjë që jo rrallë bëhet nga shumica e mediave zvicerane. Shumica jonë, ashtu si shumica e gjithë shoqërisë zvicerane, janë punëtorë të vyeshëm që kryejnë obligimet dhe ushtrojnë të drejtat e tyre në mënyrë korrekte. Ata bashkërisht kontribuuan e kontribuojnë për zhvillim ekonomik si dhe për mirëqenie të qëndrueshme e afatgjatë solidare të sigurisë shoqërore të vendit.

Raportet e marrëdhënieve shqiptaro-zvicerane (apo Zvicër – vendet të prejardhjes së shqiptarëve: Kosovë, Shqipëri, Maqedoni) për arsye objektive nuk mbështeten në reciprocitet. Evropa politike nuk është ajo që është edhe Evropa gjeografike. Njëra nga arsyet – bile së paku në rrafshin e të drejtës për punë dhe bashkim familjar – është edhe ekzistimi i “modelit tre rrathësh”, i cili – jo vetëm – për ne është shumë diskriminues.

Si pasojë e këtij paradoksi, që si bazë ka aspektin aktual gjeopolitik, shumë shqiptarë që njëherazi kanë edhe shtetësi zvicerane (e njëjta vlen edhe për shqiptarët që kanë shtetësi nga njëri prej vendeve anëtare të BE-së) nuk mund t’ i realizojnë të drejtat e tyre elementare, p.sh. sa i përket bashkimit familjar, vizitave të familjarëve, etj. Dhe në këtë kontekst, edhe pse “zviceranë” të natyralizuar, janë më të diskriminuar se sa shtetasit e të gjitha vendeve anëtare të BE-së dhe familjarëve të tyre.

Është absurditet në vete fakti se shqiptari me shtetësi zvicerane për të ftuar në vizitë familjarin e shkallës së parë i duhet të përballet me shumë vështirësi, pengesa deri edhe në harxhime të tepërta materiale, ndërsa një zvicerani për të njëjtin veprim apo arsye nuk ka nevojë fare të bezdiset. Për të dëshmuar një paradoks të natyrës tjetër duhet përmendur fakti se “qytetarë” zviceranë dhe të tjerë – jo vetëm shtetas – të vendeve anëtare të BE-së, munden që individualisht dhe kolektivisht, bile-bile edhe – pa dashur të ironizojë – të armatosur deri në fyt të hyjnë e të dalin sa herë dëshirojnë në atdheun tonë të prejardhjes, pra në Kosovë.

Konstrukte negative në kurriz të shqiptarëve

Njohuritë e mesatares zvicerane mbështeten në konstrukte të paqena, si rezultat i mungesës së njohurive për “të panjohurën” në raport me shqiptarët. Pos kësaj, duket është karakteristike që shoqëritë shumicë, të cila për të ruajtur apo mbajtur gjallë, norma e vlera të caktuara shoqërore, gati se është e «detyruar» t’ i përshkruajë dhe t’ i etiketojë shoqërisë pakicë padrejtësisht të gjitha atributet negative shoqërore. Historinë e njerëzimit këto raporte e kanë përcjellë gjatë tërë zhvillimit shoqëror dhe nëpër të gjitha etapat shoqërore dhe në të gjitha shoqëritë e shtetet pa përjashtim. Në Evropën Perëndimore mesjeta na jap më së shumti shembuj konkretë.    

Dihet se në raportet shoqërore shumicë – pakicë, në çdo vend gati pa përjashtim (përjashto këtu shoqëritë dhe vendet pa sovranitet kombëtar, apo me sovranitet të kufizuar), është shoqëria shumicë ajo që përcakton rregullat e lojës sa u përket këtyre marrëdhënieve. Histori në veti – e një hapi të njëanshëm e të motivuar politikisht – është anulimi i marrëveshjes ndërshtetërore për sigurimet shoqërore në raport me Kosovën. Temë të cilën duhet më shumë hapësirë për ta trajtuar. Shpresojmë se do të kemi rastin ta bëjmë këtë në një të ardhme të afërt. 

Vini re: Komentet e autorit angazhojnë vetëm autorin.